Ministri Hoti shkel ligjet, e mbush kabinetin me ushtrues detyre

  • 29 June 2016 - 14:03
Ministri Hoti shkel ligjet, e mbush kabinetin me ushtrues detyre

Ministri i Finacave  Avdulla Hoti shkel ligjet për shërbyes civil, ai e ka mbushur kabinetin e tij me ushtrues detyre tregojnë të gjeturat e raportit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Edhe pse në ligj thotë se ushtruesi i detyrës nuk mund të emërohet më gjatë se tre muaj, pozita e drejtorit të departamentit ligjor në MF është mbuluar me ushtrues detyre prej 11 shtatorit të vitit të kaluar.

Kjo nuk është rasti i vetëm në këtë ministri. Edhe pozita udhëheqëse e divizionit të politikave fiskale mbulohet nga një ushtrues detyre.

“Ne duhet të theksojmë që, MF ka shpallur konkurse për këto pozita tri herë megjithatë përkundër përpjekjeve ende nuk ka arritur të bëjë zgjidhje të përhershme”, thuhet në raportin e ZAP.

Të gjeturat e ZAP-it  tregojnë se organizimi dhe sistemimi i brendshëm i të punësuarve nuk ishte në pajtim me numrin e aprovuar të personelit sipas ligjit të buxhetit.

 

Pagesat për shtatë punëtorë në kabinetin e Avdullah Hotit nuk janë mbuluar nga buxheti i sektorit përkatës por nga departamenti i administratës.

E sipas Ligjit të buxhetit asnjë organizatë buxhetore nuk mund të tejkaloj numrin e pozitave të punësimit në nivele të nën-programit për nivelin qendror në asnjë kohë gjatë vitit fiskal.

Rreziku që i kanoset kësaj ministrie për mbulimin e pozitave me UD është dështimi i përmbushjes së detyrave dhe përgjegjësive përkatëse.

Ndërkaq për buxhetin e ndarë për departamente i ndikuar negativisht nga pagesa e pagave për stafin e departamentit tjetër, mund të rrezikoj pagesën vjetore të pagave për personelin e atij departamenti.

(Kosova Sot)