Theresa May udhëheq garën për lidershipin e Partisë Konservatore në Britani

  • 01 July 2016 - 13:17
Theresa May udhëheq garën për lidershipin e Partisë Konservatore në Britani

Theresa May, ministrja e Brendshme e Britanisë, e cila shpalli kandidaturën për të drejtuar Partinë Konservatore, po shton gjithnjë e më shumë mbështetjen e saj. Dy emrat më të fundit që janë rreshtuar krah saj janë ministri i Mbrojtjes, Michael Fallon dhe ai i Transportit, Patrick McLoughlin.

Mediat britanike shkruajnë se Theresa May ka marrë më shumë mbështetje nga deputetët konservatorë sesa 4 kandidatët e tjerë për postin e liderit të partisë dhe sigurisht atë të kryeministrit. Rivalët e May janë Michel Gove, Rivals Stephen Crabb, Andrea Leadsom dhe Liam Fox, por sipas analistëve, tërheqja nga gara e ish-krybashkiakut të Londrës, Boris Johnson, ia ka lehtësuar shumë punën ministres së Brendshme.

Kandidatët kanë kohë deri të martën për të grumbulluar sa më shumë mbështetje nga 329 deputetët konservatorë dhe ai me më pak vota do të eliminohet nga gara. Kështu do të vazhdojë derisa të mbeten vetëm dy kandidatë në garë dhe fituesi mes tyre do të zgjidhet nga vota e anëtarësisë më të gjerë të partisë.

Më 9 shtator do të merret vesh përfundimisht se kush do të udhëheqë Partinë Konservatore dhe Britaninë e Madhe. Ekspertët thonë se Theresa May duket figura më e përshtatshme për të marrë përsipër këto përgjegjësi dhe për të drejtuar vendin përmes sfidave me të cilat përballet. Kolegu dhe mbështetësi i saj Fallon tha se May është njeriu i duhur për të udhëhequr daljen nga BE-ja, për të rifituar sovranitetin dhe për të reduktuar emigrimin.

(Kosova Sot)