Kamenica ndryshon rregulloren për mbrojtjen e fëmijëve

  • 30 June 2016 - 15:26
Kamenica ndryshon rregulloren për mbrojtjen e fëmijëve

Organizata Joqeveritare (OJQ) “NetworkofPeaceMovement” (NOPM) në kuadër të projektit “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në vendim-marrje përmes harmonizimit të rregulloreve komunale me legjislacionin në fuqi”, që menaxhohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe financohet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) ka mbajtur dje, në Kamenicë, konsultimin e tretë publik me qytetarë në bashkëpunim me anëtarët e grupit punues për hartimin e Rregullores për mbrojtjen e fëmijëve nga dukuritë që e dëmtojnë shëndetin dhe zhvillimin e tyre.

Takimi u hap nga konsulentja e NOPM-së, Besime Tusha, e cila i njoftoi qytetarët për qëllimin e projektit si dhe bashkëpunimin me Drejtorinë e Administratës së Përgjithshme, përkatësisht Drejtorinë dhe Komisionin punues për ndryshimin dhe hartimin e kësaj rregullore. Pastaj fjalën e mori kryesuesja e grupit punues, koordinatorja për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, e cila e shpjegoi dhe elaboroi me gjerësisht rregulloren.

Gjatë sqarimit të ndryshimeve në këtë rregullore u veçua çështja e gjobave dhe përkufizimeve, me theks të veçantë përkufizimin e lokaleve afariste, si dhe përcaktimin e moshës se fëmijëve ne disa raste (neni 2, 4, 6).

Qëllimi i këtij debati publik ishte përfshirja e qytetarëve, veçanërisht grupeve të interesit, në plotësimin dhe ndryshimin e kësaj rregullore në bazë të sugjerimeve të tyre, të cilat mund të përfshihen në rregullore në bazë të legjislacionit në fuqi. OJQ NOPM përmes konsulentit ka lehtësuar këtë takim publik me qytetare dhe së bashku me grupin punës që ka qenë pjesë e panelit gjatë diskutimeve publike.

Të pranishmit patën mundësinë të ofrojnë sugjerimet, propozimet dhe komentet e tyre lidhur me rregulloren si dhe të diskutojnë çështje të ndryshme të rregullores të cilat kanë qenë me interes për ta.

Në debat publik kanë marrë pjesë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve pjesëmarrës duke përfshirë qytetarë nga komuniteti shqiptar dhe serb, student, përfaqësuesit e organizatave te shoqërisë civile, dhe mediave, te rinjtë, grupit të grave dhe zyrtarë komunalë, shqiptarë e serbë.

(Kosova Sot)