“Polici që ka pohuar se Ndrecaj është vrarë pas arrestimit ka qenë i hutuar, ose i çorientuar?”

  • 24 July 2016 - 16:10
“Polici që ka pohuar se Ndrecaj është vrarë pas arrestimit ka qenë i hutuar, ose i çorientuar?”

Ministri maqedonas i Punëve të Brendshme Mitko Çavkov nuk ka përjashtuar mundësinë që gjatë seancës së fundit gjyqësore për Kumanovën, dëshmitari i mbrojtur – pjesëtar i policisë të ketë thënë se Mirsad Ndrecaj ishte arrestuar i gjallë gjatë aksionit policor në Lagje e Trimave. Por, Çavkov më tej ka thënë se dëshmitari deklaratën mund ta ketë bërë i hutuar ose në gjendje të rëndë psikologjike.

“Nuk dua të ndërhyj në këtë, dëgjova se kjo ka qenë në vetë seancën gjyqësore, megjithatë besoj se mbrojtja dhe prokuroria do t’i pastrojnë këto dilema ose nuk di si do t’i kisha quajtur. Mendoj se nuk është aspak dilemë por është ndonjë huti gjatë dhënies së deklaratës, kështu që duhet të keni mirëkuptim edhe për momentet psikologjike derisa zgjatin proceset e tilla”, tha Mitko Çavkov, ministër i punëve të brendshme.

Pardje avokatët e rastit Kumanova njoftuan se rryma dhe defektet teknike ishin shkak për ndërprerjen e seancës gjyqësore, por sipas të përditshmes Lajm shkaku i vërtetë ka qenë dëshmia e një polici pjesëmarrës në aksionin “Lagja e Trimave”. Ky i fundit në dëshminë e tij e ka pranuar se Mirsad Ndrecaj është arrestuar i gjallë nga policia.

Televizioni Alsat vitin e kaluar siguroi një dokument me shenjën “Shumë urgjent” që pretendohet të jetë i Ministrisë së Punëve të Jashtme e cila njoftonte ambasadën e Kosovës në Shkup me identitetin e personave të dorëzuar. Në listë ndodheshin edhe emrat e Mirsad Ndrecajt dhe Beg Rizajt, për të cilët në letër thuhej se ishin arrestuar. Se çfarë ka ndodhur me këta dy persona që më pas rezultuan të vrarë, mbetet të përgjigjen institucionet e vendit apo nëse institucionet kosovare kërkojnë hetim të ri.

(Kosova Sot)