Ankesa për politizimin e këshillave

  • 29 June 2016 - 17:37
Ankesa për politizimin e këshillave

Votuesit, ata që zgjedhin, shumë herë deri më tash janë ankuar se, ndryshe nga koha e fushatës parazgjedhore kur të kandiduarit premtojnë se do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me elektoratin dhe se do të luftojnë për realizimin e kërkesave të tyre reale, pas zgjedhjeve të zgjedhurit disi po i harrojnë ata! Kjo ndodh si në nivelin qendror ashtu edhe në atë komunal, shkruan gazeta Kosova Sot.

Kështu, shumë kërkesa të qytetarëve këshilltarët e zgjedhur komunalë nuk i përcjellin aty ku duhet, në institucionet vendimmarrëse komunale! Shih për këtë, shumë aktivistë të bashkësive lokale të komunës së Gjakovës duket se e kanë kuptuar se ndikimi i tyre në politikat e qeverisjes komunale mund të jetë shumë më i madh nëse ata do të jenë më aktivë në Këshillat Lokale (KL), ku, në fakt, do të duhej të fillojë përcaktimi i politikave qeverisëse të një komune.

Depolitizimi, dëshirë apo realitet?!

Kjo qasje e re, si duket, ka ndikuar që të rritet dukshëm interesimi i gjakovarëve, në qytet dhe në zonat rurale, që të zgjedhin dhe të jenë të zgjedhur në Këshillat Lokale, ku procesi zgjedhor ka përfunduar këto ditë. Këtë e thotë edhe Luan Gola, kryetar i komisioni komunal për udhëheqjen dhe koordinimin e këtyre zgjedhjeve. "Kujtoj se ka qenë një proces mbresëlënës, si për nga rregullsia ashtu edhe për nga interesimi. Sipas vlerësimit të organizatës "Demos", që ka qenë bashkorganizatore e këtij procesi, interesimi në Gjakovë ka qenë më i madhi në Kosovë.

Në tubimet zgjedhore të 30 KL-ve kanë marrë pjesë rreth 3.400 veta, që është disa herë më shumë se në zgjedhjet paraprake. Duhet pranuar se na ka brengosur pjesëmarrja e vogël e femrave, pasi janë evidentuar më pak se 200 femra pjesëmarrëse në këto tubime", ka thënë për gazetën Gola, duke shtuar se kujdes i posaçëm i është kushtuar de politizimit të këtyre zgjedhjeve. "Ministria kishte hartuar një rregullore lidhur me këtë çështje dhe të gjitha subjektet politike, përjashto në një apo dy raste, i janë përmbajtur kësaj rregulloreje", ka thënë Gola. Por, ja që jo të gjithë pajtohen me këtë konstatim, pasi zyrtarët partiakë tashmë kanë filluar të bëjnë bilancin se sa prej KL-ve i ka fituar partia e tyre. Këtë e ka thënë edhe një zyrtar i lartë i degës së AAK-së në Gjakovë, duke vlerësuar se partia e tyre ka fituar më shumë se 65% të KL-ve, por e ka konfirmuar edhe këshilltarja komunale nga kjo parti, Violeta Dema. "Ne të AAK-së jemi të kënaqur me këtë proces zgjedhor, pasi anëtarët tanë kanë fituar në shumicën e KL-ve", ka thënë Dema.

Politika bëhet në bazë, jo përmes 'Facebook'-ut!

Rritja e numrit të pjesëmarrësve në tubimet zgjedhore, krahasuar me zgjedhjet paraprake, nuk dëshmon se angazhimi i aktivistëve, posaçërisht i të rinjve, nëpër KL-të, është i mjaftueshëm, e thotë Agon Batusha, këshilltar komunal nga 'Vetëvendosje'. "Është evidente se numri i pjesëmarrësve ka qenë më i madh se para tri vitesh, por megjithatë duhet thënë se vetëm rreth 3% të popullatës së komunës ka marrë pjesë në këtë proces, ndërsa pjesëmarrja e femrave prej vetëm rreth 0,25% është më shumë se brengosëse", ka thënë Batusha, duke parashtruar posaçërisht vërejtje për mosinteresimin e të rinjve për angazhim në këto procese."Fitohet përshtypja se thuajse të gjithë të rinjtë janë bërë analistë përmes 'Facebook'-ut, ndërsa nuk marrin mundin të shkojnë 50-100 metra nga shtëpia për të debatuar për problemet që e rëndojnë mjedisin ku ata jetojnë. Ky qëndrim indiferent i tyre është vërtet brengosës", ka thënë Batusha.

Sipas atyre, që e kanë përcjellë këtë proces, reagime të shpeshta të qytetarëve ka pasur lidhur me vendimin që në komunën e Gjakovës të zvogëlohet numri i KLve nga 39 në 30, që është bërë me qëllim që të eliminohen dallimet e mëdha në numrin e banorëve sipas KL-ve përkatëse. Sido që të jetë, këto zgjedhje kanë përfunduar dhe janë zgjedhur udhëheqësit e KL-ve, por, çka tutje. "Nëse vazhdon që kryetarët dhe anëtarët e KL-ve të mos respektohen sa duhet nga udhëheqësit komunalë, atëherë edhe efektet e këtyre zgjedhjeve nuk do të jenë aq të dallueshme", parasheh këshilltarja komunale, Saranda Hyseni. 

(Kosova Sot)