VV i kundërpërgjigjet Mustafës: Për ty territori i Kosovës nuk është i rëndësishëm

  • 01 July 2016 - 10:03
VV i kundërpërgjigjet Mustafës: Për ty territori i Kosovës nuk është i rëndësishëm

Mbrëmë kryeministri i Kosovës, Isa Musafa ka përsëritur se Kosova duhet që ta bëj shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, kusht ky sipas tij, i vendosur nga Bashkimi Evropian që qytetarët të lëvizin pa viza.

Mustafa në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se nëse nuk bëhet demarkacioni Kosova do të humb shansin për të lëvizur pa viza dhe se ekziston rreziku që vendi të futet në një cikël ku individët mund të shkaktojnë incidente kufitare me një vend mik, anëtar të NATO-s.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi ka thënë se rreziku për tensionim të mëtutjeshëm të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi vjen për shkak të humbjes së mbi 8000 hektarëve tokë të Republikës së Kosovës.

Sipas tij, nuk mund të ketë raporte të mira fqinjësore në kurriz të njërës apo tjetrës palë dhe se këtë duhet ta kuptojë edhe Isa Mustafa e edhe qeveria e Malit të Zi.

“Por për Isa Mustafën nuk është i rëndësishëm territori dhe sovraniteti i Republikës prandaj jep deklarata të tilla absurde. Është e çuditshme se si për Isa Mustafën qenka prioritet miratimi i demarkacionit ndërsa asnjë veprim nuk e ndërmori në luftimin e krimit dhe korrupsionit që gjithashtu është kërkesë e BE-së për liberalizimin e vizave. Normalisht që luftimi i krimit dhe korrupsionit nënkupton pamundësimin e pasurimit të tij, djemve të tij dhe pushtetarëve të tjerë, prandaj nuk i konvenon një gjë e tillë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar për Indeksonline se demarkacioni nënkupton humbjen e territorit të Republikës së Kosovës, e një gjë e tillë nuk është problem për një politikan si Isa Mustafa.

“Megjithatë, sondazhet e fundit kanë dëshmuar që shumica dërmuese e qytetarëve nuk janë të gatshëm të japin territor për liberalizim të vizave. Ky vullnet duhet të respektohet dhe ne do të bëjmë çmos që ta mbrojmë këtë vullnet gjithëpopullor”, ka thënë tutje Krasniqi.

(Kosova Sot)