Prokuroria fal 'Devollët' për skandalin e grurit

  • 25 July 2016 - 08:00
Prokuroria fal 'Devollët'  për skandalin e grurit

Nuk ka aktakuzë ndaj kompanisë që mashtroi Doganën dhe shtetin.

"Duke marrë parasysh se tashmë po dihet se organet e shtetit kanë dështuar në kryerjen e detyrave të tyre, atëherë domosdo duhet të involvohet edhe Prokuroria e Shtetit, duke ndërmarrë veprime hetimore jo vetëm kundër kompanisë importuese, por edhe ndaj organeve shtetërore, të cilat kanë bërë lëshime serioze dhe ndoshta të qëllimshme, duke dëmtuar shëndetin e qytetarëve dhe buxhetin e shtetit", tha deputeti Adem Salihaj për "Kosova Sot"

P rokuroria e Kosovës po vazhdon të mos flasë akoma rreth skandalit, që ka ndodhur me importimin e grurit kancerogjen për kafshë nga Kompania e Shkëlqim Devollit - Mc &Sillosi , pavarësisht që mashtrimi është zbardhur para pak ditësh edhe nga Dogana e Kosovës. Kompania 'Devolli', pronar i së cilës është Shkëlqim Devolli, me mashtrimin që e ka bërë me importimin nga Serbia të qindra mijëra tonelatave grurë kancerogjenë të dedikuar për kafshë, ua kishte shitur atë qytetarëve në Kosovë dhe Shqipëri për miell për bukë, derisa kishte shmangur detyrimet doganore, duke e bluar grurin në fabrikën e vet "M- Sillosi" për ta shitur në treg. Sipas gjetjeve të Doganave, 'Devolli Corporation' e ka dëmtuar shtetin në vlerë vetëm prej 489.762, 41 euro! Shkëlqim Devolli e ka mashtruar shtetin dhe qytetarët duke importuar ushqim për kafshë si krunde, bizele, e mbeturina të grurit dhe të njëjtat i ka shitur për miell për bukë për qytetarët e Kosovës! Këtë mashtrim ai e ka bërë duke e deklaruar ushqim për kafshë, e në këtë mënyrë malli i importuar nuk i nënshtrohet Doganës, për shkak se "gruri është i thyer dhe përdoret vetëm për kafshë". Deri më tani ky megaskandal akoma nuk e ka zgjuar për veprim Prokurorinë e Shtetit, edhe pse kanë kaluar më shumë se 12 muaj nga gjetjet definitive te Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i Kuvendit të Kosovës ndaj importit të disa dhjetëra mijëra tonë të grurit të mykur për shtazë dhe të dyshuar si kancerogjenë, e i cili u përdor si ushqim për njerëz në Kosovë. Ky skandal, edhe pas gjetjeve nga ana e këtij Komisioni, ka mbetur pa u ndëshkuar. Problemi bëhet akoma më shqetësues, kur dihet fakti se kjo sasi e grurit të dyshimtë është importuar nga Serbia armiqësore ndaj Republikës së Kosovës , përmes kompanisë "M-Sillosi", që është pjesë e "Devolli Corporation" dhe ka hyrë në vend gjatë viteve 2014-2015 dhe 2016 dhe i cili grurë i mykur u është shitur kosovarëve, duke ua rrezikuar e duke dëmtuar shëndetin atyre, siç ka shkruar disa herë gazeta "Kosova Sot", dhe jo vetëm. Gazeta ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria e Shtetit gjatë javës së kaluar, nëse do të ngrihet aktakuzë exoficio rreth këtij rasti, mirëpo, fatkeqë- sisht , ka mbetur pa përgjigje e tyre.

