Qindra milionët nuk e evituan xhunglën në drejtësi

  • 01 July 2016 - 07:20
Qindra milionët nuk e evituan xhunglën në drejtësi

Shumë donacione të huaja u dhanë për ndërtim të kapaciteteve në Prokurori dhe Gjyqësor

Zeqa: Keqmenaxhim i donacioneve në emër të organizimit të tryezave e të simpoziumeve 

"Një politikë e pastër dhe e mirë mund ta pastrojë mjaft shpejt Kosovën. Një gjyqësor i kontrolluar nga politika e kriminalizuar nuk do të japë asnjë fryt në vendosjen e sundimit të ligjit. Pastaj, duke gjetur terren të përshtatshëm, edhe drejtësia po korruptohet dhe po bashkëjeton me krimin dhe korrupsionin", u shpreh deputeti Adem Salihaj 

Qindra miliona euro e dollarë amerikanë janë dhënë si ndihma nga Qeveria e SHBAsë dhe qeveritë e shumë vendeve të BE-së që nga përfundimi i luftës në Kosovë e deri më tash, e që për qëllim kishin fuqizimin e sistemit të drejtë- sisë, por nuk kanë dhënë efektet e pritura. Është për të ardhur keq se, gjithë ato para nuk arritën cakun e tyre për ta ndryshuar gjendjen në sektorin e drejtësisë, por përkundrazi gjendja veçse po shkon duke u rënduar dhe duke u përkeqësuar çdo ditë akoma e më shumë. Kjo ngase për një kohë të gjatë në drejtësinë tonë po mbretëron 'ligji i xhunglës' dhe jo ai i së drejtësisë. Në këtë drejtim, është shtuar edhe pyetja se a është kjo një betejë e humbur nga të gjitha pushtetet radhazi, përfshirë edhe këtë të tanishmin, për ta bërë pastrimin e drejtësisë nga korrupsioni, mitëmarrja e abuzimi dhe gjërat e tjera të këqija dhe negative që po e shoqërojnë këtë sistem në vazhdimësi. Veç saj lind edhe dilema se këto lëshime a po bëhen qëllimisht nga ana e garniturave të pushtetarëve apo kjo tregon për një paaftësi të tyre për ta riorganizuar e për ta reformuar njërën nga shtyllat më kryesore të shtetit, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Salihaj: Zbulimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme është një proces shumë i lehtë

Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën, "Kosova Sot", ka thënë se Kosovës së pari i duhet një pastrim i madh i politikës nga elementët e krimit, pasi, sipas tij, politika ka çdo gjë në dorë, dhe po ashtu çdo gjë varet nga politika. " Një politikë e pastër dhe e mirë mund ta pastrojë mjaft shpejt Kosovën. Një gjyqësor i kontrolluar nga politika e kriminalizuar nuk do të japë asnjë fryt në vendosjen e sundimit të ligjit. Pastaj, duke gjetur terren të përshtatshëm, edhe drejtësia po korruptohet dhe po bashkëjeton me krimin dhe korrupsionin", u shpreh ai. Tutje, Salihaj ka nënvizuar se zbulimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme është një proces shumë i lehtë, por, siç thotë ai, këtë nuk do ta bëjë askush që është vetë i pasuruar në këtë mënyrë. " Ne do ta bëjmë shtetin e sundimit të ligjit vetëm atëherë kur t'i largojmë nga politika politikanët e inkriminuar dhe të korruptuar", është shprehur deputeti, Adem Salihaj.

