OSHP-ja injoroi 70 për qind të rekomandimeve

  • 24 July 2016 - 08:38
OSHP-ja injoroi 70 për qind të rekomandimeve

Konstatohen dobësi në prokurim.

ZAP-i ka thënë se kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit i ka marrë në konsideratë dhe është pajtuar me gjetjet dhe konkluzionet e auditimit në këtë raport, si dhe është zotuar se do t'i adresojë rekomandimet e dhëna,raporton Gazeta Kosova Sot 

Në raportin e auditimit nga ZAP-i, për pasqyrat financiare të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2015, thuhet se në vitin 2015 OShP-ja kishte shpenzuar 98% të buxhetit final që është në nivel të njëjtë, krahasuar me vitin 2014, derisa sipas këtij raporti buxheti final është më i ulët se buxheti fillestar për 21,097 euro, pasi kjo zbritje, sipas ZAP-it, është rezultat i rishikimit buxhetor dhe në pajtim me vendim të Qeverisë. ZAP-i, tek realizimi i buxhetit, thotë të ketë gjetur se edhe pse realizimi i buxhetit sipas kategorive ishte në përgjithësi në nivelin e pritur, ka dallime të konsiderueshme në nivel të kodeve ekonomike - në rang prej 26% deri në 400%. Kishte edhe mospërputhje mes planit të rrjedhës së parasë dhe realizimit në secilin muaj të vitit. Raste ekstreme janë muaji janar kur ishin planifikuar të shpenzoheshin 12,000 euro dhe ishin shpenzuar vetëm 6,997 (42% më pak) dhe muaji dhjetor kur ishin planifikuar 7,355 euro, ndërsa ishin shpenzuar 13,760 (87% më shumë). Realizimi për komunali ishte vetëm 53% e buxhetit final ndërsa vetëm 26% të buxhetit fillestar. OSHP-ja kishte kërkuar buxhet prej 1,000 euro për të mbuluar shpenzimet e rrymës edhe pse ato paguhen nga Ministria e Administratës Publike. Këto çështje tregojnë për mungesë të planifikimit detal nga stafi i OSHP-së". Rreziku i kësaj sipas ZAP-it është se planifikimi i dobët në nivel të kodeve ekonomike mund të rezultojë në gabime në përgatitjen e buxhetit të përgjithshëm dhe dobësitë në rrjedhën e parasë mund të rezultojnë që pagesat të mos kryhen brenda afateve ligjore.

Shkeljet në tenderë E gjetura tjetër e këtij raporti janë edhe dobësitë sistematike në prokurim."Ne kemi identifikuar tri raste se pagesa e faturave për mallrat/shërbimet e furnizuara nuk ishte bërë në afatin e përcaktuar ligjor prej 30 ditëve. Mosrespektimi i afateve ligjore mund të ndikojë që operatorët ekonomikë të njëjtë t'i shmangen bashkëpunimit me OSHP-në në të ardhmen ose do të rezultojë në sfidë. Kryetari i OSHP-së të sigurojë se pagesa e faturave të pranuara të bëhet në afatin e përcaktuar ligjor". Po ashtu e gjetur është edhe tek dobësitë josistematike të prokurimit, ku thuhet se sasitë e përafërta për furnizim me material zyrtar formalisht ishin specifikuar në planin e prokurimit, por jo edhe në dosjen e tenderit, ndërsa gjatë vlerësimit nuk janë marrë parasysh as ato të specifikuara në plan. Mospërfillja e sasive të përafërta në dosje të tenderit mund të rezultojë me kosto shtesë për shkak se mbështetja në çmim për njësi nuk e adreson ekonominë e shkallës. Kryetari të sigurojë se të gjitha kontratat kornizë përmbajnë sasitë e përafërta të mallrave që pritet të blihen gjatë kohëzgjatjes së kontratës". Sipas ZAP-it, dobësi kishte edhe në kontrollet menaxheriale, ku thuhet se "për shkak se formati optimal i raportimit nuk ishte përmirësuar, raportet aktuale financiare nuk ofrojnë. Nivel të mjaftueshëm të hollësive mbi depozitat/të hyrat, përfshirë datën kur depozita e kthyer është pranuar dhe informacion se sa prej ankesave të pashqyrtuara/në shqyrtim i takojnë periudhës raportuese e sa periudhës paraprake. Raportimi jo i plotë mund të rezultojë në dështim në shndërrimin e depozitave në të hyra kur kushtet për të bërë këtë të jenë plotësuar (në pajtim me rregulloren) dhe pamundë- sojnë vlerësimin adekuat të kapaciteteve për të shqyrtuar ankesat duke rrezikuar të shkaktohen vonesa". 

Rekomandimet e ZAP-it ZAP-i i ka rekomanduar kryetarit se duhet të sigurojë një rishikim për të përcaktuar formën e raportimit financiar, i cili kërkohet që të mbështesë menaxhimin efektiv të veprimtarisë dhe të sigurojë se është bërë një zgjidhje e përshtatshme sa më shpejt që të jetë e mundur. ZAP-i më tej në raportin e tij për OSHP-në thotë se vetëm 30% e rekomandimeve të vitit të kaluar janë implementuar, sepse OSHP-ja nuk ka ndjekur ndonjë proces formal për të menaxhuar dhe monitoruar mënyrën e implementimit të rekomandimeve të APve."Dështimi në implementim të rekomandimeve rezulton në vazhdimësi të dobësive të kontrolleve të brendshme dhe në dobësi të tjera qeverisëse që e zvogëlojnë efektivitetin e operacioneve të OShP-së, p.sh. formati dhe përmbajtja e raporteve mbi të hyrat nuk është përmirësuar". Kësisoj, ZAP-i i ka rekomanduar kryetarit se duhet t'i japë prioritet implementimit të të gjitha rekomandimeve të auditimit dhe të sigurohet që plani i veprimit menaxhohet në mënyrë proaktive, i cili duhet të përmbajë hollësi lidhur me stafin llogaridhënës dhe afat kohor për implementimin e secilit rekomandim dhe implementimi i planit të veprimit duhet të rishikohet nga kryetari në baza mujore. 

(Kosova Sot)