Joe Biden në Tiranë më 26 gusht

  • 02 July 2016 - 09:05
Joe Biden në Tiranë më 26 gusht

Në harkun kohor të një viti, Tirana ka qenë destinacioni i drejtuesve më të lartë amerikanë me një synim të vetëm: miratimin e reformës në drejtësi.

Vizitat kulmojnë me mbërritjen në Tiranë të zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden. Burime diplomatike për “Vizion Plus” konfirmuan se Biden pritet të vijë në Shqipëri në datat 26 ose 27 gusht.

Kësaj vizite i paraprin mbërritja në Tiranë më 10 korrik e ndihmës-sekretares amerikane të Shtetit, Victoria Nuland. Misionet diplomatike të drejtuesve më të lartë në SHBA në një kohë kaq të shkurtër lidhen drejtpërdrejt me reformën në drejtësi që pritet të votohet më 21 korrik në parlament.

Nëse ajo miratohet, burimet thanë se zv/presidenti Biden, do të japë shpërblesën për palët që punuan për kalimin e amendimeve kushtetuese. Por nëse ajo dështon, atëherë mesazhi i tij, pritet të jetë edhe më ndëshkues për faktorët politikë.

Vizita e Joe Biden pason atë të sekretarit të shtetit John Kerry më 14 shkurt të këtij viti. Shefi i diplomacisë amerikane atë kohë, nuk e kurseu inkurajimin për miratimin sa më parë të reformës.

(Kosova Sot)