“Brexit”, Brukseli mbyll derën për Britaninë

  • 29 June 2016 - 09:16
“Brexit”, Brukseli mbyll derën për Britaninë

Për presidentin e Parlamentit Europian, takimi i së martës me krerët e unionit kishte tone dramatike pas largimit të Britanisë nga gjiri i Brukselit.

“Që kur kam marrë këtë detyrë, rrallë kam përjetuar një atmosferë të tillë. Ajo ishte mjaft ndryshe nga takimet që kam pasur këtu më parë. Ndihet ndjenja e pasigurisë për mënyrën sesi ne duhet të vazhdojmë të punojmë javët dhe muajt e ardhshëm. Po ashtu u ndie nevoja e një diskutimi themelor për të ardhmen e Bashkimit Europian”, tha Martin Schulz.

Ndërkohë, Polonia, Sllovakia, Hungaria dhe Republika Çeke bënë thirrje që të frenohen kompetencat e Brukselit, pas largimit të Britanisë.

Referendumi i javës së kaluar ka alarmuar qeveritë në ish-shtetet komuniste lindore të BE-së, të cilat deri tani e kanë konsideruar Londrën si aleaten kryesore në përpjekjet për të reduktuar kontrollin e centralizuar nga Brukseli.

Vendet e bllokut lindor veçanërisht janë irrituar me Jean-Claude Juncker pas imponimit të kuotave fikse për 1.3 milionë refugjatë të mbërritur në Europë.

Ndërkohë në Londër kanë shpërthyer protestat e mbështetësve që duan të qëndrojnë në Europë. Me pankarta në duar, ata trumpetonin se Londra dhe Brukseli janë një.

(Kosova Sot)