Robotët një ditë do të bëhen më të shumtë se njerëzit

  • 24 July 2016 - 22:36
Robotët një ditë do të bëhen më të shumtë se njerëzit

Në filmin e vitit 2004, 'iRobot', personazhi i luajtur nga Will Smith duhet ta ndalë një ushtri të tërë robotësh nga të pushtuarit e botës. Ndonëse filmi ka qenë kryesisht fiktiv, hulumtimet e reja tregojnë që robotët një ditë do të jenë më të shumtë në numër sesa njerëzit, transmeton gazeta Kosova Sot.

Shkencëtarët tani kanë zbuluar një softuer të ri, që ua lejon robotëve t'i kontrollojnë robotët, për të cilët ekziston frika që një ditë do të bëhen më të shumtë në numër.

Secili njeri mund të ballafaqohet me një robot

Hulumtimi, që është realizuar në Universitetin e Teksasit është dorëzuar për publikim më herët gjatë kësaj jave. Shkencëtarët kanë qenë të interesuar në eksplorimin e mënyrës se si njerëzit do të jenë në gjendje ta mbajnë kontrollin mbi një numër të madh robotësh. Në shkrimin e tyre, ekipi i udhëhequr nga Dr. Luis Sentis, ka shkruar: "Robotët humanoidë një ditë me shumë gjasë do t'ua kalojnë njerëzve për nga numri, që i bie se secili njeri do të mund të jetë i detyruar të ballafaqohet me një numër robotësh". 

Softuerët, të gatshëm për t'u ngarkuar në celularë të mençur

Përderisa robotët industrialë mund të jenë të rrezikshëm fizikisht dhe mund të paraqesin kërcënimin për njerëzit, robotët humanoidë pritet të operojnë në mjediset tona me siguri të garantuar. Hulumtuesit kanë shtuar: "Aftësia për të punuar përkrah njerëzve në shtëpitë dhe vendet tona të punës e rrit në masë të madhe numrin e aplikacioneve për robotë humanoidë. Përkundër kësaj, kapacitetet e tyre të tanishme janë tejet të limituara". Hulumtuesit thonë që kjo shkallë e ulët e zhvillimit është për shkak të kostos së lartë të robotëve humanoidë, që ua pamundëson shumë njerëzve qasjen në harduerë. Ndonëse teknologjia e re është planifikuar që ta bëjë më të lehtë menaxhimin e një numri më të madh robotësh, kjo mund të shfrytëzohet shumë lehtë për krijimin e armiqve, të kontrolluar nga vetëm një person. Softuerët do të jenë të gatshëm për t'u ngarkuar në celularë të mençur, të cilët më pastaj do të përdoren për kontrollimin e një sërë makinash. 

(Kosova Sot)