Rrjeti i dobët elektrik në të gjitha zonat rurale të Prizrenit

  • 29 June 2016 - 17:10
Rrjeti i dobët elektrik në të gjitha zonat rurale të Prizrenit

Banorët e fshatrave të ndryshme të Prizrenit, por edhe në lagjet e qytetit, kanë ankesa për rrjetin e vjetruar elektrik, që po rrezikon jetët e tyre. Banorë të zonave rurale prej kohësh përballen me problemet e rrjetit të vjetër energjetik, si dhe rrymën e pamjaftueshme. Përfaqësues të disa fshatrave kanë kërkuar nga autoritetet komunale që të ushtrojnë ndikimin e tyre te drejtuesit e KEDS-it, në mënyrë që të merren masa për trajtimin e kësaj çështjeje, shkruan gazeta Kosova Sot.

Nga ana tjetër, përfaqësues të KEDS-it në Prizren nuk duan të japin informata të detajuara lidhur me këtë problematikë. "Rrjeti i dobët nuk është vetëm në fshatrat e Prizrenit, por në gjithë Kosovën. Duhet të flitni vetëm në Prishtinë për këtë temë, ngase Prizreni nuk ka kompetenca të flasë për rrjetin elektrik", na ka thënë dje përmes telefonit një prej zyrtarëve të kompanisë në Prizren. Por, për banorët kjo çështje është më e ngutshme, ngase bëhet fjalë për sigurinë e tyre. Shani Tanaj, nga fshati Gorozhup, ka theksuar se ky lokalitet përballet me problemin e rrymës prej vitesh, dhe se shkaku i saj ka shpërthyer një zjarr, ku janë dëmtuar shumë shtylla.

Edhe Refki Ademaj, nga fshati Muradem, ka nënvizuar se shtyllat elektrike janë në gjendje të rëndë në këtë vendbanim. "Shtyllat janë pothuajse të rrënuara në të gjitha anët", ka thënë Ademaj, duke shtuar se rreziku është shumë i madh nga shtyllat e vjetruara. Sipas tij, ka pasur ankesa edhe për faktin se atje ka reduktime të shpeshta të energjisë elektrike. Ankesa të shumta për rrjet të dobët të energjisë elektrike ka edhe kryetari i fshatit Krajk, Fadil Përvizaj. "Krajku ishte ndër fshatrat e para në Has që ishte elektrifikuar, por, që nga viti 1952 deri më sot, askush nuk i ka ndërruar shtyllat elektrike. Ato tashmë paraqesin rrezik permanent për jetën e banorëve", ka thënë Përvizaj, duke shtuar se shtyllat e vjetra disa dekada paraqesin rrezik për ta, pasi janë shtylla të drunjta dhe ka kaluar jetëgjatësia e tyre. "Kjo ka bërë definitivisht që çdo ditë të rrezikohemi, të jemi në formë permanente në rrezik me jetën", ka thënë ai. Sipas tij, edhe rryma është e dobët, derisa ka edhe reduktime të shpeshta. "Kemi reduktime të shpeshta, andaj duhet të mendojë KEDS-i për këtë çështje se vërtetë jemi në hall", ka thënë Përvizaj.

Paralajmërojnë protesta

Hiç më mirë nuk është gjendja as në fshatin Landovicë të Përdrinisë. Fadil Berisha, përfaqësues i fshatit Landovicë, tregon se ka paralajmëruar KEDS-in se atje në këtë gjendje siç janë shtyllat elektrike mund të ketë edhe viktima. "Edhe pse ua kemi sqaruar situatën në fshatin Landovicë, nevojën e zhvendosjes së telave dhe shtyllave dhe ndërrimi i shtyllave të dëmtuara, për fat të keq nuk ka fare angazhim në këtë drejtim. Shtyllat e dëmtuara vazhdojnë të paraqesin rrezik permanent për të gjithë banorët e fshatit", ka thënë Berisha, duke shtuar se edhe pas shumë kërkesave dhe shumë telefonatave me personat përgjegjës në Prizren, përveç premtimeve të kota deri më sot s'ka asnjë veprim konkret. Ai kërkon që të merren masa urgjente, në të kundërtën do të organizohet një protestë e gjithë banorëve para zyrave të KEDS-it në Prizren. Edhe Rexhep Gashi, kryetar i fshatit Arbanas, ankohet për rrjetin e vjetruar në fshat. "Një nevojë emergjente është ndërrimi i rrjetit elektrik brenda fshatit, sepse ai po rrezikon edhe jetën e banorëve, është rrjet i vjetër dhe tashmë është para shkatërrimit", ka thënë Gashi. Sipas tij, shtyllat janë shumë të vjetruara, sidomos ato që bartin energjinë elektrike për në këtë fshat nga Zojzi.

Gjendje e keqe edhe në lagjet e qytetit

Për rrjetin e dobët janë ankuar edhe banorët e lagjeve në qytet. Fatlum Kryeziu, banor i lagjes "Jeta e re" në Prizren, ka thënë se njëri nga problemet parësore të këtyre banorëve është rrjeti elektrik. "Kurse mund të them se kjo lagje, për shkak të kualitet të ndriçimit publik, që është shumë i dobët, shumë shpesh është në terr", ka thënë Kryeziu. Sipas tij, rrjeti i energjisë elektrike është tepër i dobët dhe me rrezik për banorët e këtushëm. "KEDS-i duhet të këtë përkujdesje të shtuar", ka thënë Kryeziu. Edhe Lirim Krasniqi, banor i kësaj lagjeje, pohon se kanë probleme me infrastrukturën. "Lagjja ka infrastrukturë në pjesën ku ka qenë më herët e banuar, por së fundi kjo lagje është rritur, andaj edhe ka probleme infrastrukturore. Por, jemi të vetëdijshëm se dhe vazhdojmë të kemi besim se komuna do të përkujdeset edhe për atë pjesë të qytetarëve të vet, që tashmë janë vendosur rishtas këtu. Kurse rrjeti nuk është i vjetruar, por është i shtrirë jo mirë. Është e rëndësishme që rrjeti energjetik të jetë më i mirë se përndryshe rrezikon jetën e njerëzve", ka thënë Krasniqi.

Nga ana tjetër, zyrtarët komunalë janë zotuar se do të dalin në terren për të parë nga afër situatën. Ymer Berisha, zëdhënës i Komunës së Prizrenit, pohoi për "Kosova Sot" se që nga e hëna do të dalin në terren me drejtorin e Shërbimeve Publike për të parë se cilat projekte mund t'i realizojmë këtë vit e cilat vitin që vjen. Por, Hasan Hasani, drejtor i Shërbimeve Publike nuk premton shumë sa i përket rrjetit elektrik. "Për këtë lagje në vitin që vjen kemi disa projekte, që lidhen pikërisht me rregullimin e infrastrukturës dhe për ndriçimin publik. Ajo lagje është lagje e re dhe çdo ditë rritet, andaj edhe nuk mund të jemi që secilës shtëpi t'i mundësojmë infrastrukturë të veçantë, por domosdo se ata nuk do të lihen anash assesi", ka thënë Hasani, duke shtuar se sa i përket shpërndarjes së rrjetit elektrik, përgjegjës është KEDS-i.

(Kosova Sot)