Me kartën e nacionalizmit opozita nuk vjen në pushtet

  • 30 June 2016 - 07:56
Me kartën e nacionalizmit opozita nuk vjen në pushtet

"Kufizimi i opozitës në vetëm dy çështje të shumëpërfolura, si Asociacioni dhe Demarkacioni, tregonte për një vizion tejet të ngushtë. Unë nuk kam dëgjuar ndonjëherë që kjo opozitë të kundërshtojë, që pa pasur ligj të dekriminalizimit, reformë zgjedhore dhe mosgarantimin e mëtutjeshëm të vendeve për komunitetet, të mos shkohet në zgjedhje", është shprehur analisti Albrim Badallaj.

Ramadani: Ardhja në pushtet e një opozite pa kauzë ndjek rrugën e opozitës .

P ërqendrimi i tri partive politike opozitare, në kundërshtimin e dy marrëveshjeve të vetme, të cilat Qeveria e koalicionit PDK -LDK i ka firmosur për Asociacionin dhe Demarkacionin me Malin e Zi, sipas analistëve politikë, nuk janë kauzë për ta bindur qytetarin që të rreshtohet mbas opozitës dhe ta rrëzojë këtë qeveri të interesave të ngushta të klientelave të mëdha të oligarkëve politikë. Po mbushen plot dhjet muaj nga fillimi i kundërshtimit opozitar, vetëm i 'Zajednicës' dhe Demarkacionit me Malin e Zi, si dy pretekste për ta rrëzuar Qeverinë, por me këtë kauzë analistët politikë thonë se është përpjekje e kotë dhe nuk mund të vihet në pushtet derisa nuk shoqërohet ky kundërshtim edhe me një program të qartë për ndaljen e degradimit të më tejmë të Kosovës, për një sundim të fortë të ligjit, ndaljen e zhvatjes së mëtutjeshme të Kosovës me anë të korrupsionit. Analisti politik, Albrim Badallaj, thotë se fati në fatkeqësi për pozitën është se tani realisht kemi dy opozita, të dyja pa program dhe kauza të forta bindëse, atë që synon sa më parë të vijë në pushtet me njërën nga partitë aktuale në mazhorancë dhe opozitën tjetër, e cila synon të vijë në pushtet e vetme, apo me njerëz të cilët janë të "pa përlyer" nga pushteti. Kjo është një arsye që edhe opozita nuk i jep shpresë qytetarit. 

Janë kërkuar zgjedhje pa platformë qeverisëse Sipas Badallajt, kjo opozitë edhe kur ishte e bashkuar një pjesë e saj u tregua tejet pushtetdashëse, edhe pse votat dhe përkrahja ndaj tyre nuk ekzistonte aq sa duhej për t'i prirë një koalicioni të gjerë opozitarësh."Kufizimi i opozitës në vetëm dy çështje të shumë përfolura, si Asociacioni dhe Demarkacioni, tregonte për një vizion tejet të ngushtë. Në rast se do t'i arrinin synimet e tyre, çka pastaj ? Unë nuk kam dëgjuar ndonjëherë që kjo opozitë të kundërshtojë, që pa pasur Ligj të dekriminalizimit, reforme zgjedhore dhe mosgarantimin e mëtutjeshëm të vendeve për komunitetet, të mos shkohet në zgjedhje. Gjatë tërë kohës janë kërkuar zgjedhjet, por në të njëjtën kohë nuk është ofruar platforma qeverisëse që synohet të implementohet nga ky grup", është shprehur Badallaj për "Kosova Sot". Sipas tij, Kosova ka pasur 1001 pretekste për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme, mirëpo margjinalizimi në vetëm dy çështje, të cilat kuptohet që janë tejet të dhimbshme, pa i ofruar popullit alternativën, nuk garantonin ndryshimin e shumëpritur nga qytetarët. Ai ka pohuar se pika kyçe, ku opozita ka gabuar ka qenë edhe dhuna në Kuvend dhe ftohja e raporteve me përfaqësuesit ndërkombëtarë të vendeve mike. 

Ramadani: Ndryshimi rrënjësor arrihet përmes reformës Joserioze dhe shumë sipërfaqësore e sheh në skenën politike opozitën kosovare, pa kauzë të mirë përpunuar, të pasuruar me shumë çështje të problemeve ditore, me të cilat ballafaqohen qytetarët, edhe analisti Adlum Ramadani."Mungesa e një kauze të kompletuar programore opozitare vjen në saje të lojës politike, të cilën janë duke e luajtur ata, me prapaskena nacionaliste, por që edhe ato kanë filluar të marrin ngjyrë tjetër. Ndryshimi rrënjësor arrihet përmes reformës dhe reforma arrihet vetëm përmes inkuadrimit në skenë politike e liderëve të rinj, të cilët kanë vullnetin dhe përkushtimi për t'i shërbyer interesave kombëtare pa iu dridhur qerpiku nga 'shefi i partisë'. Ardhja në pushtet e një opozite pa kauzë pa dyshim se do të ndjekë të njëjtën rrugë sikurse pozita", është shprehur Ramadani. Ndryshe analisti politik, Nexhmedin Spahiu, pohon se edhe kjo opozitë në një mënyrë është produkt i vetë mentalitetit politik të qytetarëve të Kosovës që nuk po vetëdijesohen sa duhet."Problemi është tek vetë elektorati, i cili është më shumë i pirur drejt misteriozes e të papriturës se sa ndaj të njohurës e konkretes. Është një kombinim i habitshëm mes frikacakëve dhe aventurierëve", shprehet Spahiu për "Kosova Sot". Profesori universitar, Blerim Burjani, pohon se me veprimet e veta pozita ka dashur ta degradojë sundimin e partive opozitare me tema vetëm të aspektit të interesit kombëtar, pra duke e degraduar pushtetin kombëtarisht, përderisa agjenda e bisedimeve si dhe demarkacioni dalin komponent i agjendës ndërkombëtare në kuadër të obligimeve rajonale dhe ndërkombëtare. "Pra, ky ishte gabim strategjik, në vend që kjo opozitë të kishte bërë së pari agjendë me problem të përditshme qytetare, për interesa qytetare, siç është lufta kundër korrupsionit, nepotizmit, zhvatjen dhe plaçkitjen e buxhetit përmes rritjes së pagave dhe rritjes enorme të privilegjeve të zyrtarëve të shtetit", është shprehur Burjani

(Kosova Sot)