Frikë e madhe nga reforma

  • 24 July 2016 - 08:24
Frikë e madhe nga reforma

Politikën dhe institucionet e Kosovës i mbulon heshtja .

Analistët kanë thënë për gazetën "Kosova Sot" se të gjithë frikësohen nga ndëshkimi, prandaj nuk po ndërmerren hapa konkretë për reformimin e sistemit gjyqësor në Kosovë, duke mbajtur peng sundimin e ligjit,raporton gazeta Kosova Sot

Shteti shqiptar, tashmë përmes reformës së miratuar ditë më parë në drejtësi, ka eliminuar kësisoj të gjitha gjërat negative dhe devijonte, që e kanë përcjellë ndër vite drejtësinë atje. Por, për dallim nga vëllezërit tanë përtej kufirit, tek ne si duket gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe të lidhur me oligarkët financiarë të bizneseve dhe mafio-politikës po i frikësohen një reforme të tillë sikurse në Shqipëri. Andaj, në këtë drejtim është shtruar edhe pyetja se përse po hesht KGJK-ja dhe KPK-ja, por edhe Ministria e Drejtësisë, bashkë me politikanët e papërgjegjshëm kosovarë, duke mos bërë asnjë reagim apo lëvizje drejt një reforme të thellë në drejtësi? Ky në fakt duhet të jetë momenti i fundit që bashkësia ndërkombëtare të jetë më e kujdesshme si asnjëherë më parë me politikën kosovare, ngase mbështetja edhe më tutje e kësaj politike të degraduar në pushtet nga ndërkombëtarët vetëm sa do ta acaronte gjendjen edhe më shumë tek qytetarët, pasi populli është lodhur me këtë qeverisje të keqe. Analisti Shefqet Dibrani në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se të gjithë frikësohen nga ndëshkimi, madje, sipas tij, kjo është edhe njëra nga arsyet që nuk po i lejon gjyqtarët dhe prokurorët për të marrë hapa konkretë për reformimin e sistemit gjyqësor në Kosovë. "Natyrisht të gjithë ata të cilët e dinë se kanë bërë shkelje ligjore ose kanë neglizhuar procese të caktuara, u frikësohen reformave dhe shtetit ligjor", ka theksuar ai.

Zyrtarët janë të zhytur në paligjshmëri Ndërsa, sa i përket heshtjes së KGJK-së, apo edhe KPK-së , por edhe Ministrisë së Drejtësisë, lidhur me reformën, së bashku me politikanët e papërgjegjshëm, të cilët nuk kanë bërë asnjë reagim, Dibrani ka nënvizuar se është e natyrshme se njerëzit që drejtojnë institucionet janë përgjegjës për drejtësinë dhe për t'iu prirë reformave."Kur në veprime kriminale dhe antiligjore janë të zhytur vetë zyrtarët, atëherë kemi hezitim, kemi pengesa dhe sabotime prej më të ndryshmeve, pasi si duket ndjekin një metodologji të njohur, e cila thotë: Nëse nuk mund të pengohet një proces, zvarritjet e reformave shtojnë shpresën se lëndët mund të vjetrohen, madje disave edhe mund t'u humbë aktualiteti, derisa në anën tjetër ato lëndë që mund të mbesin për gjykim, nuk është njësoj sikur në kohën kur ka ndodhur rasti e sikurse të mbahet një proces diku pas dy apo tri dekadave", ka thënë ai. Andaj, në këtë aspekt, Dibrani mendon se ka ardhur koha që edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë shumë më e kujdesshme, ndërsa reagimi i tyre tashmë duhet të jetë më efektiv. "Në një plan lihet përshtypja sikur bashkësia ndërkombëtare është dorëzuar para kriminelëve politikë e ekonomikë shqiptarë, të cilët tërë lojën e tyre e kanë bërë përpara syve të ndërkombëtarëve, për çka një pjesë e shoqërisë sonë është skeptike se do të ndodhë ndërhyrja e bashkë- sisë ndërkombëtare, por kur të kihet parasysh se procesi i reformave rrënjësore do kohë dhe përkushtim, mosndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare është pjesë e taktikës strategjike për ta gjetur kohën dhe momentin e duhur për të vepruar e reaguar", ka thënë ai. 

