Qeveria ‘gozhdon’ në sirtar projektligjin për "Trepçën"

  • 29 June 2016 - 08:03
Qeveria ‘gozhdon’ në sirtar projektligjin për

MUSTAFA:Mitrovica e Gjakova kanë rënë në GPD-në e Komunës së Shtimes. 

"Të gjitha gjasat janë që Qeveria e 'Isa Mustafës' e ka ‘harruar’ projektligjin për 'Trepçën' në sirtarë. Ka shumë gjasa që edhe ky vit i mandatit të Qeverisë do të kalojë pa ligjin dhe strategjinë për 'Trepçën', duke përshpejtuar vdekjen e këtij gjiganti. Në falimentim janë përfshirë pengesat e Serbisë, por atë po e mbajnë peng edhe grupet e parapolitikës dhe të politikës", është shprehur deputeti i Nismës Enver HotI.

E dhe këtë vit me shumë gjasë Qeveria nuk do ta sjellë ligjin për 'Trepçën' dhe në këtë aspekt mund të jenë një mori arsyesh. Por, se cilat janë ato, Qeveria nuk i shpjegon, përveçse kishte proklamuar se ky ligj do të realizohej së shpejti, gjë që nuk ndodhi, e ka pak gjasa që të ndodhë. Bazuar në vlerësimet e ekspertëve të ekonomisë dhe frikës së dy anëtarëve të Komisionit parlamentar që janë marrë me këtë çështje dhe deputetëve të opozitës, puna e projektligjit dhe strategjisë për kombinatin "Trepça" nuk do të përfundojë këtë vit. Kryetari i Komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, tregti dhe industri, Muhamet Mustafa, (LDK), për gazetën "Kosova Sot" është shprehur se si komision në tërësi e kanë mbaruar punën "si është më së miri". Por, deputeti Mustafa nuk ka dhënë sqarime se deri ku kanë arritur me pjesën e vet të punës së vet Qeveria e Kosovës, MZHEja dhe ekspertët vendorë e të huaj, që janë të angazhuar në hartimin e projektligjit dhe të strategjisë për 'Trepçën'. Deputeti Mustafa ka sugjeruar që për informata më detaje gazeta duhet t'i drejtohet Qeverisë së Kosovës. Por, ndonëse gazeta ka provuar që të marrë opinionet e Qeverisë së Kosovës dhe MZHE-së lidhur me çështjen, zyrtarët e zyrave për informim kanë heshtur në vend të dhënies së një përgjigjeje.

Projektligji rrezikon të mos miratohet deri më 2 nëntor Anëtari i Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Industri, deputeti Raif Qela (PDK) është i pakënaqur me zvarritjet që po bën Qeveria e Kosovës dhe brenda saj MZHE-ja për miratimin e projektligjit për 'Trepçën'. Ai i revoltuar tha se ky projektligj nuk ka arritur askund. "Ajo që e di është fakti se grupi punues i caktuar nga kryeministri Isa Mustafa tashmë para dy-tri javësh e ka kryer pjesën e vet të punës dhe projektligji duket se ka mbetur diku në sirtarët e zyrave të Qeverisë", është shprehur ai. Ndryshe, deputeti Qela tërhoqi vërejtjen se projektligji për 'Trepçën' po rrezikon që mos të miratohet deri më datën 2 nëntor, kur edhe është afati i fundit. "Ne si shtet nuk kemi arsye për të miratuar ligje surrogate, që do ta mbajnë edhe më tej 'Trepçën' në agoni ashtu si ka qenë në agoni tash e dy dekada", është shprehur ai. Qela thotë se zvarritja e këtij projektligji, por edhe ajo e strategjisë për zhvillimin ekonomik të kombinatit "Trepça" kanë qenë edhe arsyeja e vetme që ai i është drejtuar me një pyetje me shkrim Qeverisë së Kosovës dhe përgjigjen e pyetjes së tij shpreson se do ta marrë në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës, që pritet të mbahet shumë shpejt.

