Specialja trazon skenën politike

  • 29 June 2016 - 07:58
Specialja trazon skenën politike

Gashi: Do të ketë zhvillime, që mund të sjellin shqetësim në skenën politike.

"Është e pritshme që Gjykata Speciale mund të tronditë politikisht skenën politike. Dyshohen disa individë të PDKsë, por edhe te partitë politike opozitare. Pra, Gjykata Speciale pritet të ushtrojë një lloj ndikimi në zhvillimet e gjithëmbarshme politike të Kosovës", shprehet analisti Blerim Burjani.

Me gjithë faktin që Kuvendi i Kosovës i dha dritën e gjelbër themelimit të Gjykatës Speciale, gati tash e një vit më parë, detajet e ecurisë së procedurave përgatitore për funksionimin e këtij institucioni të drejtësisë po mbahen akoma larg nga opinioni publik. Gazeta ka adresuar pyetje lidhur me këtë çështje në Ministrinë e Punëve të Jashtme, për të mësuar se në cilin nivel të komunikimit ndërinstitucional janë shteti i Kosovës dhe Holanda për vendosjen e selisë së kësaj Gjykate, por nuk kemi marrë përgjigje. Kohë më parë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, pati deklaruar në vija të përgjithshme se Kosova i ka përfunduar të gjitha obligimet e veta rreth krijimit të Dhomave të veçanta, dhe tani është çështje e BE-së dhe Holandës për hapat e mëtutjeshëm, por nuk ka specifikuar se cilat veprime i ka ndërmarrë shteti i Kosovës.

Pritet emërimi formal i gjyqtarëve dhe prokurorëve Njohës të sundimit të Ligjit, nga ana e tyre, konsiderojnë se për vetë faktin se BE-ja ka hapur me vonesë një konkurs ndërkombëtar për kompletimin e stafit të punës së Gjykatës Speciale, edhe gjasat për fillimin praktik të punës, që ndërlidhet edhe me arrestimet e para, nuk mund të ndodhin para vjeshtës së vonë të këtij viti ose fillimit të vitit që vjen. Ditë më parë është raportuar për një konkurs ndërkombëtar të hapur nga BE-ja për stafin e Gjykatës Speciale për 37 pozita. Avokati Tomë Gashi ka pohuar se pas hapjes së konkursit, edhe gjasat e aktivizimit të kësaj Gjykate janë më të shpejta, por nuk mund të përcaktohet afati i saktë se kur do të fillojë puna. "Konkursi i BE-së për këtë Gjykatë tashmë është publikuar dhe pritet emërimi formal i gjyqtarëve dhe prokurorëve, një pjesë e të cilëve tashmë janë intervistuar, dhe mund të jenë gjyqtarë dhe prokurorë edhe të EULEXit", thotë avokati Gashi për "Kosova Sot". Sido që të jetë, ai pret që me fillimin e punës së kësaj Gjykate të ketë edhe zhvillime, që mund të sjellin shqetësim në skenën politike në vend. Sipas Gashit, është shumë e pritshme që skena politike do të trazohet shumë me fillimin e arrestimeve të para për Gjykatën Speciale, e që përafërsisht mund të ndodhë në tetor të këtij viti apo pak më vonë. "Këtë më së miri e dinë vetëm prokurorët, që i kanë veçse disa akuza të përgatitura për Gjykatën Speciale. Këtë sikur që dimë, e ka thënë edhe prokurori i Forcës speciale për hetimin, e që ka qenë Clint Wiliamson", shprehet Gashi për "Kosova Sot".

Burjnai: Kjo Gjykatë është stopuar për t'u funksionalizuar shpejt Edhe profesori i së drejtës, Blerim Burjani, pret që aktakuzat e para të ngriten në vjeshtën e këtij viti, apo mbase mund të vonohen deri në fillimin e vitit vijues, varësisht si do të rrjedhë procesi i kompletimit të trupave të kësaj Gjykate. Ai ka thënë se para fillimit të punës së kësaj Gjykate, Qeveria e Kosovës duhet të kujdeset që të mbrohen në mënyrë dinjitoze të drejtat e njeriut për individët e akuzuar. Këtë veprim, sipas tij, duhet ta bëjë Ministria e Drejtësisë. "Ministria e Drejtësisë duhet të ketë një koordinator, së paku nga rrafshi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të monitoruar dhe koordinuar punën me këtë Gjykatë specifike, që pritet të merret me të dyshuarit për trafikim organesh", u shpreh Burjani për gazetën. Pavarësisht se kur do të finalizohet procesi përgatitor dhe fillimi i punës së këtij institucioni të posaçëm të drejtësisë, të bazuar në Raportin e Dik Martit, Burjani ndan mendim të njëjtë me avokatin Gashi sa i takon ndikimit të kësaj Gjykate në skenën politike në vend. "Ne edhe tash kemi zyrtarë të lartë, që më nuk janë në politikë dhe disa janë në procese gjyqë- sore, që pritet edhe ata të largohen nga politika. Është e pritshme që Gjykata Speciale mund ta tronditë politikisht skenën politike, dyshohen disa individë të PDK-së, por edhe te partitë politike opozitare. Pra, Gjykata Speciale pritet të ushtrojë një lloj ndikimi në zhvillimet e gjithëmbarshme politike të Kosovës. Është thënë se kjo Gjykatë fillon punën në janar, dhe se duhet të ngriten aktakuzat e para në janar 2016. Realisht jemi ku jemi tash, dhe ende nuk kemi diçka konkrete, andaj unë kam përshtypjen, se kjo Gjykatë është stopuar për t'u funksionalizuar shpejt, bazuar në ndodhitë dhe krizën e vazhdueshme politike në shtet e përcjellë me bllokim të Parlamentit, krizë e cila akoma nuk e ka sinjalin e zgjidhjes përfundimtare", ka pohuar Blerim Burjani.

(Kosova Sot)