Vajza që iku nga 'Boko Harami' refuzohet nga babai

  • 23 July 2016 - 19:55
Vajza që iku nga 'Boko Harami' refuzohet nga babai

E grabitur nga shtëpia e saj në mes të natës dhe e detyruar që të martohet me një luftëtar të 'Boko Haramit', Noor, ka provuar që të ikë gjashtë herë para se t'ia dalë që të arrijë në vend të sigurt, vetëm për t'u akuzuar se është spiune e terroristëve. Pas më shumë se një viti pas grabitjes nga familja është e lirë, por ajo jo vetëm që e ka fëmijën e burrit me të cilin është detyruar që të martohet, ajo është tani një e dëbuar, e quajtur simpatizuese e atyre burrave, nga të cilët është përpjekur aq shumë që të ikë. "Kanë dashur që të më rrahin dhe të më shtyjnë që të pranoj, dhe të më vrasin pasi që kam qenë bashkëshorte e 'Boko Haramit' ", ka thënë ajo për 'MailOnline'. Shumë prej vajzave janë kthyer në familjet e tyre shtatzëna, ose me "foshnja të 'Boko Haramit' ", dhe janë refuzuar si nga familjet e tyre ashtu edhe nga komunitetet, nga frika se ato tani kanë "gjak të keq". Komuniteti vendor mendonte se isha kthyer për të spiunuar", ka thënë Noor 17-vjeçare, duke e përshkruar natën e ikjes në vend relativisht të sigurt në Maidiguri në veri të Nigerisë, transmeton gazeta Kosova Sot.

I dërguan vajzat në burgje

Mijëra nxënëse të grabitura kanë ikur derisa ushtria nigeriane është duke avancuar në shtetin verior të Bornos, por në vend se të mirëpriten në shtëpi me duar të hapura, mijëra "bashkëshorte të 'Boko Haramit' " janë duke u shmangur. Ajo u vërejt dhe u identifikua nga një vendor i cili i thirri prindërit e saj, por Noor e pranoi lajmin e keq se babai i saj nuk e dëshironte atë e as fëmijën e saj. "Babai im e pyeti pse më kishte sjellë mua. I tha se është dashur që të më lë ay ku më ka gjetur", ka thënë Noor. Duke e kujtuar natën kur ishte grabitur në Bama, qytetin e saj të lindjes në verilindje të Nigerisë, tinejxherja tha se ishte fshehur nën shtrat me motrën dhe bashkëshorten e vëllait kur tre burra hyrën brenda. "U frikuam shumë kur i pamë", thotë Noor me zë të ulët. Vajzat u gjetën lehtë pasi që dhoma ishte shumë e vogël. "Po i lusnim duke qarë që të mos na marrin me vete por ata thanë jo. Shoqet tuaja janë me ne dhe ne jemi duke i mësuar atë dhe ju duhet të vini me neve thanë ata", tregon Noor. Burrat me uniforma ushtarake dhe me armë në krahë, i dërguan vajzat në burgje, në disa shtëpi të braktisura nga pronarët e tyre. Për muaj të tërë ato janë detyruar që ta lexojnë Kuranin nga ana e bashkëshorteve të luftëtarëve, ndërsa ishin quajtur shumë herë si të pafe. Noor provoi gjashtë herë që të ikë, por secilën herë ajo vërehej nga ishfqinjët që ishin ose mbështetës të grupit, ose të tmerruar se do të dënoheshin nëse do të konsideroheshin si ndihmës në ikjen e saj. Një herë ia doli që t'i bashkohet turmës në Maiduguri, por u vërejt dhe u detyrua që të kthehet në burg. Një ditë luftë- tarët erdhën te vajzat dhe i informuan ato se ishin të martuara. "Ata thanë se kanë gjetur burra për ne dhe se do të martoheshim. Ne refuzuam, por ata thanë se duhet që të shkojmë ose do të na rrihnin. Duhet të shkoni, sepse Imami ju ka martuar", ka thënë Noor. 

Image

U dërgua që të jetonte me një militant

Noor e bëri një përpjekje të fundit për të ikur në shtëpinë e babait të saj, por u ndoq dhe burrat erdhën për ta marrë atë të nesërmen. "Kur erdhën militantët në shtëpi ata thanë se nëse nuk del jashtë do të të vrasim", ka thënë ajo. Ajo u dërguar që të jetojë me një militant që ishte vetëm pak vite më i vjetër se ajo. Nëse do të provonte që të ikë sërish asaj i thanë se do të vritej. Para dy muajsh, pas më shumë se një viti në mbajtje ajo e mblodhi forcën për të provuar ikjen e fundit, duke thënë se po shkonte ta vizitojë gjyshen e saj. Ajo eci për shtatë orë para se të arrijë në fshat në orën 01:00. U ndjeva shumë e sigurt dhe e lumtur kur e pashë gjyshen, u ndjeva sikur në shtëpi. U ndjeva sikur të isha kthyer në Bama. Gjyshja ime ishte duke fjetur, por kur u zgjuar ajo mendonte se është në ëndërr. Pas një jave, gjyshja e dërgoi në Bama ku u mor nga një organizatë civile dhe u dërgua në Maiduguri. Nëna e Noor e la bashkëshortin e saj që të merret me të bijën e traumatizuar, që është dashur që të jetojë me një vullnetare të UNICEF-it për ta mbrojtur atë pas kthimit. "Ajo është e lidhur me ta, asaj nuk mund t'i besohet", i kishte thënë babai i saj bashkëshortes, e cila këmbëngul që të luftojë për të bijën e saj. Tani e mbështetur nga nëna, Noor luan me të bijën e saj ndërsa koha e intervistës është koha e vetme kur i shkëlqejnë sytë.  

(Kosova Sot)