Komisionit të Venecias t'i kërkohet mbështetje për reformën

  • 23 July 2016 - 08:27
Komisionit të Venecias t'i kërkohet mbështetje për reformën

Pas konsensusit në Shqipëri, shtohet presioni për drejtësinë në Kosovë

Prishtina zyrtare mund ta marrë modelin e miratuar në Tiranë 

Analisti politik dhe juridik, Mazllum Baraliu tha për gazetën "Kosova Sot" se në këtë drejtim, Kosova mund të kërkojë ndihmë nga Komisioni i Venecias, anëtar i të cilit tashmë jemi ne, dhe mund të kërkojë ndihmë, po ashtu, edhe nga shtetet që kanë ekspertë, si nga SHBA-ja dhe ato të BE-së, të cilat, sipas tij, nuk do të hezitonin që të ofrojnë ndihmën e tyre teknike në reformimin e ngjashëm me atë në Shqipëri edhe në Kosovë

Reforma në sistemin e drejtësisë, e cila u miratua të enjten nga Parlamenti shqiptar, sipas njohësve të kësaj fushe duhet të jetë udhëtregues se nga kush duhet kërkuar ndihmë edhe vendi ynë. Por, mbetet dilemë se a është i gatshëm shteti i Hashim Thaçit dhe Qeveria e Isa Mustafës që të kërkojnë një asistencë nga Shqipëria, në mënyrë që ta adaptojnë reformën në drejtësi. Kjo sepse sistemi i drejtësisë te ne ka nevojë për një pastrim të madh në radhët e veta, në mënyrë që të mbesin ata që duan të punojnë dhe të filtrohen ata që nuk janë të aftë dhe të guximshëm për ta kryer detyrën e tyre sipas ligjit. Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se Kosova duhet të jetë e gatshme për të pranuar ndihmën profesionale nga Shqipëria dhe nga miqtë ndërkombë- tarë. Po ashtu, sipas tij, Kosova sa më parë që të kontaktojë me Komisionin e Venecias, i cili ka punuar në hartimin dhe përpilimin e koncepteve bazike të asaj Kushtetute, është më mirë për vendin. " Pastaj duhet të kërkojë edhe ndihmën profesionale të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët kanë punuar në ndryshimet substanciale të Kushtetutës së Shqipërisë, e cila bën një ndryshim rrënjësor në sistemin e drejtësisë, me ç'rast kanë dhënë shpresën se ai vend do të ndryshojë në të gjitha planet, prandaj është mirë që edhe Kosova të nisë projektin për reforma dhe ndryshime qysh tani, sepse mjaft jemi vonuar", ka theksuar ai, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Të ndahemi nga sistemi i kaluar

Më tej, Dibrani ka nënvizuar se Kosova ka nevojë për ndryshime, e që, sipas tij, ato ndryshime nuk vijnë nga mendjet e mykura që kanë bartur virusin e së keqes nga sistemi paraprak, metodologji e cila, siç tha, tashmë po shihet se nuk paska qenë zgjidhje e duhur. " Vetëm tashti mund të besojmë se edhe në sistemin e kaluar janë këto kuadro që i kanë zvarritur lëndët nga njëra shkallë në shkallën tjetër, pa u merakosur fare për fatin dhe jetën e qytetarëve, prandaj edhe në Kosovë duhet me ligj t'u ndalohet vazhdimi i punës kuadrove të cilat vijnë nga sistemi i kaluar bashkë me bagazhin e atyre shpërfilljeve, duke ndikuar negativisht edhe në të tashmen përplot hipoteka. Po ashtu, do të ishte mirë që të gjithë atyre që nuk kanë dhënë shenja se do të reformojnë sistemin e drejtësisë, me ligj t'u ndalohet ushtrimi i mëtutjeshëm i veprimtarisë së tyre, ngase besoj se Kosova ka kuadro të mjaftueshme, pasi, siç dihet, një pjesë e tyre janë shkolluar dhe specializuar jashtë vendit, andaj këtë gjeneratë duhet angazhuar dhe duhet besuar udhëheqjen e reformave në drejtësi", ka thënë ai. Ndërsa, sa i përket asaj nëse modeli i Shqipërisë për reformimin e drejtësisë do të ishte plotësisht adekuat edhe për Kosovën, Dibrani thotë se gjithkund në botë ligjet janë më të aplikueshme brenda një kombi, i cili edhe gjeografikisht, por edhe në aspektin kulturor, i kanë tiparet e njëjta, andaj, sipas tij, do të ishte mirë që Kosova pa shpenzuar aq shumë para të lidhte marrëdhënie kontraktuale me Shqipërinë nga e cila mund të huazohen kuadrot që kanë punuar dhe përgatitur Kushtetutën e re të Shqipërisë. " Natyrisht, edhe te ne duhet t'u pamundësohet vazhdimi i avazit të vjetër të gjithë prokurorëve dhe gjykatësve për të kaluar gradualisht sistemi i drejtësisë te një brez tjetër, i cili pastaj do t'i kalonte nëpër filtër të verifikimit moral dhe profesional edhe gjykatësit dhe prokurorët e rinj, të cilët në këto vite kanë mundur të bëhen ose të bien pre e grupeve dhe oligarkisë politike", potencoi Dibrani.

