Kryeministri Mustafa përkujtoi Shaban Manajn

  • 23 July 2016 - 16:22
Kryeministri Mustafa përkujtoi Shaban Manajn

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryeministër i vendit, Isa Mustafa, në 16 vjetorin e vrasjes, përkujtoi veprimtarin e shquar, Shaban Manaj, i cili u rrëmbye më 23 korrik 2000 dhe u gjet i vdekur më pas në rrethana ende të pandriçuara.

“Sot mbushen 16 vjet nga rrëmbimi i Shaban Manajt, avokatit të shquar që dha shumë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Shaban Manaj ishte një personalitet i veçantë i lëvizjes për liri, të prirë nga Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova, ishte veprimtar i devotshëm atdhetar, intelektual i mirëfilltë, i përkushtuar për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë Mustafa, citohet nga një komunikatë e partisë të cilës ai i prinë.

Me plot meritë, Shaban Manaj u dekorua me urdhrin më të lartë shtetëror, “Hero i Kosovës”, për kontributin e dhënë për Atdheun, në periudhat më të vështira.

“Republika e Kosovës dhe popull i saj do t’i përkujtojnë përherë Shaban Manajn dhe tërë plejadën e burrave e grave që punuan dhe dhanë jetën për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë. Ndërkaq, institucionet që merren me drejtësinë në Kosovë e kanë obligim kushtetues dhe ligjor, dhe herët a vonë do të zbardhin plotësisht vrasjen mizore të Shaban Manajt dhe të gjithë personaliteteve politike e atdhetare që u vranë pas çlirimit, në rrethana ende misterioze për popullin e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

(Kosova Sot)