Morava rrezikon të mbetet një lumë i vdekur

  • 01 July 2016 - 19:04
Morava rrezikon të mbetet një lumë i vdekur

Haliti: Pothuajse çdo vit lumi derdhet përtej brigjeve të tij .

Gjashtë komuna të regjionit të lindjes preken nga ky lumë, që ka një gjatësi prej 50 kilometra në territorin e Kosovës ,shkruan Gazeta Kosova Sot

Gjashtë komuna të pjesës lindore të Kosovës kanë probleme me lumin Morava. Ato janë të paafta financiarisht ta rregullojnë shtratin e këtij lumi. Edhe Qeveria e Kosovë ka dështuar t`i rregullojë pesë kilometra shtrat të lumit Mirusha në qytetin e Gjilanit. E vetmja shpresë është te Komisioni Evropian. Për këtë qëllim, Agjencia për Zhvillim Rajonal - Lindje, që financohet nga Zyra e BEsë në Kosovë, ka organizuar para disa ditësh një tryezë në Gjilan, me kryetarë të këtyre komunave, për të diskutuar modalitetet e financimit të projektit rajonal "Morava", i cili brenda territorit të Republikës së Kosovës ka një gjatësi 50 kilometra. Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ky investim, për banorët e këtyre komunave ka domethënie me tepër se sa rregullimi i një lumi. Ky lumë është degraduar së tepërmi. Gjendje e njëjtë është në shumicën e lumenjve të Kosovës. Nga reshjet e mëdha të shiut, shpeshherë shkaktohen vërshime përgjatë gjithë pjesës nga kalon lumi Morava. Investimi në këtë projekt, zgjidh një problem rajonal në gjashtë komuna të kësaj ane. 

Nuk ia shohin hairin lumit Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, ka përmendur sfidat që mund të paraqitën gjatë realizimit të punimeve. Shtrati i lumit nuk është pastruar me dekada dhe në të ka plot pemë të rritura dhe vegjetacion tjetër që pengon lëvizjen e ujit dhe për më keq, ka hedhje të paligjshme të mbeturinave, të cilat kanë zvogëluar edhe më tepër shtratin, ka thënë ai. Haliti ka kërkuar ndihmë nga BE-ja që shtrati i këtij lumi të rregullohet sa më parë,që prej tij të mos kenë dëme më, por të kenë dobi nga një resurs i tillë për ofron mundësi për zhvillim ekonomik. "Pothuajse çdo vit lumi derdhet përtej brigjeve të tij dhe përmbyt zonat bujqësore, duke shkaktuar dëme milionëshe. Përmbytjet gjithashtu dëmtojnë edhe shtëpitë, rrugët, sidomos në lokalitete që janë afër rrjedhës", ka thënë Haliti. Sipas tij, studimi i fizibilitetit për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet që shkakton lumi Morava e Binçës janë kryer në shkurt të vitit 2014. Fatmir Matoshi, nënkryetar i Kamenicës, kërkon që edhe Krivareka dhe lumi i Hogoshtit të përfshihen në projektet e BE-së. Ai ka thënë se Kamenica është nënshkruese e kërkesës së bashku me gjashtë komunat. "Por, ne kërkojmë që në këtë projekt të përfshihen edhe dy degët e këtij lumi në territorin e Kamenicës, lumi i Hogoshtit dhe lumi Krivareka", ka thënë Matoshi. Christof Stock, shef i Zyrës së BE-së, pajtohet se ky projekt është në interes të këtij regjioni dhe thotë se këto komuna duhet të bashkëpunojnë mes vete dhe të kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që ta vendosë si prioritet, që të financohet nga fondet e IPA-së së BE-së. Sipas llogaritjeve fillestare, ky projekt do të kushtojë deri në 11 milionë euro

As peshqit nuk jetojnë më në këto ujëra Ndryshe, Lugina e Moravës, një vend me bukuri të rralla në regjionin e Gjilanit, i populluar që nga kohët më të hershme, burim i jetës me shekuj, rrezikon të kthehet në një luginë të vdekur nga vetë banorët e saj. Morava dhe degët e saj, dikur të njohura për nga llojllojshmëria e botës bimore dhe shtazore, tanimë është shndërruar në një lumë që bart me vete mbeturina dhe materie shumë të rrezikshme, të cilat nuk e cenojnë vetëm jetën e gjallesave të ujit, por rrezikojnë seriozisht edhe jetën e njeriut, përmes ujërave nëntokësore. Po ashtu, lloje të ndryshme shtazësh dhe bimësh, nuk gjenden më fare në këto ujëra të ndotura. Peshqit, si trofta mund të gjenden vetëm në pjesën e epërme të lumit, atje ku fillon rrjedha e Moravës, si një ndër grykat më të bukura, me peizazhe natyrore të krahasueshme vetëm me Lumëbardhin, Mirushën dhe Drinin e Bardhë. Lloje të tjera, si guaskat dhe gaforret, që dikur gjendeshin edhe nëpër qytezën e Vitisë, deri në afërsi të Gjilanit, tanimë janë zhdukur krejtësisht. Fat të njëjtë pati edhe bota bimore. Lloje të ndryshme bimësh, të ndjeshme ndaj ndotjes, janë zhdukur. E keqja më e madhe është se pas gjithë këtij degradimi qëndron njeriu, i cili me vetëdije, për shkak të egoizmit të tij, vrapimit pas të mirave materiale dhe ambicieve të tjera, po e çon botën drejt shkatërrimit. I brengosur për degradimin e natyrës, në një zonë tjetër, në Stanishor të Artanës, është edhe Osman Ibrahimaj. "Natyra do të na hakmerret për degradimin që po i bëjmë", thotë ai. Ibrahimaj, edhe në këtë moshë nuk i ndahet natyrës. "Kur jam në natyrë, nuk e ndjej fare pleqërinë dhe as vitet që kam", thotë ai. Në Stanishor, thotë ai, ka drurë të ndryshëm, lumenj e lule, ka shtigje për vrapim, vegla për ushtrime, ulëse për pushim. "E keqja është se ka njerëz që vijnë këtu, rrinë e pushojnë e kur ngrihen për të ikur, lanë pas vete gjithë mbeturinat. Ka edhe që hedhin mbeturina të ngurta skaj lumit, duke degraduar gjithçka të bukur në këtë vend", thotë Ibrahimaj. 

(Kosova Sot)