Komisioni vërtetoi me fakte skandalin e madh Deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga subjekte të ndryshme politike, pozitë dhe opozitë, por edhe ekspertë të fushës, konsiderojnë se sidomos pas zbardhjes së skandalit nga ana e Doganave të shtetit, Prokuroria duhet të veprojë në këtë drejtim, pa asnjë vonesë, sepse ka bazë ligjore që të ngrihet aktakuzë ex-oficio, e bazuar në ligj. Adem Salihaj, deputet nga radhët e LDK-së, anëtar i Komisionit për bujqësi, tha se Komisioni për bujqësi, pas një hulumtimi që ka bërë lidhur me importin e grurit për kafshët nga Serbia gjate vitit 2014, ka ardhur në përfundim se vetëm nga një kompani janë importuar mbi 10 mijë tonë grurë për kafshë, ndërsa janë bluar dhe janë shndërruar në miell, pra në ushqim për njerëz. "Në raportin tonë të detajuar dhe të argumentuar, kemi sjellë shumë fakte se në zinxhirin e kontrollit nga institucionet e shtetit ka pasur lëshime të mëdha, të cilat kanë sjellë deri te situata që banorët e Kosovës janë mashtruar dhe unë, që është shitur ushqim për kafshë në vend të ushqimit për njerëz. Këto lëshime janë bërë në Agjencinë e Ushqimit dhe të Veterinës, në Doganën e Kosovës, në Institutin Bujqësor të Kosovës dhe në Administratën Tatimore të Kosovës", ka thënë ai. "Pas raportit, i cili u aprovua unanimisht në Kuvendin e Kosovës, Dogana e Kosovës i ka rikontrolluar dokumentacionet dhe ka konstatuar se kompania importuese e grurit për kafshë u ka ikur e shmangur qëllimshëm obligimeve tatimore për rreth gjysmë milioni euro. Duke marrë parasysh se tashmë po dihet se organet e shtetit kanë dështuar në kryerjen e detyrave të tyre, atëherë domosdo duhet të involvohet edhe Prokuroria e Shtetit, duke ndërmarrë veprime hetimore jo vetëm kundër kompanisë importuese, por edhe ndaj organeve shtetërore, të cilat kanë bërë lëshime serioze dhe ndoshta të qëllimshme, duke dëmtuar shëndetin e qytetarëve dhe buxhetin e shtetit", tha Salihaj për "Kosova Sot".

Drejtësia e kapur pengon ndëshkimet e shkelësve të ligjit Mirëpo, deputeti Ismail Kurteshi, nga Lëvizja 'Vetëvendosje', është shumë skeptik në pritjen e tij nëse kjo drejtësi e ndikuar së tepërmi nga politika dhe bizneset e mëdha oligarkike do ta nxjerrë fajtorin para bankës së të akuzuarve dhe t'i japë gjykimin meritor. Ai thotë së në praktikën e drejtë- sisë së politizuar të Kosovës po ndodh që shumë vepra të dënueshme nuk po dënohen "Në Kosovë ka shumë keqbërës, veprat e të cilëve nuk po dënohen, sepse ato janë të lidhura me pushtetarët, kurse definitivisht prokurorët e shtetit janë nën ndikimin e pushtetarëve dhe oligarkëve. Ky rrjet i ndërlidhur e ka bërë shtetin jofunksional, rrjedhimisht ka krijuar kushte ideale për krim të organizuar dhe korrupsion. "Devollët", mielli për kafshë, evazioni fiskal, mishi nga Brazili, asfalti i dobët, pengesat për prodhim vendor, pengesat për investime të huaja, pengesat për ngritjen e cilësisë në arsim, e ngritjes së kualitetit të shërbimeve në shëndetësi e gjetiu. Nënshkrimi i marrëveshjeve të dëmshme për vendin si ato për "Zajednicën" , e Demarkacionin e të tjera janë rezultat i korrupsionit dhe papërgjegjësisë së krerëve të shtetit, të cilët kanë arritur atje ku janë sot falë lojërave të pista: vjedhjes dhe blerjes së votave, falë premtimeve të rrejshme", ka thënë ai. "Devollët" dhe të gjithë të tjerët që i shkelin ligjet, që i mashtrojnë qytetarët, që nuk i kryejnë obligimet ndaj shtetit, duhet t'i marrin dënimet e merituara, por kjo nuk mund të ndodhë, derisa shefat e tyre që në të njëjtën kohë janë edhe shefa të prokurorëve të jenë në maja të shtetit. Këtë problem shumë të madh për vendin mund ta zgjidhin vetëm qytetarët ë Kosovës në ditën e zgjedhjeve, te kutitë e votimit ose në rrugë, duke protestuar derisa t'i rrëzojnë këta pushtetarë, përndryshe qytetarët do të vazhdojnë të hanë miell të kafshëve e ushqime të tjera kancerogjene", tha Kurteshi për "Kosova Sot". (Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)