Krasniqi: Imazhin e shtetit e kanë dëmtuar partitë në pushtet

  • 01 July 2016 - 13:19
Krasniqi: Imazhin e shtetit e kanë dëmtuar partitë në pushtet

Analisti politik, Islam Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” thotë se de-fakto klasa politike e Kosovës tani vetëm është e izoluar dhe nuk është aspak paralajmërim kritika e ambasadorit amerikan se Kosova do të izolohet, sepse ne jemi të izoluar dhe nuk besoj që ka diçka që na izolon më shumë.

Analisti Krasniqi ka pohuar se faktori ndërkombëtar, veçmas SHBAja, mund të bëjë akoma më shumë për t'i izoluar në mënyrë individuale politikanët e korruptuar të këtij shteti dhe jo që të bashkëpunojnë me ta."Imazhin e kanë dëmtuar partitë në pushtet, të cilat me paaftësinë e tyre po e rrezikojnë interesin e vendit, të cilat s'po mund të mbajnë sovranitetin e shtetit ende nën kontroll. Ka ardhur koha që qytetarët e Kosovës t'i thonë mjaft këtij sistemi jonjerëzor, i cili për interesa personale nuk njeh nënë as babë, e mos të flasim për ligjet, të cilat i kanë shkruar në letër dhe i kanë futur nën këmbë", thotë Islam Krasniqi për "Kosova Sot".

Ai ka pohuar se nuk beson që opozita e ka dëmtuar imazhin e vendit, edhe pse veprimet e tyre që ndërmerreshin ishin një pasqyrë e thyer për kohën aktuale, por kishin qenë të drejta ato veprime.

"Ndryshe, sikur opozita të ishte më e sjellshme, sot Malit të Zi do t'i ishin falur 8000 hektarë dhe do të t'u jepej edhe autonomia serbëve edhe në pjesët e tjera, të banuara me serbë, me ratifikimin e Asociacionit, sepse pjesa veriore ketë autonomi e ka që nga paslufta", thotë Krasniqi.

Sipas tij, këto institucione, kjo klasë politike, e kanë humbur kretibilitetin, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.  

(Kosova Sot)