Zeqa: Të fortët e diktojnë drejtësinë

Kurse, analisti Florim Zeqa thotë se arsyet e degradimit të sistemit të drejtësisë në vendin tonë në radhë të parë janë politike, ekonomike, sociale, duke shtuar se mitëmarrja, pastaj shantazhi përmes formave të kërcënimit dhe haraçit, e ka ngritur nivelin e korrupsionit në shkallën më të lartë, duke bërë që drejtësia të trafikohet në forma të ndryshme nga të korruptuarit, të shantazhuarit dhe të inkriminuarit e shumtë të politikës kosovare. " Kjo ka bërë që ligjet në sistemin e drejtësisë kosovare t'u ngjajnë më tepër ligjeve të xhunglës, ku të fortët e diktojnë drejtësinë dhe ligjet, duke shkelur mbi etikën profesionale të prokurorëve dhe gjykatësve. Në këtë drejtim, edhe përkundër milionave të BE-së dhe SHBA-së për përmirësimin e gjendjes në drejtësinë kosovare, situata është përkeqësuar akoma më tepër këtyre viteve të fundit si pasojë e keqpërdorimit dhe keqmenaxhimit të atyre mjeteve në emër të organizimit të tryezave dhe simpoziumeve, krijimit të agjencive të panevojshme, " Antikorrupsion " dhe " Task-forcave " fiktive, të cilat nuk kanë dhënë asnjë rezultat në luftimin e korrupsionit dhe dukurive të tjera negative, por veçse ato janë shndërruar në leva të uzurpatorëve të shtetit dhe pengmbajtësve të drejtësisë kosovare", u shpreh Zeqa për "Kosova Sot". Tutje, Zeqa ka nënvizuar se nuk do të mjaftonin as qindra miliona të tjerë, përderisa nuk fillohet me veprimet konkrete, po ashtu me diferencimin e kuadrove të korruptuara, duke larguar, siç tha ai, nga sistemi i drejtë- sisë njëherë e përgjithmonë të gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë të pamoralshëm, pa integritet profesional, dhe të gjithë shkelësit e ligjit, të korruptuarit, të inkriminuarit e mitëmarrësit që u pasuruan brenda natës. "Të tillë dyshohet se janë më tepër se gjysma e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve hetimorë, të ndihmuar nga një rrjet i gjerë koruptiv brenda vetë politikës, një pjese të shoqërisë civile apo të ashtuquajturave "OJQ"-ve, nën tutelën e pushtetit qendror. Prandaj, nëse vërtet në të ardhmen e afërt nuk ndodhin ndryshime substanciale në qeverisjen e vendit, atëherë me këtë klasë politike në pushtet, jo vetëm që nuk do të ndodhë asnjëherë pastrimi i sistemit të drejtësisë nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, por lirisht mund të themi, se për aq kohë sa do të jenë në pushtet kusarët politikë, gjithmonë do të jetë e humbur beteja me dukuritë e shumta negative brenda shoqërisë sonë", ka theksuar analisti, Florim Zeqa për gazetën.

 

 

Ruajtja e paqes

Në anën tjetër, avokati Tomë Gashi ka bërë me dije për gazetën, "Kosova Sot" se milionat e dhënë nga bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht nga SHBA-ja dhe BE-ja, si qëllim kryesor kishin deklaruar kinse imponimin e sundimit të ligjit, ndërsa arsyeja e vërtetë, sipas Gashit, ka qenë ruajtja e paqes në Kosovë, respektivisht menaxhimi i situatave politike që janë krijuar pas çlirimit të Kosovës. " Qëllimi ka qenë që përmes personave, të cilët kanë qenë udhëheqës politikë që nga viti 1999 e deri më tani apo të kthehemi edhe pak më mbrapa që nga Rambujeja dhe deri më tani, të ruhet paqja e përgjithshme në Kosovë dhe të mos ketë çështje të tjera që do të mund ta debalanconin Kosovën. Arseja tjetër se pse jemi në situatë të tillë është për shkak të mungesës së vullnetit politik, dhe në një situatë çfarë është gjendur Kosova me personat që kanë udhëhequr Kosovën nga viti 1999, faktikisht ne nuk kemi mundur që të kemi një sistem më të mirë juridik pa ndryshime të tilla, ngase duke na udhëhequr ata që na kanë udhëhequr kemi ardhur në këtë situatë çfarë e kemi sot dhe e njëjta do të vazhdojë derisa përmes zgjedhjeve të parakohshme, demokratike dhe të lira, personat e caktuar të mos largohen nga pushteti", është shprehur Gashi. Por, pavarësisht kësaj situate, avokati Gashi nuk e cilëson këtë si betejë të humbur, por thotë se është një betejë e stërzgjatur, një lloj amullie juridike me pasoja shumë katastrofale për shtetin e Kosovës. 

(KOSOVA SOT)