Gecaj: Nuk ka asgjë konkrete në zvogëlimin e ministrive

  • 25 July 2016 - 09:55
Gecaj: Nuk ka asgjë konkrete në  zvogëlimin  e ministrive

 “Tash për tash kjo është vetëm një ide dhe nuk ka asgjë konkrete, kështu që tani unë çka do që të them veç mund të them diçka për çka nuk kam as unë më shumë informacione”, tha këshilltari i kryeministrit Mustafa dhe zëvendësministër i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj.

Ai tha se kurdo që planifikohet të jetësohet kjo ide, duhet të merren paraprakisht vesh liderët politikë dhe vetëm pastaj të veprohet në gjetjen e zgjidhjeve praktike. Mirëpo, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që kjo temë të mbetet si ide deri në finalizimin e Ligjit për Qeverinë e Kosovës, ligj mbi bazën e të cilit do të përcaktohej numri i resorëve ministrorë dhe vetëm pastaj të shihet edhe mënyra e fuzionimit apo bashkimit të ministrive të ndryshme në një ministri, sipas fushëveprimit specifik, të ngjashëm që e mbulojnë.

 “Unë për vete, personalisht mendoj që fillimisht duhet të rregullohet- bëhet ligji, që mbi bazën e ligjit të merren vesh se kush ku do të fuzionohet, dhe vetëm kur të hyhet në këtë proces mund të shihet saktë se çka dhe si do të bëhet, mirëpo unë nuk besoj që do të ketë nguti në këtë punë, nuk ka indice se do të veprohet me nxitim”, tha Gecaj për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)