Auditori gjen dallavere në tenderë dhe staf në Komunën e Mitrovicës Veriore

  • 29 June 2016 - 18:02
Auditori gjen dallavere në tenderë dhe staf në Komunën e Mitrovicës Veriore

Komunat me shumicë serbe po dalin të jenë më problematiket në shpenzimin e buxhetit, sipas raportit të Auditorit për vitin 2015.

Komuna e Mitrovicës së Veriut kishte shpallur një tender “Furnizimi me aparaturë mjekësore”, ku vlera e tenderit ishte 600 mijë euro. Për këtë tender kishin aplikuar tri kompani që nuk i kishin plotësuar kushtet teknike, sepse nuk kishin dorëzuar dosjet origjinale të tenderit.

“Komuna ka udhëhequr procedurat e prokurimit për projektin dyvjeçar “Furnizimi me aparaturë mjekësore për nevojat e institucioneve shëndetësore në Mitrovicën Veriore” të financuar nga Ministria e Shëndetësisë me vlerë të planifikuar 600,000€. Gjatë auditimit të dosjes së tenderit për këtë projekt, ne kemi identifikuar dobësitë në vijim: Tre ofertues nuk kishin dorëzuar dosjet origjinale të tenderit dhe ishin pranuar si të përgjegjshëm; Komuna kishte lidhur një kontratë kornizë me një operator për të tri Lotet pa e vendosur çmimin e furnizimeve në Nenin 4 të kontratës. Në vend të çmimit, në kontratë ishte vendosur teksti nga shablloni i kontratës ku thuhet “4.1 Çmimet njësi të furnizimeve janë paraqitur në Ofertën Financiare, Lista e Çmimit e paraqitur nga Furnizuesi”. Vlera e ofertës financiare në këtë rast ishte 441,170€; dhe  Komuna kishte tejkaluar vlerën e kontratës kornizë (441,170€) për 10,369€ mbi 30% të pragut të lejuar me UA 02/2015 për kontratat kornizë”, thuhet në raportin e ZAP-it.

Në kabinetin e Kryetarit të Komunës janë të angazhuar 8 të punësuar derisa numri i lejuar ishte 6, thuhet në raportin e ZAP-it.

7 zyrtar kanë marrë paga retroaktive në vlerë të përgjithshme prej 6,811€ ndërsa gabimisht janë regjistruar si shtesa, vazhdon raporti.

 “Menaxhmenti kishte marrë një vendim (të pashkruar) për të suspenduar pagat, por jo kontratat, për 599 punonjës në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë. Kjo, sipas menaxhmentit, ka ndodhur për shkak të rrethanave politike por nuk ishte në gjendje të ofrojë informata shtesë. Në anën tjetër, në këta dy sektorë janë rekrutuar 25 punonjës të tjerë të cilët paguhen nga buxheti i komunës; dhe  Dosjet e personelit janë të pakompletuara. Ne kemi gjetur se në këto dosje ekzistojnë vetëm kopjet e letërnjoftimit dhe llogarisë bankare”, thuhet në vendim.

Po ashtu kjo komunë ka dështuar t’i mbledh të hyrat thotë raporti.

“Pavarësisht vendosjes së disa kontrolleve ekzistuese mbi të hyrat, një planifikim i mirëfilltë dhe mbledhja e tyre nga të gjitha burimet vazhdon të jetë sfidë për komunën. Realizimi i ultë kundrejt planit (vetëm 30%) ka ndodhur për shkak të dështimit të komunës në mbledhjen e të hyrave nga tatimi në pronë, lejet e ndërtimit dhe taksat tjera komunale”.

(Kosova Sot)