Zhvatësit e shtetit, të paturp para qytetarëve

  • 01 July 2016 - 07:32
Zhvatësit e shtetit, të paturp para qytetarëve

Lidershipi qeverisës nuk prodhoi stabilitet për gjithë këto vite

Hertica: Në çdo dikaster u instaluan të inkriminuarit dhe zhvatësit e shtetit 

Sipas analistit Albrim Badallaj, mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies nëpër institucionet tona, sikur është edhe privatizimi sa për dy grosh i aseteve të shtetit, zëvendësimi i subvencioneve të bujqësisë me asfalt, janë disa nga pikat ku tregohet se sa keq është qeverisur vendi nga vendorët

Për gjithë këto vite të pasluftës, lidershipi qeverisës nuk prodhoi stabilitet për Kosovën, perspektivë për qytetarin, por vetëm dështim dhe kriza te njëpasnjëshme, duke u shndërruar në një shtet jofunksional. Në krye të këtij shteti u instaluan politikanë e njerëz të drejtësisë së inkriminuar dhe të korruptuar. Sipas njohësve të zhvillimeve politike, për këtë dekadë e gjysmë, kjo kastë politike në pushtet nuk turpërohet as para ndërkombëtarëve për të zezat që i kanë bërë Kosovës për gjithë këto vite, edhe pse e futi Kosovën në listën e vendeve më të korruptuara në të gjitha raportet ndërkombëtare që publikohen në periudha të ndryshme kohore. Të gjitha këto të këqija janë arsye pse duhet t'i merret votëbesimi qytetar një kaste të tillë të papërgjegjshme njerëzish të kriminalizuar e të kontrabanduar në politikë. "Për situatën e cila po mbretëron në Kosovë, që nga paslufta e deri më sot, fajtor kryesor është klasa e brishtë politike, e cila e degradoi shtetin dhe shoqërinë, u ushqye me lakmi e babëzi megalomane për pushtet, me instalimin e njerëzve të paditur dhe të inkriminuar në organet drejtuese të shtetit, dhe duke neglizhuar të gjithë profesionistët, të aftët dhe intelektualët, shtresën shoqërore të dëshmuar për gatishmëri dhe aftësi institucionale. E gjitha kjo del si një rezultat i madh i instalimit korruptiv, sepse në çdo dikaster shoqëror e politik u instaluan të inkriminuarit dhe zhvatësit e shtetit", shprehet për gazetën analisti politik, Ali Hertica. Ai thotë se është kultivuar politika e nepotizmit, klaneve të bandave kriminale, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Krasniqi: Politikanët pa moral njerëzor dhe kombëtar

Ndryshe, politologu Faik Krasniqi pohon se i gjithë strumbullari i problemeve të kamufluara, që ndikojnë drejtpërdrejt dhe indirekt te një popull, është politika pa kriter, siç është ajo aktuale dhe pa një moral njerëzor dhe kombëtar. "Politikanët tanë aktualë, të paformuar, të pabrumosur, pa asnjë pikë kulture, larg reformimit të tyre si dhe larg modernizmit të politikave të tyre mesjetare dhe shumë problemeve të këtij lloj, krijojnë situata absurde, një kaos politik, një degradim të menjëhershëm të moralit të shoqërisë, një imponim të dhunshëm të shfaqjeve negative politike tek popullata dhe si rrjedhim, kemi dhe do të kemi probleme thelbësore që kërkojnë kohë shumë të madhe, ndoshta shumë breza të tjerë, në mënyrë që të riparohen. Nuk është fare e vështirë të dihen fajtorët e kësaj gjendjeje të rëndë që po mbretëron në Kosovë, e ata janë kjo klasë politike e inkriminuar, e korruptuar, kriminale dhe mafioze',u shpreh analisti Faik Krasniqi. Ai ka pohuar se këta janë njerëz të pangopur që krijuan pasuri marramendëse në kurriz të këtij populli të pavetëdijesuar. "Populli akoma nuk po ngrihet që t'u japë ultimatumin me një ''Mjaft më'' të madhe, prandaj gjendja e pashpresë po vazhdon . Edhe sa do të vazhdojë kjo gjendje e rëndë, varet kryesisht nga ky popull, e jo nga mesazhet e ndërkombë- tarëve. Tekefundit, ndërkombëtarëve nuk u bëhet vonë që kemi një klasë politikë të korruptuar dhe të kriminalizuar", shprehet Krasniqi.

Veprime me kapadaillëk

Analisti Albrim Badallaj konsideron se instalimi i kësaj qeverisjeje të keqe, zanafillën e ka në administrimin fillestar ndërkombëtar të UNMIK-ut, por që e ka ruajtur atë kontinuitet të mbrapshtë deri në ditët e sotme. "Përveç politikanëve vendas, të cilët pas luftës vepruan e punuan me kapadaillëk, dhe duke i shpërfillur ligjet, pa dyshim që një faj të madh për situatën e krijuar e ka pasur edhe UNMIK-u. Ne dimë shumë raste kur ky mision ndërkombëtar ka qenë i korruptuar dhe ka aplikuar drejtësi selektive. Duke pasur parasysh që në UNMIK ka pasur edhe pjesëtarë të vendeve të cilat e kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, medoemos dihet që ata kanë vepruar kundër interesave për të krijuar një shtet të sigurt dhe stabil", shprehet Badallaj. Sipas Badallajt, mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies nëpër institucionet tona, sikur është edhe privatizimi sa për dy grosh i aseteve të shtetit, zëvendësimi i subvencioneve të bujqësisë me asfalt, janë disa nga pikat ku tregohet se sa keq është qeverisur pastaj vendi nga vendorët. Ai ka pohuar se në vitet pas pavarësisë dështim më i madh ka qenë politika e jashtme."Dështimi i vërtetë i udhëheqësisë së shtetit të Kosovës, pas shpalljes së Pavarësisë, ka qenë politika e jashtme apo konkretisht bisedimet me Serbinë dhe statusi i padefinuar i shtetit tonë. Sakrifica më e madhe që e ka bërë Kosova, është thënë, qe ka qenë Pakoja e Ahtisarit, por pastaj Ahtisari+, bisedimet politike dhe teknike, ndikimi i vazhdueshëm i liderëve të shtetit serb, dhe së fundmi edhe krijimi i një Asociacioni për komunat me shumicë serbe, tregon se sa e dështuar ka qenë diplomacia kosovare në raport me atë serbe", thotë Badallaj.

 (KOSOVA SOT)