Kelmendi: LDK-ja tenton të blejë kohë, duke shtyrë zgjedhjet

  • 30 June 2016 - 14:45
Kelmendi: LDK-ja tenton të blejë kohë, duke shtyrë zgjedhjet

Konfliktet dhe problemet janë të mëdha. Kjo Qeveri është treguar e padenjë, por se interesat janë të mëdha të partive në koalicion, në mënyrë që të bëhen kompromise dhe të kemi ndonjë zgjidhje sido-kudo. Po, natyrisht që kështu nuk mund të ecet. Koalicioni do të bjerë dhe në pyetje është vetëm koha", shprehet profesori Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

Për Kelmendin ka gjasa shumë reale që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme në vitin e ardhshëm, mu në kohën kur vendi i ka zgjedhjet lokale, në mënyrë që të dy palë zgjedhjet të mbahen në të njëjtën kohë. "Në këtë rrugë është duke punuar PDK-ja. Ndryshe mendon LDK-ja, që ka interes të stabilizohet politikisht. Kësaj nuk i interesojnë fare zgjedhjet e reja, sepse do të humbë shumë në përqindje, prej nga ka mundësi të bjerë partia e tretë apo e katërt me rezultat. Pra, tani për tani vetëm LDKja ka nevojë për kohë, sepse mendohet që me blerje kohe do t'i shërojë plagët që klika e Isa Mustafes ia ka shkaktuar kësaj partie, që nga koha e krijimit të koalicionit, sepse që nga ajo kohë kjo parti, pra LDK-ja, është shndërruar në parti që qëndron në bisht të ngjarjeve, që vetëm i shkon prapa PDK-së", tha Kelmendi.

Ai ka pohuar se situata është shumë më stabile në PDK dhe subjektet e tjera opozitare, prandaj shkuarja në zgjedhje të reja është në favor të tyre. "Është krejt tjetër situata me PDK-në. Kjo parti i bën analizat dhe e ka një elektorat shumë stabil. PDK-ja është duke punuar në rregullimin e strukturës udhëheqëse, kuptohet pasi që Kadri Veseli ka dalë në krye të partisë. Kësaj udhëheqje të re me Kadri Veselin kryetar i duhet kohë për t' u stabilizuar, si në udhëheqje, ashtu edhe në vijën politike dhe në rehatimin e njerëzve në politikë dhe nëpër borde e Qeveri.

 Pritet që kjo çështje të përfundojë brenda disa muajve, mund edhe të zgjasë deri në një vit. Sido që të jetë, ky stabilitet i brishtë politik gjithsesi që do të shpie tek prishja e koalicionit dhe shkuarja në zgjedhje të reja, sepse shihet ashiqare që brenda koalicionit ka një luftë të ashpër dhe shumë të rrezikshme, gjë që e bën koalicionin shumë të brishtë dhe shumë shpërthyes", u shpreh Kelmendi 

(Kosova Sot)