Thonë se e kanë merituar një jetë më dinjitoze

  • 28 June 2016 - 20:08
Thonë se e kanë merituar një jetë më dinjitoze

Këto ditë kur në Gjakovë, shpesh të cilësuar si qyteti me temperaturat më të larta në Kosovë, zhiva në termometër po e kalon edhe shkallën e 35 gradëve, shumëkush po ka problem me i bë "qare vetes", duke kërkuar ndonjë skutë ku është më freskët. Më të rrezikuarit në këtë vapë sigurisht se janë ata që vuajnë nga ndonjë sëmundje kardiovaskulare, si dhe ata që janë më të moshuar e të cilëve u ka rënë imuniteti."Po, këto ditë kemi rritje të numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të temperaturave të larta. Në repartin tonë më së shumti paraqitën të moshuarit si dhe ata që vuajnë nga ndonjë sëmundje e zemrës, shkruan gazeta Kosova Sot.

Prandaj, të gjithë atyre, por jo vetëm, u rekomandojmë që t'iu shmangën maksimalisht ekspozimit të diellit nga ora 10:00 deri në orën 17:00, pra do të ishte mirë që ata të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, në ndonjë kthinë ku e kanë më freskët", ka thënë Jeton Vorfi, mjek specialist i emergjencës.

Pensionistëve iu është prishur rehatia!

Pavarësisht nga kjo këshillë e doktor Vorfit, të hënën në orët e paradites e deri aty pas mesditës, në parkun e qytetit të Gjakovës hasëm grumbuj njerëzish të moshuar, kryesisht pensionistë, që mundoheshin të gjejnë një freski. "Ka të drejtë doktori që rekomandon të qëndrojmë në shtëpi, por kjo vlen vetëm për ata që kanë shtëpitë e veta individuale, ndërsa për ne që jetojnë në banesa kolektive duhet gjetur tjetër qare.

Temperatura në banesë është e padurueshme, po digjemi të gjithë! Vetëm diku pas mesnatës aty bie pak freski, ndërsa pjesën tjetër të ditës aty nuk mund të rrihet nga temperaturat e larta. E di që ky problem zgjidhet me aparaturat për klimatizim, por ku të marrim para ne pensionistët që të blejmë aparatura të tilla të shtrenjta", ka thënë për gazetën pensionisti Qazim Hyseni, i cili, të hënën, aty rreth orës 11:00, së bashku me disa shokë, ishte ulur nën hijen e një peme në parkun qendror të qytetit dhe loznin shah. "Siç po e shihni edhe vetë, sivjet edhe në këtë park na kanë prishur rehatinë. Po thonë se po e ndërtojnë një fontanë (shatërvan), e cila do të na freskojë. Ndoshta kur të kryhet ndërtimi i saj kjo edhe do të ndodhë, por aktualisht punët po shkojnë shumë ngadalë, ndërsa zhurma e makinerisë dhe pluhuri që po ngritët për shkak të punimeve, po na prishin paksa rehatinë, por ç'të bëjmë", ankohej baca Qazim.

Këngën po e di, por zëri nuk po më shkon!

Pak metra më larg nga "grupi i shahut", siç e quajnë grupin e shokëve të Qazim Hysenit, hasim një grup tjetër pensionistësh, të cilët, siç thonë vetë, po "rraxhamitën" duke lozur cicmic. "Jo, jo, nuk jemi ne të marrë që të mos e dimë se si përballohet më së lehti kjo vapë e padurueshme. Zgjidhja është bregdeti, Velipoja, Durrësi, apo edhe ndonjë vend tjetër buzë detit, por, siç themi ne në Gjakovë - këngën po e di, por zëri nuk po më shkon! Ku t'i marrim të hollat për bregdet ne të ngratët pensionist që marrim nga 70 euro në muaj. Në situatë të tillë, freskia e parkut po na duket zgjidhja më fatlume", rrëfente pensionisti Hilmi Aliu, duke shtuar se, derisa paradite qëndron këtu me shokë, në orët e pasdites dhe të mbrëmjes e merr me vete edhe bashkëshorten që edhe ajo të freskohet, pasi paradite duhet t'i kryej punët e shtëpisë. "Me dalë edhe ajo paradite me mua nuk kemi çka të hamë për drekë", fliste me një ton mahnitës Hilmiu. Sa do që na u duk se këta të moshuar, këta pjesëtarë të "moshës së tretë" për të cilët duket se shoqëria nuk çan fort kokën, po kalojnë momente jo të mira, pak metra më larg u bindëm në thënien popullore se e keqja kurrë nuk ka fund!

Në radhë të gjatë për të pritur pensionin!

Derisa ata megjithatë arrini të gjenin pak freski në parkun e qytetit, shumë afër këtij parku, para godinave të bankave komerciale, të hënën hasëm një numër të madh njerëzish, kryesisht të moshuar, që kishin krijuar radhë. Për një moment harruam se është fundi i muajit, prandaj e kishim të paqartë se ç'prisnin ata aty?! "Këso tollovish krijohen për çdo muaj dhe atë jo vetëm një ditë apo dy, por rreth një javë, duke filluar nga data 23 e muajit kur arrijnë pensionet e deri në fund të muajit", na e shpjegoi arsyen e këtij lëmshi pensionisti Hamiti, të cilin në ato momente e thirrën të futët brenda në bankë, prandaj "harroi" të na thotë mbiemrin! Të gjithë këta presin me orë të tëra për të marrë pensionin, nga i cili varën shumë. "Jo more djali jem, e di se ka mundësi ta marr kartelën për të tërhequr paratë nga automati, por unë nuk di ta përdor atë, prandaj nuk kam zgjidhje tjetër pos të pres kështu.

E di unë si mund të shpëtoj nga kjo tollovi, të vij për pension pas një jave, apo dhjetë ditësh, kur të largohen turmat e njerëzve, por ç'të bëj që po më duhen paratë më shpejt", ankohej Ryve Morina, një grua e rreth të 70-tave, derisa priste që t'ia thërrasin emrin. Në njërën nga bankat komerciale na thanë se të gjithë klientët që në atë bankë e marrin pensionin, kanë mundësi të marrin kartelat për bankomat, por nuk e bëjnë këtë, për arsye se, siç na thanë ata, dëshirojnë të shmangin koston e shpenzimeve që sjell përdorimi i bankomatit. Dhe, kështu, për të kursyer ato pak para që "i ha" bankomati pensionistët gjakovarë vazhdojnë të përvëlohen në këtë vapë përcëlluese, duke pritur ta marrin pensionin e duke murmuruar për vete. "E kemi merituar një jetë më dinjitoze", thonë ata 

(Kosova Sot)