Ministria masakron buxhetin për subvencione e grante

  • 01 July 2016 - 07:29
Ministria masakron buxhetin për subvencione e grante

Keqpërdorime të mëdha ka gjetur ZAP-i në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural

ZAP-i: Disa fermerë janë paguar nga dy-tri herë

"Në këtë Ministri nuk ka ndonjë kontroll se në cilat adresa dhe a po shkojnë me të vërtetë subvencionet, grantet dhe ndihmat e tjera nga Ministria e Bujqësisë", u shpreh deputeti Haxhi Shala, i cili ka shfaqur dyshimin se ato grante nuk po shkojnë te bujqit dhe blegtorët e vërtetë, por tek individët që janë të lidhur me pushtetin

Raporti ZAP-it, i publikuar ditë më parë për Ministrinë e Bujqësisë dhe Pylltarisë, ka evidentuar keqmenaxhim të madh të parasë publike në këtë Ministri. Shkeljet më të mëdha janë bërë te subvencionet dedikuar fermerëve kosovarë. Të gjeturat e ZAP-i specifikojnë se grantet bujqësore dedikuar për fermerët kosovarë u keqpërdoren në masë të madhe nga krerët e kësaj Ministrie. Aty thuhet se disa nga fermerët janë paguar edhe nga dy- tri herë. "Ne tërheqim vëmendjen tuaj për faktin se procesimi i pagesave të subvencioneve për vitin 2015 është përcjellë me parregullsi të caktuara që lidheshin me pagesa të dyfishta ndaj përfituesve dhe me kontrolle joefikase në shqyrtimin e aplikacioneve të fermerëve", thuhet në raportin e ZAP-it. Aty thuhet se ministri i MBPZHR-së është përgjegjës për të siguruar mbikëqyrjen e procesit të raportimit financiar të Ministrisë. Sipas raportit të Auditit, në vitin 2015 gjatë procesimit të pagesave për subvencione (pagesat direkte) nga thesari janë vërejtur disa parregullsi:"Nga procesimi i pagesave për kultura - perime në fushë të hapur - 352 përfitues ishin paguar nga dy herë gabimisht. Vlera totale e mbipaguar gabimisht ishte 247,047 euro. Mbipagesat ishin si pasojë e gabimeve në Thesar", thuhet aty. Në rastin tjetër, sipas ZAP-it, gabimet gjatë procesimit të pagesave nga thesari janë vërejtur edhe te Lista e proceduar për blegtori që kishte 255 përfitues dhe është dashur të realizohet në shumën totale 165,993 euro. "Megjithatë, nga transaksioni i ndodhur e tërë shuma iu kishte transferuar gabimisht vetëm dy përfituesve të parë në listë", thuhet aty. "Testimet tona kanë identifikuar se në të gjitha listat e fermerëve ka gabime për disa fermerë sa i përket numrit të llogarisë së përfituesve. Kjo ka ndodhur si pasojë e kontrollit joadekuat me rastin e përgatitjes së listave për pagesë nga AZHB-ja", thuhet në raport. Tutje, në raport shtohet: "Mangësitë e paraqitura në realizimin jo të rregullt të buxhetit për shkak të gabimeve në pagesa për përfituesit e cekur më lart duken mjaft shqetësuese. Kjo do të rezultojë në mosarritjen e objektivave të organizatës, në keqmenaxhim të parasë publike, pasiguri dhe vonesa të pagesave dhe në dëmtim të reputacionit të Ministrisë ndaj përfituesve për subvencione dhe grante", shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Nuk ka pasur kontrolle te grantet

ZAP-i ka gjetur shkelje edhe te subvencionet e transferet. "Nga testimi i vlerësimit të aplikacionit dhe dëshmive për përfitimin e grantit "Ujitja e Tokave Bujqësore" në vlerë 160.000 euro, kemi vërejtur parregullsi në poentimin e përfituesit. Në fakt, në pikën e parë të vlerësimit 4 përfituesi është poentuar me 5 pikë, edhe pse sipas kritereve përzgjedhëse nuk i ka takuar asnjë pikë. Pastaj te pika tjetër lidhur me dëshmitë për "numrin e fermerëve të tjerë që do të përfitojnë nga ky projekt është bërë llogaritja me pikë maksimale 20 pikë, ndërsa nuk kishte dëshmi se nga ky investim do të përfitojnë edhe të tjerët. Poentimi në këto dy aspekte të vlerësimit ka qenë kritik për përzgjedhjen e fituesit", thuhet në raport. Ndër rekomandimet që jep Auditi thuhet: Ministri dhe Kryeshefi Ekzekutiv duhet të sigurojnë që vlerësimi i aplikacioneve për grante bëhet në bazë të kërkesave dhe dokumentacionit të paracaktuar, notimi mbështetet në analizat e dokumentuara dhe si përfitues përzgjidhen aplikuesit më të përshtatshëm për arritjen e objektivave të synuara. Auditori vëren se nuk ka pasur kontrolle te grantet. "Nga të dhënat e kontrollit në ministri (AZHB) monitorimi i grandeve nuk jep siguri se janë realizuar kontrollet e duhura sipas UAsë. Në vitin 2015, divizioni i kontrollit në terren (në kuadër të AZHB-së) kishte bërë vetëm 17 kontrolle për projektet e viteve 2013-2014. Bazuar në numrin e madh të miratimit të granteve, niveli i kontrolleve të tilla konsiderohet i pamjaftueshëm për mbulimin e të gjitha projekteve të subvencionuara. Për më tepër, kjo është e nevojshme, pasi kontrollet e aplikuara në vitin 2015 kishin identifikuar parregullsi rreth përmbushjes së kontratës nga ana e fermerëve si dhe shitje të mjeteve të subvencionuara nga Ministria", thuhet në raport.

