Kombinimi çudibërës i shëruesit nga Pogragja

  • 20 July 2016 - 17:55
Kombinimi çudibërës i shëruesit nga Pogragja

Reportazh nga Gjilani

Kosova, një barnatore re e madhe bimore

Me një shurup që e përfiton nga kombinimi i dhjetë luleve të malit, mjeku popullor, Ramiz Durmishi nga Gjilani, shëron dhjetë sëmundje të ndryshme. Ai thotë se fuqia e natyrës është e pazëvendësueshme dhe njeriu duhet t`i kthehet asaj

Dikush i trajton sëmundjet e veta nëpër klinika, dikush këto sëmundje i shëron me lule. Mjekësia popullore në Kosovë nuk është e panjohur, ndonëse jo shumë e praktikuar dhe e pranuar te ne që besojmë se vetëm mantelet e bardha dhe ilaçet e farmacive mund të shërojnë një sëmundje. Viteve të fundit, njerëzit kanë filluar të besojnë më shumë te fuqia e natyrës dhe mrekullitë që mund t`i bëjë ajo. Ka hallexhinj që thonë se mjekët popullorë ua kanë gjetur ilaçin për sëmundjet e tyre, ku mjekësia zyrtare nuk ka pasur sukses. Ramiz Durmishi, nga Pogragja e Gjilanit, thotë se me bimë natyrore shëron dhjetëra sëmundje. Shembull të suksesit të tij e ka gruan e vet që, siç thotë ai, e ka shëruar nga paraliza, pasi nuk kishte gjetur çare askund nëpër spitale. Vuajtjet e saj e kishin detyruar Ramizin t`i kthehet natyrës, pasi, siç thotë, kishte filluar të fliste me vetveten dhe sa nuk po luante mendsh që nuk po gjente ilaç kund për bashkëshorten.“Kosova është një barnatore e madhe bimore, por njerëzit nuk i njohin këto mundësi dhe për gjithçka orientohen nëpër spitale e klinika”, thotë Durmishi, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Kombinimi rezultativ

Ramizi  i kombinon dhjetë lule mali, duke filluar me trëndafilin, për të përfituar një lëng të kuq, i cili i heq si me dorë dhembjet e kokës, dhembjet e trupit, neurozat, problemet e lukthit, sëmundjen e sheqerit, tensionin e lartë, yndyrën në gjak, reumën, pezmatimet e gjunjëve, dhembjet e gjinjve, madje pretendon se ka pasur suksese edhe në shërimin e disa tumoreve të lehta te gratë, që paraqiten në formë të gjëndrave dhe cisteve. “Për shumicën e sëmundjeve, ilaçet gjenden në natyrë, por duhet të dimë e t`i përdorim”, thotë ai.  Dura, siç e njohin në rrethinën e tij, në Pogragjë, është adhurues i madh i natyrës, ku kalon orë të tëra, duke mbledhur bimë shëruese. Trishtohet kur i sheh njerëzit si i shkelin dhe i shkulin lulet e malit. “Lulet nuk janë kot në natyrë, ato ekzistojnë për diçka”. Me terapinë e tij ka arritur që ta ulë nivelin e sheqerit nga 22 në 7, që është vlerë ideale referente, te disa pacientë të cilët ishin trajtuar nëpër klinika të jashtme, duke i befasuar me këtë sukses edhe mjekët e atjeshëm.

Edhe mjekët kërkojnë shërim te Dura

Durai thotë se ka shëruar pacientë nga mbarë Kosova, madje edhe nga jashtë. Edhe mjekët janë drejtuar tek ai. “I kam emrat, por etika e do që të ruhet identiteti i pacientit”, thotë ai. Dura thotë se Kosova ka shumë lule që shërojnë e të cilat s`i gjen askund tjetër në botë. Këshillon që ato të zihen e të pihen të ftoha dhe pa sheqer, sepse vetëm ashtu janë ilaçe. Nëse iu qitet sheqer, atëherë shndërrohen në pije freskuese dhe nuk kanë efekt shërues më. Ky biokimist, deri më tani ka zbuluar disa lloje të bimëve që shërojnë, por beson se natyra fsheh shumë më shumë barna, por vetëm duhet t`i hulumtojnë e t`i gjejmë ato. Ai i është rikthyer natyrës, sepse i beson fuqisë së saj.  Për të vërtetuar atë që thotë ky mjek popullor, që kur flet me aq pasion për punën e tij, njerëzit herë-herë e marrin edhe për të krisur, ne i kemi kontaktuar dy-tre prej atyre që kanë përdorë terapinë e Durmishit për sëmundjen e sheqerit, yndyrën në gjak, dhimbjet e shpinës ose të tjera dhe na kanë thënë se vërtet kanë pasur sukses. Edhe ata vetë janë habitur se sa e madhe është fuqia shëruese e luleve dhe bimëve të tjera të natyrës së Kosovës, nëse di të zgjedhësh dhe të përdorësh ato për qëllimin e caktuar.

Natyra të jep forcë

Ai zemërohet shumë kur u shpjegon njerëzve se çka mund të bëjë natyra dhe ato nuk besojnë. “Unë i kam dhënë vetes për detyrë që t`i ndihmoj ata që kanë nevojë për shërim të disa sëmundjeve, sepse nuk pretendoj se shëroj gjithçka, ndërkaq është zgjedhja e tyre nëse duan ta provojnë këtë mundësi ose jo”, thotë Ramiz Durmishi, mjek popullor, që orë të tërë i kalon nëpër shpate, pas luleve dhe bimëve të tjera, që të tjerët i lanë kafshët t`i hanë. Në të vërtetë, natyra është e dobishme edhe kur “shoqërohesh” me të. Osman Ibrahimaj përfiton në një mënyrë tjetër nga natyra, nga e cila nuk ndahet as tani që po i mbush të tetëdhjetat. Ibrahimaj flet për rëndësinë që ka natyra për njeriun. “Natyra të jep forcë dhe të qetëson. Natyra është jeta e njeriut, është ushqimi kryesor i trupit të njeriut. Ata që vrapojnë nuk kanë nevojë për mjek, as për barna”, thotë  Ibrahimaj. Ai zgjohet në ora pesë të mëngjesit dhe fillon me vrapim një ditë tjetër të lumtur. Shpreson se edhe për një kohë të gjatë të mos e ndalë vrapimin në natyrë. I ndjen personalisht dobitë nga ky raport me natyrën, ku pos vrapimit shijon edhe aromën e luleve,ajrin dhe ujin e mirë, që i japin jetëgjatësi njeriut. Por, brengoset po aq kur natyra degradohet nga persona të pandërgjegjshëm. Apelon për vetëdijesim ndaj ambientit, sepse pa të nuk do të ekzistonim as ne. 

(Kosova Sot)