MPJ: “Reagimi i Malit të Zi, i ngutshëm”

  • 30 June 2016 - 19:25
MPJ: “Reagimi i Malit të Zi, i ngutshëm”

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës reagoi ndaj notës së protestës së Malit të Zi, për sjelljen, siç thuhej “provokuese”, në kufirin ndërshtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës vlerëson se reagimi i Malit të Zi ka qenë i ngutshëm dhe pa ndonjë arsye serioze për t’u shqetësuar sa i përket marrëdhënieve të ndërsjella.

Siç thuhet në reagim, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e siguron Malin e Zi se Kosova do të vazhdojë të kultivojë marrëdhënie të shkëlqyeshme dhe raste të tilla nuk i cenojnë këto marrëdhënie.
“Gjithçka do të zhvillohet në frymën e bashkëpunimit dhe dialogut të hapur”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Kosovës.

Rikujtojmë se një ditë më parë Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Integrimeve Evropiane e Malit të Zi i ka dërguar notë proteste Kosovës për vendosjen e flamurit shqiptar dhe tabelës me mbishkrimet “Republika e Kosovës” dhe “Mirë se vini” nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, siç thuhej në notë proteste, në territorin e Malit të Zi.

Në notën e protestës Podgorica i “tërhiqte vërejtjen Prishtinës” që në të ardhmen të ndalojë aktivitete të tilla, sepse me to po sfidojnë, siç thuhej, marrëveshjen e arritur për shënimin e vijës kufitare, të nënshkruar në Vjenë më 2015.

(Kosova Sot)