Rebelohet Daçiç, e konsideron të turpshëm vendimin e BE-së

  • 30 June 2016 - 16:08
Rebelohet Daçiç, e konsideron të turpshëm vendimin e BE-së

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, është shprehur se ndihet i tronditur nga vendimi i BE-së për të mos hapur kapitujt 23 e 24.

Kryediplomati i Beogradit e konsideroi këtë vendim si të turpshëm, të pakuptueshëm dhe poshtërues për Serbinë.

Daçiç ka thënë se Serbia i ka përmbushur të gjitha ato që i janë kërkuar gjatë procesit të negocimit me BE-në, se është çelës i stabilitetit rajonal dhe se po bën përpjekje të mëdha në reforma që do të krijojnë një shtet modern evropian.

"Prandaj BE-ja duhet të ndërpresë arsyetimet tragjikomike”, citohet të ketë dhënë Daçiç.

Ai shtoi se kryeministri Aleksandar Vuçiç do të propozojë të mbahen konsultime urgjente rreth veprimeve të mëtejshme në fushën e politikës së jashtme në prag të Samitit të Parisit më 4 korrik.

(Kosova Sot)