Lisi shekullor magjeps fshatin

  • 24 July 2016 - 08:33
Lisi shekullor magjeps fshatin

Gjethet e tij, sipas banorëve, kanë fuqi mbrojtëse.

Në fshatin Hereq të Gjakovës është një lis shumë i vjetër, për të cilin askush nuk di të thotë saktësisht çfarë moshe ka, por supozohet të jetë 1000-vjeçar dhe shumica e banorëve të këtij fshati besojnë se ai ka "fuqi" çudibërëse, pasi "i mbron" nga të këqijat fshatin dhe fshatarët,raporton Gazeta Kosova Sot

Një ndër të drejtat elementare të njeriut është ajo e besimit në atë që dëshiron. Të besojë në atë që mendon se ka forcën e ndikimin në jetën e tij, në mirëqenien e tij. Ndryshe nga koha e monizmit komunist, kur nuk ishte fort e preferuar të shprehët publikisht as besimi në Zot, e lëre më besimet e tjera, tash, fatbardhësisht, kjo bëhet lirisht, kështu që ca prej njerëzve besojnë në xhami, të tjerët në tyrbe, në teqe, në kishë apo në manastir, dhe secili nga ata është i bindur, madje edhe i sigurt, se besimi i tij është më i arsyeshmi dhe më i forti. Tek e fundit, jo rastësisht, psikologët thonë se ai që beson diku, është më i fortë për të përballuar sfidat, është më i përmbajtur në veprimet e veta dhe më i arsyeshëm në raport me të tjerët, veti këto shumë të mirëseardhura për këdo. Në Botë ka shumë konfesione dhe secili pjesëtar i këtyre konfesioneve beson në të shenjtërit e vet. Në këtë drejtim shqiptarët llogariten ndër kombet më të privilegjuara për faktin se i takojnë tri besimeve - atij mysliman, të krishterë dhe ortodoks, bile duke ia dal që ato të bashkëjetojnë pa probleme.

Pema çudibërëse Kështu besimi në konfesione të ndryshme dhe në objekte të kultit as që paraqet ndonjë të veçantë, por çdo ditë jemi dëshmitarë që edhe në këtë fushë ka raste shumë interesante dhe të veçanta. Një ndër to, pa dyshim është edhe besimi që e kanë banorët e fshatit Hereq të komunës së Gjakovës. Pak sa e pabesueshme, por shumë nga banorët e këtij fshati besojnë në "fuqinë magjike" të një lisi shumë të vjetër që gjendet në këtë fshat. Në fakt, në oborrin e shtëpisë së familjes Aliaj të këtij fshati, është një lis shumë i vjetër, për të cilin askush nuk di të thotë saktësisht se çfarë moshe ka, por thuhet se është fjala për një lis 1000-vjeçar! "Do të duhej që unë ta di se prej kur është ky lis në këtë vend, por nuk e di. Këtë nuk e ka ditur saktësisht as gjyshi im, Ymeri (Alija), i cili ka rreth 50 vite që ka ndërruar jetë. Megjithatë, më kujtohet, kur isha fare i vogël, ai na rrëfente se gjyshi i tij i ka thënë se ky lis është shumë i vjetër, por as ai, sipas fjalëve të gjyshit Ymer, nuk e ka ditur saktë- sisht të thotë se sa është i vjetër ky lis", rrëfente ditë më parë Xhavit Alija nga Hereqi i Gjakovës. Shpresuam se diçka më shumë për moshën e këtij lisi do të na thoshte njeriu më i vjetër në këtë fshat, Ymer Binaku, që i kishte kaluar të nëntëdhjetat, por nuk doli ashtu. "Prej se kam lindur e mbaj mend këtë lis. Gjithnjë ka qenë i këtillë madhështor dhe shumë i bukur, bile edhe çudibërës, por nuk mund t'iu them se sa është i vjetër", shprehej xha Ymeri, duke shtuar si me shpoti "O burrë, përmi 1000 vjet i ka"!

Kush e krasiti, e pësoi Janë disa gjëra që edhe mund të mos dihen, por ajo që shihet ashiqare nuk mund të fshihet. Hereqasit nuk e dinë moshën e saktë të këtij lisi, "rrudhat" në trungun e së cilit mbase më së miri flasin se sa i vjetër është ai, por për pamjen e tij nuk ke nevojë ta pyesësh askënd. Ajo është madhështore, të impresionon. Por, në fakt, jo vetëm, mosha dhe pamja e tij, e bëjnë këtë lis shumë karakteristik. Shumë më tepër se kjo, është e dhëna se çka paraqet ky lis për hereqasit? Ata janë të bindur se ai ka "fuqi çudibërëse", se i mbron nga të ligat ata dhe tërë fshatin, prandaj edhe fshatarët "i përulën" lisit! Këtë e thotë edhe njëra nga anëtaret e familjes Alija, Shyhretja, e cila çdo ditë kujdeset për këtë lis, por edhe për varrezat e anëtarëve të familjes së saj që gjendën aty, afër lisit. "Pikë së pari, lisi "di të mbron veten"! Sipas asaj që kemi dëgjuar edhe nga paraardhësit tanë, kushdo që ka provuar ta dëmtoi këtë lis, e ka pësuar. Nga të vjetrit e fshatit tonë kemi dëgjuar se njëri kishte provuar me një rast që ta krasis këtë lis, por ishte rrëzuar nga lisi dhe e kishte thyer këmbën", rrëfente Shyhretja, duke shtuar se jemi vonuar paksa me vizitë këtij lisi, pasi, sipas saj, ai është posaçërisht i bukur në stinën e pranverës. 

Lutja për drurin

Hereqasit bindjen e tyre se ky lis ka "fuqi çudibërëse" e bazojnë në disa shpjegime. Ata thonë se "lutja" që i bëhet këtij lisi u sjell njerëzve mbrojtje dhe fat në jetë. "Nëse në pranverë, kur lisi mbushet me gjethe, e merrni me vete vetëm një gjeth të tij, do të jeni të mbrojtur nga të gjitha të këqijat. Me një dushk të tij xhep, është sikur të bartësh ndonjë hajmali(!)", flet me bindje të plotë zonja Shyhrete. Lidhur me këtë lis janë edhe disa rrëfime që, në shikim të parë, duken të pabesueshme, por të cilat banorët e këtij fshati i pranojnë si të pakontestueshme. Thuhet se lisi "nuk e duron teknologjinë bashkëkohëse"! Për ta ndriçuar atë edhe gjatë orëve të natës, në degët e tij e kishin vendosur një poç elektrik, por lisi nuk e kishte pranuar atë dhe poçi nuk kishte ndriçuar asnjëherë, edhe pse, siç pohohet, instalimin e kishin bërë profesionistët dhe aty nuk kishte lëshime! "Kjo do të thotë se lisi e pranon vetëm ndriçimin me qirinj", thonë hereqasit. 

(Kosova Sot)