Skandali i kopështit Diren/ Elona Turdiu dëshmon në polici, pranon dhunën

  • 29 June 2016 - 12:36
Skandali i kopështit Diren/ Elona Turdiu dëshmon në polici, pranon dhunën

Ish-­punonjësja e kopështit famëkeq “Diren”, Elona Turdiu, ushtronte dhunë ndaj të vegjëlve. Akuza u bë nga kolegia e saj e cila u kap në një kamera të fshehtë që u transmetua në “Stop”. Sipas edukatores (në kameran e fshehtë) Elona i çonte fëmijët në dhomën tjetër, i mbulonte me çarçaf dhe më pas i godiste që të mos u dalloheshin shenjat.

Burime pranë policisë së kryeqytetit thanë se Elona Turdiu është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë para transmetimit të videos. Të njëjtat burime bënë me dije se ajo u mor në pyetje mbrëmjen e së hënës nga Seksioni Kundër Korrupsionit. Turdiu është
mbajtur për disa orë në polici, ku ka treguar me detaje për sa u përket akuzave të ngritura ndaj saj, shkruan sot “Gazeta Shqiptare”.

Elona Turdiu do të ndiqet në gjendje të lirë, ndërsa dosja në ngarkim të saj dhe për hetime të mëtejshme i ka kaluar prokurorisë. Gjithashtu, mësohet se si provë materiale janë sekuestruar edhe pamjet filmike të transmetuara në emisionin “Stop”.

Gjatë dëshmisë që ish-­punonjësja e kopshtit privat “Diren”, Elona Turdi ka dhënë para oficerëve të policisë, ka pranuar se edhe ajo vetë ka ushtruar dhunë ndaj të miturve.

Burime të policisë shtuan se vetë Turdiu ka treguar se ka qenë personi i parë që ka informuar prindërit e fëmijës 3­-vjeçar se djali i tyre i mitur dhunohej nga Anjeza Shabani.

(Kosova Sot)