Morën peng një person se nuk u ktheu borxhin, arrestohen 3 persona

  • 24 July 2016 - 10:17
Morën peng një person se nuk u ktheu borxhin, arrestohen 3 persona
Gjykata e Shkodrës ka dhë në ditën e djeshme masën e sigurisë “Arrest me burg” për - shtetasit Sandër Shtogaj, Pëllumb Shtogaj dhe Mendim Isufaj, të dyshuar se kanë marrë peng një person për disa orë, për shkak të një borxhi të pakthyer. Burime zyrtare nga Prokuroria e Shkodrës kanë bërë me dije se hetimet për këtë rast nisën në bazë të referimit të Drejtorisë së Policisë Shkodër, si edhe veprimet proceduriale janë zhvilluar në bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve. Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria thotë se në datë 10 shkurt 2016, vëllezërit Sandër e Pëllumb Shtogaj, si edhe miku i tyre Mendim Isufaj, kanë marrë peng gjatë natës shtetasin me inicialet Z. K. Ky i fundit kishte marrë tek vëllezërit Shtogaj shumën prej 2.000 euro, të cilën duhej t’ua kthente me interes të lartë.

I dëmtuari Z. K., nuk u është përgjigjur në kohë për kthimin e borxhit të marrë, së bashku me interesa dhe, për këtë arsye mbrëmjen e datës 10 shkurt ai është rrëmbyer dhe mbajtur peng për disa orë nga të dyshuarit. Z. K., është liruar disa orë më pas, pasi ai ka pranuar të nënshkruajë një kontratë noteriale, në bazë të të cilës u detyrohej vëllezërve Shtogaj në shumën prej 2.5 milionë lekë të reja, pra rreth 10 herë më shumë se sa shuma reale që kishte marrë borxh. Kallëzimi Dy ditë pasi u mbajt peng për disa orë, shtetasi Z. K., ka bërë kallë- zim në Policinë e Shkodrës, e cila referoi materialin në Prokurorinë e Shkodrës, ku u regjistrua procedimi për veprat penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë” dhe “Vetëgjyqë- sisë”, e kryer në bashkëpunim. Në bazë të veprimeve proceduriale, Prokuroria thotë se u arrit të faktohej me prova shkencore se autorët e dyshuar janë shtetasit Sandër Shtogaj, Pëllumb Shtogaj dhe Mendim Isufaj.

Prokuroria e Shkodrës kërkoi në Gjykatë caktimin ndaj tyre të masës së sigurisë “Arrest me burg”, gjë e cila u pranua nga gjykata. Vendimet e gjykatës janë ekzekutuar gjatë ditës së djeshme nga ana e forcave të Policisë së Shtetit. Hetimi i Policisë dhe Prokurorisë Shkodër lidhur me këtë ngjarje ka zgjatur rreth pesë muaj, çka solli si përfundim prangosjen e tre autorëve, të vënë tashmë përballë dy akuzave. Përgjatë mbrëmjes së djeshme ata i janë nënshtruar procedurës së marrjes në pyetje, të cilët kanë dhënë shpjegime mbi veprimet e kryera në bashkëpunim. Ditën e nesërme ata do të dalin përsëri në Gjykatë, të cilëve do t’u komunikohet masa e sigurisë.

A. D.

(Kosova Sot)