Opozita akuzon ministrin e PDK-së

Deputeti Haxhi Shala (Nisma për Kosovën), kryetar i Komisionit për Bujqësi në Kuvendin e Kosovës, thotë se auditimi i ZAP-it është real, sepse 30 për qind e granteve, subvencioneve, etj. shkojnë në rrjetin e mafisë së nëntokës të lidhur me individë të kësaj partie. "Në këtë Ministri nuk ka ndonjë kontroll se në cilat adresa dhe a po shkojnë me të vërtetë subvencionet, grantet dhe ndihmat e tjera nga Ministria e Bujqësisë", u shpreh ai, duke shfaqur dyshimin se ato grante nuk po shkojnë te bujqit dhe blegtorët e vërtetë, por tek individët që janë të lidhur me pushtetin. Kurse deputeti Salih Salihu, nga Lëvizja "Vetëvendosje!", thotë se të dhënat e auditimit në këtë Ministri janë shumë reale, bile të buta. "Kjo sepse nëse dikush fiton një grant prej 100 mijë eurove nga kjo Ministri, duhet që 20-30 për qind e kësaj shume t'i jepet personit që e ka ndarë këtë fond, përkatësisht partisë që e përfaqëson atë Ministri", thotë deputeti Salihu. Ai thotë se kanë informata edhe nga Ministria, por edhe nga bujqit, që thonë se ka keqpërdorime të ndihmave të kësaj Ministrie, sepse kanë gjetur një formë të mirë të bashkëpunimit, duke e kërkuar hisen e tyre me rastin e shpërndarjes së këtyre ndihmave dhe mjeteve nga aplikuesit për grante. "Kjo bëhet nga individët që janë në vendimmarrje për ndarjen e këtyre ndihmave. Tashmë ky rrjet është krijuar dhe për pasoja nuk mund të marrësh grante po qe se nuk ke dikë në atë komision që t'i japësh një pjesë të këtyre mjeteve që i përfiton", ka thënë ai. Salihu shprehet se zakonisht në këto raste përfitojnë fermerët matrapazë . " Edhe kur janë ndarë ministritë, ka qenë PDK-ja ajo parti që ka insistuar që ta marrë këtë Ministri, sepse tashmë ka më shumë buxhet se në të kaluarën, sepse grantet e ndara janë edhe fonde në drejtim të përfitimit të votës", ka thënë Salihu. 

Keqpërdorime shumë të mëdha të fondeve të subvencioneve

Ndërsa, eksperti i fushës së ekonomisë, Ardian Nokaj thotë për "Kosova Sot", se është për të ardhur keq kur dëgjon për të dhënat që i ka paraqitur raporti i ZAP-it për Ministrinë e Bujqësisë. "Ato të dhëna në mënyrë shumë të qartë e konfirmojnë atë që dihet botërisht se në këtë Ministri ka pasur keqpërdorime shumë të mëdha të fondeve të subvencioneve", shprehet ai. Për Nokajn, e keqja më e madhe është se të gjeturat e auditorit po tregojnë se jo vetëm që kanë konstatuar që ka pasur keqpërdorime të subvencioneve, por grantet i kanë fituar disa njerëz të afërt të pushtetit, ku janë paguar nga dy-tre herë, e kjo me siguri ka shkuar për miqtë e zyrtarëve të lartë dhe militantët partiakë të PDK-së. Kreu i sindikatave të bujqve, Tahir Tahiri thotë se nuk ka fije dyshimi se grantet dedikuar fermerëve kosovarë po keqpërdoren, sepse në shumë raste ato grante po u ndahen më shumë atyre që japin ryshfet. Kryesindikalisti Tahiri thotë se në takimet e tij me fermerët ka marrë shumë ankesa për këtë çështje. "Janë njerëz të caktuar që dalin në terren dhe u garantojnë atyre që kanë aplikuar dhe u kërkohet 10 përqindëshi, e nganjëherë edhe 15 përqindëshi i grantit, të cilin duhet ta fitojë bujku", thotë Tahiri. Gjithashtu, sipas tij, janë të sakta faktet e ZAP-it, sepse zyrtarët që punojnë në Ministri në shumë raste u japin grante familjarëve të vet, jo vetëm një herë, por nga tri-katër vjet radhazi. Profesori i Fakultetit të Bujqësisë, Dr. Imer Rusinovci thotë se duhet të ketë shkallë të madhe të mbikëqyrjes nga mekanizmat ekzekutivë lidhur me grantet. "Nëse ato keqpërdoren, rezultati jo që do të jetë i prekshëm apo më i lartë, por përkundrazi gjendja do të përkeqësohet", thotë ai.  

 (KOSOVA SOT)