Komisionit të Venecias t'i kërkohet mbështetje për reformën

  • 23 July 2016 - 08:27
Komisionit të Venecias t'i kërkohet mbështetje për reformën

Pas konsensusit në Shqipëri, shtohet presioni për drejtësinë në Kosovë

Prishtina zyrtare mund ta marrë modelin e miratuar në Tiranë 

Analisti politik dhe juridik, Mazllum Baraliu tha për gazetën "Kosova Sot" se në këtë drejtim, Kosova mund të kërkojë ndihmë nga Komisioni i Venecias, anëtar i të cilit tashmë jemi ne, dhe mund të kërkojë ndihmë, po ashtu, edhe nga shtetet që kanë ekspertë, si nga SHBA-ja dhe ato të BE-së, të cilat, sipas tij, nuk do të hezitonin që të ofrojnë ndihmën e tyre teknike në reformimin e ngjashëm me atë në Shqipëri edhe në Kosovë

Reforma në sistemin e drejtësisë, e cila u miratua të enjten nga Parlamenti shqiptar, sipas njohësve të kësaj fushe duhet të jetë udhëtregues se nga kush duhet kërkuar ndihmë edhe vendi ynë. Por, mbetet dilemë se a është i gatshëm shteti i Hashim Thaçit dhe Qeveria e Isa Mustafës që të kërkojnë një asistencë nga Shqipëria, në mënyrë që ta adaptojnë reformën në drejtësi. Kjo sepse sistemi i drejtësisë te ne ka nevojë për një pastrim të madh në radhët e veta, në mënyrë që të mbesin ata që duan të punojnë dhe të filtrohen ata që nuk janë të aftë dhe të guximshëm për ta kryer detyrën e tyre sipas ligjit. Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se Kosova duhet të jetë e gatshme për të pranuar ndihmën profesionale nga Shqipëria dhe nga miqtë ndërkombë- tarë. Po ashtu, sipas tij, Kosova sa më parë që të kontaktojë me Komisionin e Venecias, i cili ka punuar në hartimin dhe përpilimin e koncepteve bazike të asaj Kushtetute, është më mirë për vendin. " Pastaj duhet të kërkojë edhe ndihmën profesionale të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët kanë punuar në ndryshimet substanciale të Kushtetutës së Shqipërisë, e cila bën një ndryshim rrënjësor në sistemin e drejtësisë, me ç'rast kanë dhënë shpresën se ai vend do të ndryshojë në të gjitha planet, prandaj është mirë që edhe Kosova të nisë projektin për reforma dhe ndryshime qysh tani, sepse mjaft jemi vonuar", ka theksuar ai.

Të ndahemi nga sistemi i kaluar

Më tej, Dibrani ka nënvizuar se Kosova ka nevojë për ndryshime, e që, sipas tij, ato ndryshime nuk vijnë nga mendjet e mykura që kanë bartur virusin e së keqes nga sistemi paraprak, metodologji e cila, siç tha, tashmë po shihet se nuk paska qenë zgjidhje e duhur. " Vetëm tashti mund të besojmë se edhe në sistemin e kaluar janë këto kuadro që i kanë zvarritur lëndët nga njëra shkallë në shkallën tjetër, pa u merakosur fare për fatin dhe jetën e qytetarëve, prandaj edhe në Kosovë duhet me ligj t'u ndalohet vazhdimi i punës kuadrove të cilat vijnë nga sistemi i kaluar bashkë me bagazhin e atyre shpërfilljeve, duke ndikuar negativisht edhe në të tashmen përplot hipoteka. Po ashtu, do të ishte mirë që të gjithë atyre që nuk kanë dhënë shenja se do të reformojnë sistemin e drejtësisë, me ligj t'u ndalohet ushtrimi i mëtutjeshëm i veprimtarisë së tyre, ngase besoj se Kosova ka kuadro të mjaftueshme, pasi, siç dihet, një pjesë e tyre janë shkolluar dhe specializuar jashtë vendit, andaj këtë gjeneratë duhet angazhuar dhe duhet besuar udhëheqjen e reformave në drejtësi", ka thënë ai. Ndërsa, sa i përket asaj nëse modeli i Shqipërisë për reformimin e drejtësisë do të ishte plotësisht adekuat edhe për Kosovën, Dibrani thotë se gjithkund në botë ligjet janë më të aplikueshme brenda një kombi, i cili edhe gjeografikisht, por edhe në aspektin kulturor, i kanë tiparet e njëjta, andaj, sipas tij, do të ishte mirë që Kosova pa shpenzuar aq shumë para të lidhte marrëdhënie kontraktuale me Shqipërinë nga e cila mund të huazohen kuadrot që kanë punuar dhe përgatitur Kushtetutën e re të Shqipërisë. " Natyrisht, edhe te ne duhet t'u pamundësohet vazhdimi i avazit të vjetër të gjithë prokurorëve dhe gjykatësve për të kaluar gradualisht sistemi i drejtësisë te një brez tjetër, i cili pastaj do t'i kalonte nëpër filtër të verifikimit moral dhe profesional edhe gjykatësit dhe prokurorët e rinj, të cilët në këto vite kanë mundur të bëhen ose të bien pre e grupeve dhe oligarkisë politike", potencoi Dibrani... (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)