Haxhinasto takon Merkelin: Samiti i Parisit, angazhim konkret i BE-së për rajonin

  • 30 June 2016 - 11:29
Haxhinasto takon Merkelin: Samiti i Parisit, angazhim konkret i BE-së për rajonin

Gjatë vizitës së tij në Berlin, ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, mori pjesë në takimin e “Shoqatës së Sipërmarrësve Gjermanë”, ku pjesëmarrës janë 3000 nga kompanitë më të mëdha të Gjermanisë. Në takim u diskutua për sfidat e ardhshme të industrive kryesore gjermane në tregun evropian dhe atë botëror, veçanërisht në drejtim të rritjes së konkurrueshmërisë dhe produktivitetit.

Gjatë punimeve të forumit, Haxhinasto pati një takim të shkurtër me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Siç njofton zyra e shtypit, biseda është fokusuar në procesin e Berlinit dhe impaktin e tij për Shqipërinë.

Kancelarja Merkel theksoi se Samiti i Parisit i 4 korrikut, organizohet pikërisht për të rishprehur angazhimin konkret të BE-së për vendet e rajonit të Ballkanit.

Një ngjarje e tillë si Samiti i Parisit, ku pritet të deklarohet zyrtarisht një grant evropian për ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës, është shumë e rëndësishme, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve brenda BE-së, pas referendumit britanik për daljen prej tij.

(Kosova Sot)