Plaçkitësit jashtë pushtetit

  • 23 July 2016 - 08:33
Plaçkitësit jashtë pushtetit

Zhbërja e monopoleve dhe zhbllokimi i konkurrencës

Partitë duhet të dëshmojë programe dhe kapacitete

Sipas Haki Shatrit, nëse dominojnë tipa njerëzish, që në shpirtin e tyre e kanë hajninë dhe krimin ekonomik, e plaçkën, kjo do të jetë e kotë, edhe nëse opozita bëhet pozitë, nëse ajo e merr atë kategori njerëzish dhe ata do të vazhdojnë me të njëjtën "këngë", sikurse pozita e tashme aktuale PDK-LDK

Pa reformimin e partive kosovare, përfshirë edhe këto që janë në opozitë, nuk priten ditë shprese për ngjalljen e ekonomisë në Kosovë. Kështu vlerësojnë analistë dhe përfaqësues të bizneseve në vendin tonë, të cilët drejtojnë akuza ndaj koalicionit aktual PDK-LDK, por nuk kursejnë kritika as ndaj partive në opozitë, sidomos ndaj atyre që e treguan veten sa ishin në pushtet. Këshilla që e dhanë njohësit e kësaj fushe për opozitarët e sotëm është se nëse ata do të dalin fitimtarë në zgjedhjen e paralajmëruara vitin e ardhshëm, duhet të shkëputen nga e kaluara dhe në postet kyçe të emërojnë njerëz të ndershëm dhe me tradita familjare e atdhetare, me kushtin që ata duhet edhe që të jenë ekspertë të fushave, ku do të emëroheshin. Lideri i AKB-së, Agim Shahini, vlerëson se është shumë e vështirë të vlerësohet se si do të reagonte opozita ndaj monopoleve, ndaj konkurrencës së dëmtuar dhe të këqijave të tjera që e kanë mbërthyer vendin. I pari i AKB-së tha se pa reformimin jo vetëm të pushtetarëve aktualë, por edhe pa një reformë rrënjësore të opozitës është e vështirë të ketë ndryshime serioze. 

Njerëzit e zotë të emërohen në postet ekzekutive

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri (AAK), tha se secili koalicion qeverisës kur e merr pushtetin, në radhë të parë duhet ta respektojnë Kushtetutën e vendit tonë, sepse ekonomia e vendit është përcaktuar për një ekonomi të tregut lirë të tregut dhe të konkurrencës së lirë. "Pra, duhet që të respektohen rregullat e Ligjit të tregut mbi konkurrencën. Prandaj, çdokush që nuk po i respekton këto, kjo do të thotë se e ka shkelur Ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës", u shpreh më tej ai, duke ua hedhur fajin për lejimin e monopoleve partive në pushtet. "Mendoj se nëse cilado parti pas zgjedhjeve do të marrë votat që të qeverisin me vendin si duhet, pikësëpari asaj i nevojitet që në radhë të parë të përzgjedhin personalitete dhe individë, që në shpirtin e tyre nuk e kanë në planin e parë hajninë, korrupsionin dhe krimin ekonomik dhe lakminë", theksoi ai. Sipas Shatrit, nëse dominojnë tipa njerëzish që në shpirtin e tyre e kanë hajninë dhe krimin ekonomik, e plaçkën, kjo do të jetë e kotë, edhe nëse opozita bëhet pozitë nëse ajo i merr atë kategori njerëzish që janë rrugaçë dhe ata do të vazhdojnë me të njëjtën këngë, sikurse pozita e tashme aktuale PDKLDK. "Edhe kjo pozitë që është në pushtet që po të kishin emërtuar në postet kyçe njerëz dhe personalitete me një të kaluar familjare dhe individuale e profesionale dhe me një disponim shumë më të sinqertë ndaj çështjes së vendit, edhe ata do të mundnin që të qeverisnin si duhet", pohoi Shatri.

Kërkohen zgjidhje konkrete, jo fjalë

Eksperti i ekonomisë, Nazmi Mustafa, ish-kryetar i OEK-ut, tha për "Kosova Sot" se ndryshimet për të mirë mund të ndodhin me njerëz të ndershëm dhe me specialistë të shkolluar e jo me fjalë. Sipas Mustafës, as opozita nuk ka dhënë ndonjë zgjidhje konkrete. "Sepse fundja nuk është vetëm për të kritikuar, por edhe për të gjetur zgjedhje me programe konkrete se si do të zgjidhet një çështje kruciale, siç është rasti i luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit e monopoleve në shumë fusha ekonomie, që kanë zënë rrënjë në vendin tonë", është shprehur Mustafa. Ndërsa ekonomisti Ardi Nokaj vlerëson se as opozita e tashme po erdhi në pushtet nuk do të jenë aspak më të mirë se sa pushtetarët aktual. "E them këtë ngase shumë nga të këqijat e tashme në ekonominë e brishtë të Kosovës që kanë zënë rrënjë, si është monopoli në ekonomi e disa çështje të tjera që lidhen me krimin dhe haraçin në kohën, kur me vendin po qeverisnin një pjesë e opozitarëve aktualë", theksoi më tej ai.

Qeverisje për përfitime personale

Duke kritikuar mënyrën se si qeverisi ish-ministri Fatmir Limaj apo se si qeveris lëvizja "Vetëvendosje" në Prishtinë", Nokaj thotë se dyshon në sinqeritetin e opozitës. "Jam i mendimit se edhe pozita, por edhe opozita jonë kanë nevojë imediate për reformimin të brendshëm, sepse me mënyrën e poshtër të qeverisjes së tyre të deritashme të dyja palët kanë dëshmuar se ata kanë qeverisur me vendin për t'u pasuruar vetë dhe klanet dhe militantët e tyre partiakë, por jo nuk e patën edhe qëllimin primar për ta zhvilluar Kosovën", është shprehur ai. Ndërkaq, eksperti i integrimeve evropiane, Nëntor Shaqiri, vlerëson se e keqja në këtë mesele është se partitë tona, kur po janë në opozitë, më pas po ndryshojnë me të ardhur në pushtet. "Koha ka treguar që secila parti politike ekzistuese në momentin që ka ardhur në pushtet atyre iu ka ëmbëlsuar pozita e të qenit pushtetarë dhe ata më pas vetëm kanë shikuar që të përfitojnë maksimalisht gjatë mandatit, që e marrin dhe sa qeverisin", tha ai. 

(KOSOVA SOT)