Paris, ndalohet përdorimi i makinave të vjetra. Shkak ndotja e ajrit

  • 01 July 2016 - 23:03
Paris, ndalohet përdorimi i makinave të vjetra. Shkak ndotja e ajrit

Parisi ka ndaluar përdorimin e makinave të vjetra nga rrugët e tij, si masa më e re kundër ndotjes së ajrit. Ky fenomen shqetësues vret 48 mijë njerëz çdo vit në Francë; 400 mijë në Europë dhe rreth 3.7 milionë në mbarë botën.


Ndalimi i automjeteve të vjetra në Paris hyri në fuqi prej 1 korrikut, urdhër që vlen për të gjitha makinat e regjistruara para 1 janarit të vitit 1997. Edhe pse ligji i ri ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha në Paris, për kryetaren e Bashkisë Anne Hidalgo, kjo është një sakrificë për të mirën e shëndetit publik.

Ndërsa kritikët thonë se kjo do të dëmtojë njerëzit e varfër, që nuk kanë mundësi të blejnë një automjet të ri. Fillimisht policia ka nisur të vendosë gjoba, për ata që nuk respektojnë rregullin e ri. Ato nisin nga 35 euro, por vlera e tyre do të rritet drastikisht deri në fundvit.

“Kjo është e pakuptimtë, çfarë do të na japin ata në kompesim? Një biçikletë? Po për ata që jetojnë jashtë Parisit, 20, 30 ose 40 kilometra larg? Biçikleta nuk është zgjidhje”, tha një qytetar parizien.

Ndërkohë, Norvegjia po planifikon të ndalojë përdorimin e makinave me naftë apo benzinë, për t’u kthyer tek ato elektriket, që janë edhe fjala e fundit e teknologjisë. Masa pritet të hyjë në fuqi në vitin 2025, si pjesë e planit botëror për të ulur nivelet e ndotjes.

(Kosova Sot)