PDK-ja, zhvatësja më e madhe e privatizimit

  • 23 July 2016 - 15:39
PDK-ja, zhvatësja më e madhe e privatizimit

Shitja dhe keqpërdorimi i pronës shoqërore

As partitë e tjera nuk mbetën pa përfitime 

Monopolet u favorizuan nga qeverisja e PDK-së, por u çimentuan, kur iu bashkua edhe LDK-ja

Procesit skandaloz të privatizimit, që ka nisur në Kosovë, pas luftës nga UNMIK-u dhe më pas e vazhduan pushtetarët, vendorët ia kanë parë hairin me përfitimet milionëshe. Faktin se mbrapa oligarkëve të bizneseve të ndryshme, që po ngrihen dhe krijojnë monopole në Kosovë, qëndrojnë të fortët e politikës në pushtet, e pohon sot pothuajse secili njohës i zhvillimeve politike, i lidhjeve të krimit të organizuar dhe korrupsionit me ekonominë informale dhe politikën. Deputeti opozitar, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), thotë se përpos Fabrikës së Amortizatorëve, që njihet si rast skandaloz, PDK-ja nëpërmjet Agjencisë Kosovare të Privatizimit i ka legalizuar uzurpimet edhe të pronave në Gjakovë, që kishin status ligjor të transformimit të pronës shoqërore në private, siç ishte rasti i ndërmarrjes "Emin Duraku". "Drejtorët e 'Emin Durakut' më kanë raportuar se kur kanë shkuar për të hyrë në ndërmarrje janë ndaluar nga rojet e një personi, dora e djathtë e Hashim Thaçit, i cili për momentin gjendet në burg", ka pohuar Hoti. Ai thotë se tani padia e "Emin Durakut" kundër "Devollit" vazhdon nëpër gjykata, e që po bllokohet nga politika e inkriminuar në drejtësi. Sipas Hotit, edhe LDK-ja në krye me Isa Mustafën dhe ministrat e tij tani mban bashkëfajësinë për vazhdimin e ngritjes kriminale të perandorisë "Devolli", shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Favorizimi i kompanive të lidhura me pushtetin

Ndërsa njohësi i kësaj fushe, Ardi Nokaj, thotë se për lidhjet e politikës me Devollët dhe aferën e "Z-Mobile", si çështje ishte ngritur edhe në Kuvendin e Kosovës, por që atëherë është heshtur kjo çështje, për shkak të mbulimit nga interesi i politikës - PDK-së. "Ndonëse po dyshohet me bazë që prapa perandorisë "Devolli", të cilët kanë marrë pothuajse gjithç- ka përmes lidhjeve me pushtetin, duke filluar nga "Z-Mobile" dhe qendra e vetme "monopoliste" e homologimit, shumë licenca për terminale doganore anekënd Kosovës, madje për hatër të tyre, ia hoqën kafesë akcizën, zbardhja e përgjegjësve për ngritjen e kësaj korporate monopolistike ende nuk është bërë", tha ai. Analisti Nokaj thotë se askush nuk mund ta mohojë faktin se perandoria "Devolli" u shpërblye me dhënien për vetëm 7 milionë euro të Fabrikës së Amortizatorëve, kur ajo vlerën minimale e kishte 100 milionë euro. Sipas tij, ka zëra sipas të cilëve hisen më të madhe në perandorinë "Devolli" e ka kryesisht Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës.

Skandali i grurit dhe miellit tregon lidhjet korruptive

Sipas deputetit të lëvizjes 'Vetëvendosje', Ismail Kurteshi, del se nuk është aspak sekrete lidhja e partive në pushtet, PDK dhe LDK, me Devollët. "Se pas këtyre qendrave qëndrojnë politika, pushtetarët, nuk ka asnjë dyshim. 'Devolli', që po i shet popullit krunde në vend të miellit, ose po paguan doganë për krunde e po importon miell dhe po shpëton pa një ferrë në këmbë, pa përkrahje të pushtetarëve, një gjë e tillë nuk do ta kishte të mundur ", thotë deputeti Ismail Kurteshi për "Kosova Sot". Lidhjen e tillë kriminale me pushtetin e pohon edhe deputetja Teuta Haxhiu, nga AAK-ja. Ajo ka pohuar se nuk është vetëm qeveria e kaluar e PDK-së ajo që ka pasur lidhje kriminale me Devollët, por kjo lidhje vazhdon edhe në koalicionin e tanishëm qeveritar PDK-LDK. Për analistin e ekonomisë, Nëntor Shaqiri, lidhja kriminale e politikës me biznesin, edhe me rastin "Devolli", është gjithëpërfshirës, por nuk është lehtë të veçohet kush është më pak e kush më shumë hajn."Se korrupsioni në Kosovë zhvillohet përmes kompanive të mëdha, kjo është shumë e dukshme dhe plotësisht e besueshme", ka thënë ai. Eksperti Shaqiri thotë se kudo që ekziston monopoli në biznes duhet luftuar pa mëshirë, sepse kjo i shkatërron bizneset e ndershme dhe që nuk janë të kapura nga dhe as të mbështetura nga politika. Eksperti i fushës së ekonomisë, Xhevdet Neziraj, ish-deputet në Kuvendin e Kosovës, nuk e mohon faktin që lidhjet kriminale të politikës me shumë procese të privatizimit dhe favorizimit të kompanive, ku ata kanë pasur interes datojnë që nga fillimi i këtij procesi dhe kjo ka funksionuar edhe me favoret që i janë bërë "Devollit" nga PDK-ja. "Edhe pse tani nuk jam deputet, pa argumente nuk është mirë të flas, mirëpo kur po i sheh të gjitha këto manipulime, kur i sheh të gjitha këto që po shkojnë në drejtim të diçkafit, po dihet se diçka të tillë, megjithatë ka dhe ekziston", ka thënë ai. 

(Kosova Sot)