Erion Veliaj në Moskë

  • 01 July 2016 - 14:35
Erion Veliaj në Moskë

Më 30 qershor është hapur në Moskë Forumi i VI-të Ndërkombëtar Urban (mosurbanforum.ru), ku po merr pjesë edhe delegacioni shqiptar me në krye kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njofton përmes një kumtese Ambasada ruse në Tiranë, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Veliaj ishte ftuar dje në seancën plenare të Forumit me temë "Revolucioni teknologjik. Axhenda për menaxhimin e qyteteve", ku rrëfeu për përvojën e Bashkisë Tiranë në përmirësimin e infrastrukturës së kryeqytetit shqiptar, si dhe për aplikacionin "Tirana Ime" në veçanti.

Në kuadër të Forumit, Veliaj mbajti gjithashtu një takim me përfaqësuesit e Unionit të Qyteteve të Rusisë, me të cilët diskutoi mbi vendosjen e bashkëpunimit midis bashkive të dy vendeve tona.

Që nga viti 2011 Forumi Urban i Moskës mbahet nën kujdesin e Bashkisë së Moskës dhe mbledh ekspertë, arkitektë, përfaqësues të biznesit dhe institucioneve shtetërore nga vende të ndryshme me qëllim trajtimin e çështjeve dhe objektivave të urbanistikës moderne dhe dizajnimin e hapësirave komode urbane.

(Kosova Sot)