"Projektligji pa strategji do të ishte i pakuptimtë" Edhe deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), thotë se nga informatat që ka siguruar nga kolegët e tij, deputetë nga radhët e koalicionit në pushtet, por edhe nga kanalet e tjera, që janë pjesë e Qeverisë së Kosovës, ka mësuar se premtimet e Qeverisë së Isa Mustafës që i pati bërë gjatë muajit janar të këtij viti se sivjet do të hartohet projektligji dhe strategjia për kombinatin 'Trepça', nuk do të realizohen sivjet. Ai shton se kjo nuk është gënjeshtra e vetme e kryeministrit në raport me qytetarët. "Të gjitha gjasat janë se Qeveria e Isa Mustafës ka harruar projektligjin për 'Trepçën' në sirtarët e zyrave të Qeverisë", është shprehur Hoti, teksa ka shtuar se edhe ky vit nga mandati sa e ka Qeveria 'Mustafa' do të kalojë pa e bërë këtë ligj, edhe pse gjiganti ekonomik është buzë falimentimit me çka po e përshpejtojnë vdekjen e tij. Hoti është i mendimit se përfshirë edhe pengesat e Serbisë vonesat në miratimin e projektligjit dhe strategjisë për 'Trepçën' kanë mbetur peng edhe nga grupet e parapolitikës dhe të politikës kosovare që drejtpërdrejt edhe kanë ndikuar duke mos lejuar zhvillimin e kombinatit "Trepça". "Ndërhyrja e Serbisë, por edhe parapolitika kosovare janë faktorët jomiqësorë jo vetëm kundër ish-gjigantit 'Trepça', por edhe në tërësi kundër ekonomisë së Kosovës", është shprehur ai. Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Nazmi Mustafa, ndryshe ish-kryetar i OEK-ut, u shpreh për "Kosova Sot" se është e paimagjinueshme që projektligji të bëhet pa ndonjë strategji dhe atë jo afatshkurtër, por afatgjate të rimëkëmbjes dhe rizhvillimit të 'Trepçës'. "Sipas mendimit tim, arsyet e vonesave janë vendore e ndërkombëtare. Që nga përfundimi i luftës ky Kombinat ka ngelur pa status dhe nën menaxhimin e një agjensioni që praktikisht asnjëherë nuk ka ndikuar në zhvillimin pozitiv në ekonomi e as në Trepçë", është shprehur ai. Sipas Mustafës, arsyeja është se edhe Qeveria e Kosovës nuk ka pasur ndonjë zgjedhje e as kapacitet që problemet që janë shumë të rënda për ish-sistemin e 'Trepçës' të shtrohen, në mënyrë të drejtë dhe që të vendosin organet kompetente. "Në bazë të një opinioni të gjerë e sidomos të një opinioni të ekspertëve, që merrem jo vetëm me xehe metalurgjike, por edhe me zhvillime të tjera të tregut ndërkombëtar lidhur me teknologjitë e reja, produktet duhet të dalin me kosto të përballueshme në tregun botëror dhe kërkohet një zhvillim i ri i një fuqie të re punëtore, e cila do të dinte të ishte bartëse e një zhvillimi të hovshëm e të qëlluar të 'Trepçës' ", tha Mustafa. 

 

Mustafa: As opozita nuk ka dhënë ndonjë zgjidhje Sipas Mustafës, çështja e ligjit për këtë Qeveri është një pretekst, por esenca e problemit është shumë më e madhe dhe kërkon një analizë e studim të gjithëmbarshëm që të shikohet se çka duhet që nga ish-kombinati 'Trepça' si sistem të hiqet dorë dhe çka është ajo që është më se e nevojshme që të ndërtohet, dhe cilat janë mundësitë dhe kapacitet financiare të vetë shtetit të Kosovës. "Në këto rrethana që ekzistojnë sidomos ku është metalurgjia e 'Trepçës' dhe involvimi i investimeve të jashtme për mua është vetëm një ëndërr dhe ndoshta jo vetëm ëndërr dhe qasje jo e mirë për zhvillimin e 'Trepçës'. Për këtë arsye çështja e aprovimit të një ligji lidhet edhe me çështje të tjera, involvimi i Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar. Mund të thuhet se ligji për mua nuk është zgjidhje definitive dhe ajo që shtrohet si pyetje mund edhe të kalojë i gjithë mandati i kësaj Qeverie, që mos të aprovohet një ligj i tillë, sepse para aprovimit të tij duhet që të analizohet dhe të gjendet një analizë e kost-benifitit e pastaj të futemi në aktivitetin e ndërsjellë, që ta quajmë program zhvillimor", shprehet Mustafa. Ai shton se kombinatin 'Trepça' e kanë mbajtur peng grupet e parapolitikës dhe të politikës, duke mos lejuar zhvillimin e tij, përfshirë edhe pengesat e Serbisë. Ai shprehet se edhe opozita nuk ka dhënë ndonjë zgjidhje. "Opozita nuk është vetëm për të kritikuar, por edhe për të dhënë zgjidhje me programe konkrete se si do të zgjidhet një çështje kruciale, siç është rasti i 'Trepçës'. Prandaj, unë nuk e arsyetoj Qeverinë, por në një mënyrë nuk e arsyetoj as opozitën e as shoqërinë civile, që duhet të ulen e të ofrojnë programet e veta, ose të ndihmojnë se si do të zgjidhet një problem që është jashtëzakonisht i rëndë", është shprehur eksperti Nazmi Mustafa. "Si shembull po marrë se Mitrovica e Gjakova si dy qendra industriale që ishin më të zhvilluarat e paraluftës, tashmë kanë rënë me GDPnë e një niveli të një komune sikurse që është Shtimja ", u shpreh eksperti i ekonomisë Nazmi Mustafa.

(Kosova Sot)