Përfundon investimi te “Bërryli”, Veliaj: Ndërhyjmë në 50 lagje deri në fund të vitit

  • 24 July 2016 - 14:11
Përfundon investimi te “Bërryli”, Veliaj: Ndërhyjmë në 50 lagje deri në fund të vitit

Blloku i banimit në afërsi të zonës së “Bërrylit” ka marrë një pamje krejt të re. Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të infrastrukturës rrugore në këtë bllok pallatesh, duke sjellë një standard të ri në rrugë, trotuare, kanalizime dhe ndriçim.

Përfundimi i punimeve është inspektuar nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, i cili tha se, edhe pse me fonde të pakta, bashkia po angazhohet për të garantuar standarde më të mira jetese për çdo banor të Tiranës.

“Falënderoj banorët për mirëkuptimin dhe respektin që kanë treguar për punonjësit e bashkisë, teksa kemi kryer këtë investim. Ju e dini fare mirë që Bashkia nuk është në gjendjen më të mirë financiare, por si çdo familje kandiset me atë që ka, edhe Tirana është familja jonë e madhe dhe pavarësisht vështirësive kemi filluar të ndërhyjmë lagje më lagje”, tha Veliaj.

Ai shtoi më tej se është e rëndësishme, që çdo qytetar të kontribuojë edhe për mirëmbajten e këtij investimi.

“Ky është një kontribut vetëm i Bashkisë së Tiranës, çfarë do të thotë që ku ka vullnet, ka një rrugëzgjidhje. Tani është në dorën tonë që t’i mirëmbajmë, të denoncojmë kur dikush dëmton trotuaret, çan asfaltin, kur dikush fillon e ngul kangjella, apo saldon shufra hekuri, për të na krijuar mure dhe barriera me njëri-tjetrin”, tha Veliaj.

Ai premtoi gjithashtu një kënd lojërash për fëmijët edhe në këtë zonë.

“Ne kemi qenë te Materniteti i Ri, aty ku po bëjmë një kënd të bukur lojërash, siç është ai te ‘Mine Peza’, ai që po bëjmë te Presidenca, apo ai te liqeni, që edhe vogëlushët tanë të kenë një hapësirë ku të mund të luajnë dhe një hapësirë dinjitoze për të kaluar kohën”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se të tjera projekte janë në proces, siç është ai i administratorëve, për të cilët sërish duhet bashkëpunimi i çdo qytetari. Veliaj shtoi se deri në fund të vitit do të ndërhyhet në plot 50 lagje.

“Ne planifikojmë që deri në fund të vitit të ndërhyjmë në 50 lagje. Unë besoj se duke ndërhyrë në kaq shumë lagje kemi kaluar nga investimet, që bëheshin vetëm në bulevardin kryesor dhe në qendër të Tiranës, në nivel kapilar në çdo lagje, por kërkoj që t’i ruajmë e t’i gëzojmë bashkë”, deklaroi Veliaj.

Falë ndërhyrjes së bashkisë në Njësinë Nr. 3 është bërë i mundur asfaltimi i rrugëve, riparimi i plotë i rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve, janë krijuar trotuaret dhe janë shtruar me pllaka, janë liruar hapësirat e zëna publike, janë shtuar hapësirat e gjelbërta, ndërkohë që është vendosur dhe sistemi i ndriçimit dhe sinjalistikës.

(Kosova Sot)