Kosova në fazën fillestare të shtetndërtimit

Analisti politik dhe juridik, Mazllum Baraliu tha për gazetën "Kosova Sot" se në këtë drejtim, Kosova mund të kërkojë nga Komisioni i Venecias, anëtar i të cilit tashmë jemi ne, dhe mund të kërkojë, po ashtu edhe nga ekspertët, gjegjësisht shtetet që kanë ekspertë, si nga SHBA-ja dhe ato të BE-së, të cilat, sipas tij, nuk do të hezitonin që të ofrojnë ndihmën e tyre teknike në reformimin e ngjashëm me atë në Shqipëri edhe në Kosovë, derisa, siç ka thënë, modeli i Shqipërisë do të ishte adekuat edhe për Kosovën. "Nuk është se ne kemi ndonjë traditë më të madhe, përkundrazi kemi më pak traditë se Shqipëria në shtetndërtim, pasi ajo ka kaluar 100 vjet të shtetit të pavarur, ndërkaq ne dihet sa vjet kemi dhe jemi në fazën fillestare të shtetndërtimit, andaj sigurisht se mund të mësohet edhe nga Shqipëria, por mund të mësohet më tepër edhe nëse ekziston vullneti i mirë që të reformohet sistemi i drejtësisë që të spastrohet nga të gjitha ato lëngata dhe lëndimet që i ka në mënyrë që thjesht të shkojmë përpara edhe ne në frymën e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në integrimet evropiane", tha ai. Më tej, Baraliu ka thënë që problemet te ne në sistemin e drejtësisë janë më të shumta dhe të thella se sa në Shqipëri dhe në shtetet e tjera, për arsye, siç tha, të përvojës së shtetndërimit, që e kemi më të pakët ne, pasi jemi shteti më i ri në Evropë në krahasim edhe me shtetet e Ballkanit, por edhe me shtetin shqiptar.

AAK-ja mbështet modelin shqiptar

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAKsë, Pal Lekaj thotë se sa i përket reformës në drejtësi, Shqipëria e ka gjetur një konsensus partiak e nacional, ngase, sipas tij, për herën e parë bëhet një reformë e thellë në drejtësi, duke i paraprirë kësisoj një fillimi të një shteti të së drejtës dhe të guximshëm sa i përket dekriminalizimit të shoqërisë dhe institucioneve në përgjithësi. " Prandaj, në këtë drejtim, edhe Kosovës i duhet një reformë e thellë e drejtësisë dhe si shembull tipik mund të merret Shqipëria, dhe nuk duhet të hezitojmë në këtë drejtim, ngase dihet se ne i kemi institucionet e brishta të drejtësisë dhe sa më parë që të bëhet dekriminalizimi i institucioneve dhe në përgjithësi si shoqëri ne do të ecnim përpara dhe rrjedhimisht do të fillonte një themel i një shteti të së drejtës". Ndërkaq, duke iu referuar asaj se nëse duhet të bëhet një spastrim i gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kanë punuar në ish- sistemin e kaluar, Lekaj ka nënvizuar se çdo sistem i ka pasur të metat e veta."Nuk guxojmë që ne t'i mbizotërojmë ata ekspertë, të cilët kanë punuar në një sistem shtypës dhe që mund të jenë të shantazhuar, ngase në drejtësi duhet që njerëzit të jenë kredibilë, të fuqishëm dhe që punojnë në të mirën e së drejtës dhe të vendit", ka deklaruar kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, për gazetën "Kosova Sot". 

(KOSOVA SOT)