Mafio-oligarkëve po u shtrëngohet laku në fyt

  • 30 June 2016 - 08:01
Mafio-oligarkëve po u shtrëngohet laku në fyt

"Qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se janë ata që me votën e tyre duhet ta rrëzojnë krimin nga pushteti dhe se kjo është forma e vetme dhe s'ka asnjë tjetër. Edhe po të bëhej ndonjë 'revolucion', sërish vota do të jetë ajo që do të vendosë se kush do ta udhëheqë Kosovën. Dominimi i krimit dhe korrupsionit e vë në shërbim të tyre drejtësinë në Kosovë", është shprehur deputeti Adem Salihaj.

Dibrani: Politikëbërësit janë shtresa me më pak dinjitet.

Mospengimi për asnjë çast i politikanëve dhe pushtetarëve tanë drejt pasurimit të tyre të paligjshëm e kanë sjellë vendin buzë dështimit të plotë dhe drejt greminës në çdo sferë jetësore. Pa dyshim se ata asnjëherë nuk do të mund të arrinin tërë këtë pasuri marramendëse dhe të pajustifikueshme ligjërisht, nëse turrin dhe zhvatjet e tyre do t'i ndalonin me kohë njerëzit e drejtësisë në Kosovë, të cilët jo vetëm që dështuan ta bënin këtë, por ata madje i mbyllën sytë, e mbase edhe u implikuan vetë në këtë lojë të pistë, që lejuan mafio-politikanët të pasurohen me pasurinë publike pa i prekur askush. Këta pushtetarë përfituan nga kaosi në fushën e (pa)drejtë- sisë. Por, në tërë këtë situatë të rëndë dhe të mjerueshme, në të cilën ka rënë vendi ynë, është shtruar edhe pyetja se a ka ndonjë shpresë që më në fund Prokuroria e Shtetit të mobilizohet dhe të veprojë e të godasë fuqishëm, që kësisoj në këtë vend njëherë e përgjithnjë të sundojë ligji i së drejtës, e jo anarkia. 

Salihaj: Asnjë shtet nuk mund të vendosë rend dhe ligj nëse politika është e inkriminuar Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet, LDK-ja, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se është shpresuar shumë në Prokurorinë e Shtetit, por që, sipas tij, këto shpresa po dalin të kota. Salihaj në këtë drejtim ka nënvizuar se përfundimisht duhet parë se nuk mund të vendoset shteti i ligjit në një shtet ku sundojnë mafio-politika dhe oligarkia ekonomike. "Këto janë kushte themelore, pasi në asnjë shtet nuk mund të vendoset rend dhe ligj nëse politika është e inkriminuar. Andaj, qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se janë ata që me votën e tyre duhet ta rrëzojnë krimin nga pushteti dhe se kjo është forma e vetme dhe s'ka asnjë tjetër. Edhe po të bëhej ndonjë 'revolucion', sërish vota do të jetë ajo që do të vendosë se kush do ta udhëheqë Kosovën. Dominimi i krimit dhe korrupsionit e vë në shërbim të tyre drejtësinë në Kosovë dhe drejtësia punon për ata e jo për qytetarin e Kosovës", është shprehur deputeti Adem Salihaj. 

"Një ditë Prokuroria do të kthjellet" Analisti Shefqet Dibrani mendon se për këtë gjendje kaq të pashpresë 'merita' i takon pikërisht drejtësisë sonë, derisa, sipas tij, edhe prokurorët dhe gjyqtarët janë treguar neglizhues dhe jo të guximshëm përballë kësaj situate. Sipas tij, ata tashmë janë nëpër vende kyçe, për të cilat nuk janë kompetentë, por për më keq, siç duket, edhe janë të zhytur në gjëra të ndaluara me ligj. Dibrani thotë se ky fenomen është mjaft i dhembshëm, ngase për fatin tonë të keq historia veçse po shkon duke u përsëritur. "Politikëbërësit janë shtresa me më pak dinjitet, pasi çdo gjë po varet nga sistemi politik çfarë e kemi në Kosovë. Ndërsa, oligarkët politikë kanë ditur si duhet që ta pushtojnë vendin, fillimisht duke i bërë bashkë- fajtorë prokurorët dhe sistemin e drejtësisë, për të cilin thuhet se u kap nga shteti". Por, pavarësisht kësaj gjendje shumë të rëndë dhe të pashpresë në drejtësi, Dibrani thotë se është optimist se një ditë prokuroria do të kthjellohet e bashkë me ta edhe strukturat përcjellëse të sigurisë shtetërore, që më pastaj, siç tha, "e mira të shtrihet edhe në sistemin arsimor,pedagogjik kulturor, për të ndikuar drejtpërdrejt në sistemin ekonomik e shëndetësor dhe reformat duhet të shtrihen deri në cepin më të largët që ka Kosova". (Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)