Bujar Nishani, fillon sot vitin e fundit si president

  • 24 July 2016 - 12:43
Bujar Nishani, fillon sot vitin e fundit si president

Bujar Nishani do të nisë sot vitin e fundit të “mbretërimit” në Presidencë, pasi ai më 24 korrik 2017 do të mbyllë mandatin si President i Republikës. I zgjedhur nga Kuvendi, Nishani u betua më 24 korrik 2012 dhe ora 18:00 e ditës së sotme shënon plot 4 vjet të ish-deputetit demokrat në krye të shtetit. Ai nuk e ka fshehur dëshirën për të rikandiduar gjatë vitit të ardhshëm, por këtë duhet pritur ende dhe disa muaj.

Në bazë të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Mandati i tij përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo.

Ligji Themeltar përcakton se, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Në këtë rast, procedura e zgjedhjes së Kreut të Shtetit duhet të nisë të paktën më 24 maj 2017. Megjithatë, vitin e ardhshëm mbarimi i mandatit të Presidentit do të “përplaset” edhe me mbarimin e mandatit të Kuvendit. “Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit”, shprehen Kushtetuta.

(Kosova Sot)