Kokajt blenë toka prrej Isa Beut, kur erdhën nga Toplica

  • 29 June 2016 - 17:05
Kokajt blenë toka prrej Isa Beut, kur erdhën nga Toplica

Fshati Kokaj gjendet në juglindje të Gjilanit, në një territor që shtrihet edhe në pjesën e Preshevës, matanë kufirit. Mëhalla e Poshtme, Mëhalla e Epërme dhe Gurina, janë tri lagjet që e përbëjnë këtë fshat, që si vendbanim është themeluar para dy shekujve. Banorët e parë kanë ardhur nga Sanxhaku i Toplicës. Të parët e këtij vendbanimi, së pari ishin vendosur në Pogragjë, ku edhe sot ruhet toponimi "Sokaku i Kokajve". Këtu kanë jetuar tri vjet, shkruan gazeta Kosova Sot.

Pastaj kanë blerë tokë nga Isa Beu i Shkupit dhe kontratën e kanë bërë në Vrajë. Në kontratë precizohen edhe kufijtë brenda të cilëve shtrihen tokat e blera nga Isa beu. Në vitin 1878, nga banorët e mbetur në Klaiq të Lebanës, katundit Kokaj në Kosovë iu bashkuan edhe familja e Ali Bylykbashit dhe Demir Klaiqit, të cilat u vendosën në vendbanimin e quajtur Muhaxhirët, derisa tri familje tjera janë vendosur në mes të Kaçanikut dhe Ferizajt dhe mbajnë mbiemrin Koka. Familje me këtë mbiemër sot ka në Gjilan, Prishtinë, Shkup, Kumanovë e vende të tjera. Jo rastësisht, banorët e parë kishin zgjedhur këtë vend, ku në afërsi kishte rrjedha ujore, për të ndërtuar mullinj në lumin Llapusha. Dikur njiheshin Mulliri i Katundit, Mulliri i Dalipit, më vonë edhe Mulliri i Halitit, Latifit, i Bislimit dhe të tjerë.

Image

Varri i Fejzës 

Sipas regjistrimit të vitit 1948, fshati kishte 250 banorë, numër ky që është rritur nga viti në vit, deri më 1981, kur fillon migrimi në drejtim të qytetit. Po, rënien më të madhe të popullsisë, ky fshat e ka përjetuar pas luftës së fundit (1999). Përreth zonës kufitare me Serbinë, nuk ka qenë lehtë të jetohet në këto vite. Kufiri ka ndarë këtu të gjallët nga të varret e familjarëve dhe të parëve të tyre. "Ne nuk mund të shkojmë të lirë as te varret e familjarëve tanë", thotë Nijazi Ramadani, ish-banor i fshatit. Ai tregon se varri i Fejzës, njërit prej dy djemve të Ademit, që ishte themelues i katundit, ka mbetur matanë kufirit. "Megjithatë, jeta në Kokaj nuk është shuar tërësisht edhe përkundër gjithë këtyre peripecive. Banorët nuk dëshirojnë që të humbet çdo shenjë i këtij vendbanimi që ka një histori dyqind vjeçare, të paktën jo gurët e varreve, edhe pse kanë humbur ara, kullosa, livadhe dhe male, që i kishin burime të jetesës", shprehet ai. Një tabelë e vendosur nga KFOR-i, pas së cilës shihen shtëpitë e katundit Ranatoc të Preshevës, shënon vijën ku përfundon territori i Kosovës dhe përtej së cilës nuk mund të dalin banorët e këtushëm. Përndryshe, fshati ka traditë të hershme shkollimi.

Këtu, shkolla e parë është ndërtuar në vitin 1967, me kontributin e plakut Nezir Koka. Tani, afër gjysmë shekulli më vonë, shkolla ka ngelur pa nxënës. Fshati ka "Sheshin e valleve" që ringjallet gjatë verës, kur banorët kthehen për gazmende familjare, të cilat zakonisht janë mbajtur në këtë ambient. Ramadani flet edhe për të kaluarën. Kremtimi i festave të motmotit, këtu ka qenë një traditë që është ruajtur, sikurse janë ruajtur me shumë fanatizëm edhe burimet e ujit, që simbolizojnë jetën. "Kroi i katundit" përdoret edhe sot si ujë për kuzhinë dhe për bërjen e çajit prej luleve. Në Kokaj spikasin shtëpitë e ndërtuara me gurë, si në gjithë zonën e Malësisë së Karadaket. Verës, fshati është një vend i mrekullueshëm, kurse dimrit, është një zonë e vështirë për të jetuar. Të vjetrit mbajnë mend që Shëngjergji e ka zënë borën në këto kodrina.

Image

Kokajt i bënë Inatoc

Klaiqi, prej kanë ardhur banorët e parë në Kokaj, kufizohej me lagjet dhe vendbanimet e dikurshme shqiptare, siç ishin Gërgurovci, Bajra, Poroshtica, Llapashtica dhe të tjera. Në Klaiq, shqiptarët i kanë ende tokat e tyre, të nacionalizuara pas Luftës së Dytë Botërore. Vendbanimi i sotëm Kokaj, që ndodhet mes Gjilanit dhe Preshevës, pas pushtimit nga Mbretëria SKS, emërtohet Inatovc. Mirëpo, banorët e Kokajve dhe rrethina, kurrë nuk e kanë njohur me këtë emër, sepse është emërtim i imponuar me pushtimin e këtyre trojeve nga ushtria serbe, në vitin 1912. Sot, banorët e mbetur atje nuk e kanë të lirë të shkojnë në tokat e tyre dhe te varret e familjarëve, për të vendosur një lule apo për të bërë një lutje.

Trojet shqiptare po zvogëlohen padrejtë- sisht. Në këtë pjesë, para 60 vitesh, nga Kosova ishin ndarë Buhiqi, Staneci, Lezbalia, Kurbalia, Seferët, Maxhera, Gosponica…Ky fat i keq rrezikon të përsëritet edhe tani, me kufirin Kosovë-Serbi, që ka lëvizur në dëm të tokave shqiptare, sikurse ka ndodhur në anën e Vitisë, me Maqedoninë dhe në anën e Pejës, me Malin e Zi. Shqiptarët, historikisht janë treguar dorëlirë me territoret e tyre, prandaj kanë përfunduar kështu siç janë, të ndarë në disa shtete e të përçarë mes vete.  

(Kosova Sot)