Ndërkombëtarët të mos rrinë indiferentë Dibrani thotë se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të qëndrojë indiferentë karshi kësaj të keqeje që po i kanoset Kosovës, e aq më pak, të anojë nga oligarkët politikë, të cilët i kanë shkaktuar kaq dhembje këtij populli, duke e varfëruar atë përtej të gjitha parashikimeve. "Andaj, bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë më shumë mirëkuptim ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët më shumë se kudo tjetër besojnë dhe shpresojnë tek bashkësia ndërkombëtare. Por, duket se ky besim kaq i theksuar e ka topitur edhe ndjenjën për të rezistuar e kundërshtuar të keqen që po vlon në Kosovë. E sa i përket rrëzimit të këtij regjimi dhe prangosjen e fajtorëve për gjendjen e krijuar, ne duhet të jemi më realistë, pasi në Kosovë ende nuk kemi një grup serioz që do të merrte përsipër ndryshimin e gjendjes, derisa politika strategjike e bashkësisë ndërkombëtare është se më e mirë është një qeveri dhe udhëheqje e keqe se anarkia dhe kaosi në Kosovë", është shprehur Dibrani. Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, tha për gazetën "Kosova Sot" se reforma në organet e drejtësisë duket se është e pashmangshme, duke pasur parasysh, siç tha, se që një kohë të gjatë po vazhdon të mbretërojë një sistem politik i lidhur me sistemin e drejtësisë. "Andaj, nëse nuk ndodh reforma, atëherë do të ketë një degradim edhe më të madh në drejtësi, ngase kjo klasë politike është korruptive, e paedukuar dhe me një keqqeverisje të madhe, dhe kësisoj presidenti është përgjegjës për tolerancën ndaj njerëzve të drejtësisë që mbajnë kontrata dytësore në sektorin privat dhe ku gjyqtarët janë me kontrata dytësore dhe biznesmenë, derisa presidenti nuk po e ndal këtë", ka potencuar ai.

Duhet ndalur punësimi i dyfishtë në drejtësi Burjani thotë se presidenti duhet t'i dërgojë njoftimin KGJK-së dhe KPK-së se nuk duhet të tolerohen kontratat dytësore për këta njerëz, dhe të njëjtit nuk duhet që të emërohen gjyqtarë, nëse nuk e ndalin biznesin me sektorin privat dhe publik. Më tej, Burjani ka nënvizuar se kjo politikë i ka bërë dëme të konsiderueshme edhe institucioneve të pavarura, ngase, sipas tij, të gjitha janë të politizuara, derisa shërbimi diplomatik shërben për punësimin familjar dhe partiak. "Prandaj, qytetarët dhe bota intelektuale shpresën e tyre e shohin vetëm me largimin e kësaj klase politike, si pozitës apo edhe opozitës, në të kundërtën këta kanë degraduar plotësisht jetën e qytetarëve", ka theksuar Burjani. Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, thotë se pa dyshim gjyqtarët apo prokurorët dhe kushdo që është në këtë zinxhirin e krimit të organizuar i frikohen reformës në drejtësi, derisa, sipas tij, asaj nuk i frikësohen ata që nuk kanë të bëjnë në këtë drejtim, por kërkojnë që në Kosovë të ketë një luftim të korrupsionit jo në mënyrë fushate, por në mënyrë sistematike, duke e përdorur ligjin dhe në bazë të tij dënohen ata që e bëjnë krimin apo korrupsionin, andaj, siç tha, në këtë drejtim çdokush që është i zhytur në këtë edhe heziton që të kemi reformë në drejtësi të ngjashme sikurse ka qenë edhe në Shqipëri. 

Për reformën duhet konsensus

Lekaj thotë se bashkësia ndërkombëtare, siç dihet, është e interesuar, por së pari duhet të jemi ne të interesuar që të kemi reformë të thellë në drejtësi dhe jo për hir të bashkësisë ndërkombëtare, por për hir të vendit dhe qytetarëve tanë, për çka jemi të thirrur që ta luftojmë për çdo ditë korrupsionin, krimin e organizuar dhe gjitha dukuritë negative që ndodhin në vend. "Mirëpo, edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë që të luftojë, pasi siç dihet është i instaluar një mekanizëm i Gjyqësorit, siç është EULEX-i, dhe nëse koordinohen këto dy palë dhe janë të interesuar besoj se do t'ia arrijnë suksesit". Më tej, Lekaj ka nënvizuar se ambasadorët që janë të akredituar në Kosovë dhe i kanë politikat e vendeve të tyre duke e zhvilluar dhe monitoruar sistemin, sipas tij, si rrjedhojë do të vijë edhe dita kur do të thonë stop, dhe siç tha " sikurse në Shqipëri siç është parë se çfarë presioni, çfarë konsensusi është arritur dhe kur bëhet diçka për të mirën e vendit ne duhet të kemi një konsensus nacional". 

(Kosova Sot)