Superqeveria nuk shfryhet

  • 25 July 2016 - 07:53
Superqeveria nuk shfryhet

PDK-ja dhe LDK-ja thonë se është vetëm një ide

Analistët propozojnë një Qeveri të reduktuar me pak ministri, shumë më pak këshilltarë dhe më funksionale. Por, politika kosovare duket se do të vazhdojë ta shfrytëzojë kabinetin e gjerë për të akomoduar interesat partiake,raporton Gazeta Kosova Sot

P as vizitës së zëvendëssekretares amerikane të Shtetit, Viktoria Nuland, në Kosovë, para disa ditësh, tema e riformatimit dhe racionalizimi i kabinetit qeveritar, që ishte ngritur si nevojë gjatë këtij takimi, u pranua edhe nga partnerët e koalicionit. Sido që të jetë ata nuk janë duke e marrë me nxitim realizimin e kësaj teme të biseduar me zyrtaren e lartë amerikane, dhe tani akoma nuk dihet nëse ky proces do të fillojë së shpejti apo do të pritet deri në miratimin e Ligjit për Qeverinë e Kosovës, mbi bazën e të cilit do të përcaktohej numri i resorëve ministrorë dhe rirreshtimi apo kombinimi i tyre sipas fushave specifike. Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, tha për "Kosova Sot" se përveç atij disponimi pozitiv, për të pasur një Qeveri më racionale sa u takon dikastereve ministrore, që ka dalë në opinion nga të dyja palët, ndonjë veprim konkret për ndryshim nuk është duke u bërë, sepse për këto çështje specifike duhet të bisedohet në nivel të kryesive të partive politike. Kryesia e PDK-së, sipas tij, pritet të mblidhet javën që vjen, por nuk dihet nëse aty do të diskutohet edhe kjo temë. 

Nuk ka asgjë konkrete Tema e riformatimit dhe ristrukturimit të kabinetit qeveritar nuk është shtruar si çështje urgjente as në LDK. "Tash për tash kjo është vetëm një ide dhe nuk ka asgjë konkrete, kështu që tani unë çka do që të them veç mund të them diçka për çka nuk kam as unë më shumë informacione", tha këshilltari i kryeministrit Mustafa dhe zëvendësministër i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj. Ai tha se kurdo që planifikohet të jetësohet kjo ide, duhet të merren paraprakisht vesh liderët politikë dhe vetëm pastaj të veprohet në gjetjen e zgjidhjeve praktike. Mirëpo, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që kjo temë të mbetet si ide deri në finalizimin e Ligjit për Qeverinë e Kosovës, ligj mbi bazën e të cilit do të përcaktohej numri i resorëve ministrorë dhe vetëm pastaj të shihet edhe mënyra e fuzionimit apo bashkimit të ministrive të ndryshme në një ministri, sipas fushëveprimit specifik, të ngjashëm që e mbulojnë. "Unë për vete, personalisht mendoj që fillimisht duhet të rregullohet- bëhet ligji, që mbi bazën e ligjit të merren vesh se kush ku do të fuzionohet, dhe vetëm kur të hyhet në këtë proces mund të shihet saktë se çka dhe si do të bëhet, mirëpo unë nuk besoj që do të ketë nguti në këtë punë, nuk ka indice se do të veprohet me nxitim", tha Gecaj për "Kosova Sot".

Ka vetëm presion ndërkombëtar, mungon vullneti politik Nga ana tjetër, analistët politikë, vetë hapjen e këtij debati brendapartiak për nevojën e mbështetjes së kërkesë për ndryshim dhe reduktim të dikastereve ministrore, e shohin zi një zhvillim nën trysninë e qartë të ndërkombëtareve, sidomos amerikanëve, ndryshe nuk do të kishim kurrfarë tregimi të vullnetit të njëanshëm politik për reduktim dhe ndryshim në përbërje të Qeverisë aktuale. Profesori universitar Nexhmedin Spahiu është më se i sigurt që këto ndryshime dhe reduktime do të ndodhin ditët në vijim, sepse politika kosovarë ka dëshmuar vazhdimisht që kur nuk ka vullnet të vetin për të vepruar pozitivisht, atë e bën nën pasionin ndërkombë- tar, e posaçërisht kur kërkesat vijnë nga miqtë amerikanë. Sipas Spahiut, Qeveria e Kosovës nuk do të duhej të kishte më shumë se 6 ministri, e së bashku me pozitën e kryeministrit të bëheshin krejt 7 resorë ministrorë të ekzekutivit të Kosovës. "Sikur mos të ishte ndërhyrja amerikane, Qeveria e Kosovës për çdo mandat do të shtonte numrin e ministrave dhe zëvendësministrave. Vetë numri i madh i anëtarëve të Qeverisë paraqet vepër korruptive të kryeministrit. Numri i anëtarëve të Qeverisë së Kosovës do të duhej të kufizohej me Kushtetutë, derisa të rritet vetëdija patriotike në Kosovë. Pozita e zëvendësministrit duhet të hiqet krejtësisht nga organogrami i Qeverisë, sepse është e kotë dhe e panevojshme. Në mungesë të ministrit, ai mund të autorizojë ndonjë këshilltar apo sekretarin permanent. Numri i këshilltarëve për ministra duhet të reduktohet në maksimum 3 këshilltarë për një ministër dhe 5 për kryeministrin. Zëvendëskryeministra duhen të jenë dy nga ministrat, por jo zëvendëskryeministër koti, pa udhëhequr asnjë ministri. Numri i ministrave duhet të jetë 6 në mënyrë që kryeministri të jetë i 7-ti.(Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)