Nën një kulm me kafshët

  • 23 July 2016 - 18:48
Nën një kulm me kafshët

Në fshatrat malore të Anamoravë, deri para viteve të shtatëdhjeta, kryesisht janë ndërtuar shtëpi përdhese, me dy ose tri kthina. Objekti përbëhej nga dhoma e zjarrit, një dhomë tjetër dhe hajati. Ishin më funksionale për kohën dhe ndërtoheshin më lehtë. Në raste të rralla kishte edhe me tri ndarje. Kthina e tretë përdorej për bagëti. Ndërtesat e tilla, zakonisht bëheshin nga druri dhe balta. Brenda dhe jashtë, suvatimi bëhej me llaç balte.

Në qoshe, drurët ishin më të trashë, ndërsa drurët që formësonin murimin, ishin të hollë, thupra. Vendësit i quanin çatme. Njëra kthinë shfrytëzohej për ndejë e fjetje të familjes, ndërsa tjetra, për strehimin e kafshëve. Hyrja ishte e njëjta, si për njerëz, ashtu edhe për kafshë. Kishte shtëpi, ku dhoma e ditës, që njihej si dhoma e oxhakut, ndahej mes njerëzve dhe kafshëve. Në anën që e shfrytëzonin njerëzit, kishte një shtrojë prej kashte e cerge, që quhej "shtrum" dhe kornizohej me dru nga të dyja anët, përpara dhe poshtë, për të mos u shpërndarë kashta. Dy anët tjera ishin të mbështetura për muri. Kur hynin qetë brenda, njerëzit qoheshin në këmbë për t`i nderuar si kafshë të dobishme që ishin. Jo për ndonjë besëtytni tjetër. I rehatonin qetë dhe lopët e qumështit dhe pastaj shtronin darkën për vete. Shtëpi të tilla ka pasur nëpër fshatrat e Gjilanit, gjithandej. Ishte kohë varfërie, shkruan gazeta Kosova Sot.

Shtëpitë me trapazan 
 
Aty nga vitet '70-ta, shtëpitë filluan të bëhen me material prej tullave, ndërsa çatitë mbuloheshin me tjegulla. Shtëpi të këtilla, me një ndryshim të vogël, ndërtoheshin edhe në Karadak. Përpos pjesës së banimit, në Karadak shtohej edhe pjesa ku mbahej bagëtia. Familjet që ishin pak më të pasura, ndërtonin shtëpi me një kat e gjysmë dhe në dy kate. Kati përdhese përdorej si shtëpi zjarri, e hera - herës, gjysma e tij përdorej për strehimin e bagëtisë së trashë. Ky kat, zakonisht ndërtohej me gurë, ndërsa për material lidhës përdorej llaçi prej balte. Për dallim, në shtëpitë-kulla, materiali lidhës përbëhej nga llaçi gëlqeror, jo i nivelit të lartë. Në ballina përdoreshin gurë gjysmë të përpunuar, për t`i nxjerrë faqen e shtëpisë, ndërsa në qoshe, zakonisht përdoreshin gurë të latuar nga mjeshtër popullorë, edhe për lidhje më të mirë, edhe për estetikë. Kati sipër përdheses, gjithashtu murohej me gurë. Vonë, aty kah vitet 60-70 të shekullit XX, për katin e dytë filluan të përdoren qerpiçët. Në katin mbi përdhese, zakonisht kishte dy e ndonjëherë tri kthina. Njëra prej tyre shërbente vetëm për miq. Në të, veç oxhakut në mes, që nga dera fillonte trapazani, që shërbente për vënien e drurëve të prerë, ndërsa mbi trapazan qëndronte shtroja e mbuloja për miq. 
 
Oxhaku, pjesa më e rëndësishme
 
Shtëpitë e ndërtuara me gurë, me karakter fortifikimi, zakonisht kishin hatulla me shtrirje horizontale, por kishte raste që hatullat kishin edhe pozitë vertikale. Ndodhte që shtëpitë e tilla të mos kishin fare hatulla, po kryesisht të ndërtoheshin vetëm me gurë. Një shtëpi e tillë ruhet në Muçibabë. Pjesë e rëndësishme e shtëpive të vjetra ishte oxhaku. Ishte një oxhak i madh ku hidheshin drurë të gjata dhe ku puqeshin bukët me saç. Në mbrëmje, pranë tij, zakonisht uleshin burrat e shtëpisë, jo vetëm për t`u ngrohur, por sepse oxhaku konsiderohej balli i vendit. Aty i ndiznin edhe cigaret. Ndërkaq, në fshatrat fushore, shtëpitë e banimit u takonin objekteve të tipit ballkanik me elemente vendore. Në ballinë kishin ballkone të mbyllur, mbështetur vetëm në strukturën ballore të murit, e ndonjëherë për mbajtës kishin shtyllat prej druri që përfundonin me kapitel, heraherës të stilizuar me ndonjë gravurë. 
 
Mjeshtrit, kryesisht vendas
 
Zakonisht, në fshatrat fushore, banesat ose kane qenë përdhese, ose dykatëshe, sipas pozicionit ndodhte edhe që ndonjëra prej tyre të kishte edhe gjysmë katin. Kryesisht kati i dytë i tyre është ndërtuar me qerpiçë. Kohët e fundit, shtëpitë më të reja, në fshatra fushore, në ato malore dhe në qytet gjithsesi, ofrojnë zgjidhje kompozicionale evropiane, shpeshherë me elemente nga tradita, sidomos duke ruajtur oxhakun në ballë të sallonit, që shërben për ndejë dhe mikpritje. Oxhaku nis me kaminën. Roli i mjeshtërve popullorë vendorë, është jashtëzakonisht i madh, edhe për planimetrinë dhe kërkesat e nevojat e akëcilës familje, por edhe për murimin me gurë dhe punën me dru. Ndërtimin e shtëpive në Gjilan dhe fshatrat e tij fushorë e malorë e bënin zakonisht mjeshtrit vendorë. Rrallë ndodhte që mjeshtrit të ishin nga ndonjë krahinë tjetër, siç ndodh me mjeshtrit dibranë, të cilët kanë punuar te ndonjë shtëpi-kullë, siç është ajo e ndërtuar në vitin 1942, në Terziaj, shtëpia-kullë e Hajdinit. Materialet për ndërtim, kryesisht janë guri dhe druri me material lidhës llaçin prej balte, ndërsa rrallë me material lidhës më të fortë, siç është llaçi prej gëlqeres. Shtëpi të vjetra ekzistojnë ende në disa lagje të largëta të fshatrave të Karadakut.  
 
(Kosova Sot)