Peja, me rrugë qorre

  • 23 July 2016 - 19:03
Peja, me rrugë qorre

Në asnjë rast Peja, e as Dukagjini, nuk meritojnë të mbesin zorrë qorre në nivel të shtetit të Kosovës sa u përket projekteve të infrastrukturës rrugore. "Peja dhe Dukagjini meritojnë të jenë epiqendra zhvillimore, infrastrukturore, kulturore dhe turistike dhe ne do ta bëjmë atë", iu ka premtuar dje pejanëve dhe mbarë dukagjinasve kryeministri i Qeverisë se Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës në Pejë shkruan "Kosova Sot". Por, ai në Pejë nuk premtoi për ndërtimin e ndonjë autostrade që lidh me Gjakovën e Prizrenin për t'u lidhur pastaj me rrugën e kombit. Opozita e quan propagandë atë që e deklaroi dje kryeministri Isa Mustafa.

"Peja, e as Dukagjini, nuk meritojnë të mbesin zorrë qorre"

Ka qenë kërkesë e kamotshme e strukturave të pushteteve lokale të deritashme dhe e shoqërisë civile në komunën e Pejës dhe në nivel rajoni, që komunat e Dukagjinit ta kenë një infrastrukturë rrugore shumë më të mirë se këtë që ka për t'u lidhur me kryeqendrën, por edhe për të pasur një qasje më të volitshme me Rrugën e Kombit. Mungesa e kësaj infrastrukture është ngritur vite me radhë nga strukturat e pushteteve lokale dhe të shoqërisë civile në komunat e Pejës dhe të Gjakovës me komunat Istog, Deçan e Junik, të cilat kanë ngelur zorrë qorre në nivel shteti.Vizita e Mustafës në Pejë, i cili ndoq nga afër punimet në aksin rrugor Pejë -Zahaq në rrugën Pejë- Prishtinë, ka ngjallur shpresat e dukagjinasve se kjo infrastrukturë do të avancojë në mbarë Dukagjinin. " Në asnjë rast Peja, e as Dukagjini, nuk meritojnë të mbesin zorrë qorre", u ka premtuar dje dukagjinasve Mustafa. " Jam shumë i gëzuar që po punohet me intensitet të lartë në këtë projekt rrugor, i kontraktuar më parë, ku po bëhet edhe zgjerimi i rrugës në hyrje të Pejës, qytet ky i cili me ndërtimin e kësaj rruge do të ketë një qasje shumë më të mirë për vizitorët e shumtë qoftë nga vendi , qoftë nga jashtë, ngase Peja është një qendër turistike ", është shprehur ai. Mustafa tha se rrugën deri te Klina do ta bëjnë me mjete të kredisë nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim dhe me këtë do të koordinojnë edhe ndërtimin e rrugës nga Peja për Deçan, Gjakovë e deri në Prizren. Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku ka njoftuar se aksi rrugor Pejë -Zahaq, që i përket rrugës nacionale E-9 Pejë - Prishtinë, ku po kryhen punimet në zgjerimin e kësaj rruge kapë një gjatësi prej 7.8 kilometrash dhe do të kushtojë 9 milionë euro dhe do të përfundojë vitin që vjen, ngase është projekt dyvjeçar në të cilin është përfshirë edhe zgjerimi i rrugës në hyrje të qytetit. Zharku ka thënë se pjesa e rrugës Kijevë - Pejë, që do të jetë një autostradë bashkëkohore dhe është në listën e projekteve prioritare në Këshillin kombëtar për investime.

"Niveli qendror është treguar i shurdhër"

Përkundër asaj që tha Mustafa, kryetari i Degës së AAK-së në Pejë, Naim Sahiti është i mendimit se e tëra kjo që u bë dje në këtë aks rrugor nuk është asgjë tjetër, veçse një propagandë e pozitës se sa ndonjë rezultat i Qeverisë qendrore dhe asaj lokale. "Peja ka nevojë për projekte të mëdha, të cilat hapin mundësi punësimi, projekte që sjellin zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale, e jo një projekt për të cilin që pesë vjet flitet e tani fillojnë me tetë kilometra rrugë. Absolutisht nuk do të thotë shumë, ngase Peja ishte dhe ka mbetur zorrë qorre, ka edhe 40 kilometra rrugë për t'u bërë që Peja të ketë një autostradë për t'u lidhur me Rrugën e Kombit dhe me Prishtinën dhe qytetet e tjera të Kosovës", është shprehur për gazetën Sahiti. Edhe Arton Muhaxheri, një qytetar nga Peja, thotë se niveli qendror deri më tani është treguar i shurdhër ndaj nevojave të infrastrukturës rrugore të komunave të Dukagjinit."Sot më vështirë është të shkosh nga Peja në Prizren dhe bën më shumë kohë se një orë me u kyçur në Rrugën e Kombit se sa të shkosh nga Prizreni në Tiranë. Kjo flet qartë se sa janë të lëna pas dore nga niveli qendror këto komuna në aspektin e infrastrukturës rrugore", thotë Arton Muhaxheri.


 
(Kosova Sot)