Fotoja me Obamën, Kryeministria mohon akuzat: Ja e vërteta

  • 01 July 2016 - 15:31
Fotoja me Obamën, Kryeministria mohon akuzat: Ja e vërteta

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi lajmet e publikuara dje lidhur me foton e tij me presidentin Obama dhe mbi shtetasin shqiptar që po gjykohet mbi financimin e fushatës elektorale të kandidatit.

Kreu i qeverisë thekson se ai nuk ka marrë pjesë në aktivitetet e Shefit të Shtëpisë së Bardhë dhe as nuk ka kryer asnjë pagesë për pjesëmarrje në aktivitete të tilla.

“Duke shprehur keqardhjen për manipulimin mediatik dhe propagandën e baltës lidhur me një foto të vitit 2012 me presidentin Obama, Kryeministri Edi Rama, sqaron se ai as nuk ka marre pjesë në ndonjë organizim elektoral të presidentit Obama dhe as nuk ka kryer ndonjë pagesë, për të marrë pjesë në një organizim të kësaj natyre. Sepse ligji amerikan ndalon përfshirjen e çfarëdolloji të shtetasve të huaj në fushate në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Komunikimit në Kryeministri.

Më tej në deklaratë thuhet se shtetasi i akuzuar, Bilal Shehu, është takuar me delegacionin, por nuk ka patur veprim financiar nga Edi Rama për të realizuar foton në fjalë.

"Bilal Shehu që sot po gjykohet në SHBA për çështjen në fjalë është pjesëtar i komunitetit shqiptar në New York dhe është takuar me delegacionin tonë në SHBA në vitin 2012. Por në mënyrë kategorike nuk ka patur asnjë lloj veprimi financiar nga ana e Edi Ramës për të realizuar fotografinë e takimit me Presidentin Obama.

Ndërkohë që duke përfituar edhe nga ky rast, kryeministri i bën thirrje edhe njëherë Lulzim Bashës të fokusohet te reforma në drejtësi dhe respektin e tij për drejtësinë në Shtetet e Bashkuara, ta tregoje duke mbështetur projektin kushtetues të Reformës në Drejtësi që është hartuar me kontributin e çmuar të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Edi Rama nuk ka frikë nga drejtësia, nuk ka frikë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të drejtësisë, nuk ka frikë nga pavarësia e anëtarëve që do të bëjnë Vetingun e gjykatësve e prokuroreve, po Lulëzim Basha me Sali Berishen pse i tremben faktit që ata që do të gjykojnë prokuroret dhe gjykatësit, do të përzgjidhen nga SHBA e BE?!

Është koha e të vërtetës për krimet, akuzat, gënjeshtrat dhe të vërtetën mund ta thotë vetëm një drejtësi e çliruar nga kthetrat e vendeve të rezervuara të partive në sistem. Edi Rama dhe shumica janë gati të heqin duart e partive nga sistemi, po Lulzimi, Saliu dhe Partia Demokratike pse nuk janë gati?!", vijon deklarata.

(Kosova Sot)