4 burra rrahin një grua në Berat, por policia nuk i pranon denoncimin

  • 30 June 2016 - 22:12
4 burra rrahin një grua në Berat, por policia nuk i pranon denoncimin

Sonte në emisionin investigativ “STOP”, në Klan është denoncuar rasti i dhunës barbare të ushtuar ndaj një gruaje, nga 4 burra. Bëhet fjalë për zonjën Ardiana Hasani nga qyteti i Beratit, e cila ka punuar si sanitare në kopshtin shtetëror “Çlirimi 2”.

Ajo ka denoncuar në “STOP” se është dhunuar nga 4 burra, me kërkesë të Drejtorit të Drejtorisë Arsimore Rajonale në Berat, Selman Hodaj.

Njëri prek dhunuesve, sipas saj, është dhe bashkëshorti i Drejtoreshës së kopshtit, ku Hasani ka qenë sanitare, Rreli Alushani.

Por ajo që është më e habitshmja në këtë histori, është se edhe sot, Adriana Hasani, e dhunuar me shkelma dhe grushte nga 4 burra, me shenja të dukshme në fytyrë dhe në trup, nuk ka në dorë as një raport mjeko – ligjor, sepse nuk e merr dot atë, as në Prokurori dhe as në Policinë e Beratit.

“Kam punuar si sanitare në Kopshtin “Çlirim 2” në Berat. Vajta për të rinovuar kontratën në Drejtorinë Arsimore dhe Drejtori i këtij institucioni, Selman Hodaj më tha që është problemi i pagesës. Çështja e pagesës do të zgjidhet për 3 – 4 ditë më tha, sepse është problem me Bashkinë, ose do të vinte urdhër nga Ministria. Pasi më sorollatën për 20 ditë dhe Drejtori më fshihej, shkoj për të marrë përgjigje dhe i them se do të iki ta kërkoj bashkë me shoqet e mia këtë të drejtë nëpër Ministri. Ai më tha se, nëse e bën këtë do të kesh probleme me mua, do të të heq qafe.”

Ju jeni goditur nga kush?
“Nga Selman Hodaj. M’i ka vënë mua ata persona nga pas. Njëri prej tyre është burri i Drejtoreshës, quhet Rreli Alushani dhe mi ka vënë Selmani. Ai është viktimë i Selman Hoxhës, bashkë me shokët e tij. Gjuanin dhe rrinin pa frikë fare. Gjuanin një shkelm, largoheshin dhe vinin prap. Dhe këto i ke të tëra nga Selman Hoxha, më thanë dhe këto janë sinjalet e para, se do të zhdukesh.”

Me çfarë të godisnin?
“Me grushta dhe shkelma”.

Keni bërë denoncim në Policinë e Beratit për dhunën e ushtruar nga burri i Drejtoreshës së kopshtit?
“Po bëra. Më thërriti shefi pastaj dhe ai poshtë. Dhe ky i fundit më tha kot që e vazhdon. Duhet të ishte thërritur personi në momentin që unë u sorollata dy orë nga policia, që të bënin denoncimin. Ata më thonin që nuk dinin si ta lidhnin.”

Po raport mjeko – ligjor?
“Vajta tek mjeku, por nuk më dha. Më panë shenjat, jam komplet e dhunuar edhe nga trupi. Vetëm pamja këtu (tregon nga fytyra) që tregon. Ai nuk më dha as raport asgjë. Do të vazhdojmë do ta ndjekim ne tha.”

Kur e keni bërë denoncimin?
“Më datë 2, në mëngjes, pas dy orësh që më rrahën, por nuk kam asnjë dokument. Nuk më dhanë kopje. Më thanë që mbahet aty, mjafton që i firmosa të gjitha. Ishte një inspektor i Krimeve, Tani, nuk ia di mbiemrin”.

Pas denoncimit në “STOP”, Hasani, me një kamera të fshehtë ka vajtur në tre institucionet përkatëse, për të kërkuar këtë raport.

Në Policinë e Beratit, për të kërkuar një raport mjeko – ligjor, ku policia e “përcjellë” zonjën për në institucionin e Prokurorisë.
Ndërsa Prokuroria nuk pranon që t’i japë një kopje të këtij raporti, me pretendimin se duhet prania e avokatit.

E pas orvatjes së kotë në këto dy institucione, edhe mjeku ligjor, që ka bërë raportin, i thotë që është avokati ai që duhet të vijë ta marrë këtë dokument.

Programi “STOP” është interesuar tek ekspertët e fushës juridike, të cilët thonë se çdo qytetar që ka bërë një padi dhe ka bërë një ekspertizë mjeko – ligjore, duhet të këtë një kopje të këtij raporti, për ta paraqitur atë në çfarëdolloj instance.

(Kosova Sot)