Sot seanca e fundit në Parlament, deputetët marrin pushimet

  • 25 July 2016 - 11:19
Sot seanca e fundit në Parlament, deputetët marrin pushimet

Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë projektligjet e fundit, përpara se deputetët të marrin pushimet.

Veç ligjeve në axhendën e Parlamentit, pritet të votohet edhe zgjatja deri në dhjetor e mandatit të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, që do duhet të punojë për ligjet që e bëjnë të zbatueshëm reformën.  Sesioni i 7 i Kuvendit do të nisë në 5 shtator.

E hëna, e shpallur ditë pushimi për administratën me vendim qeverie, do të shënojë edhe seancën e fundit të sesionit të 6 të Kuvendit të Shqipërisë, legjislatura e tetë.

Rendi i ditës së seancës ka 8 pika, mes të cilave dy marrëveshje koncesionare, ndryshime në kodin penal dhe ligji për rivlersimin e pasurisë.

Por kuvendi i Shqipërisë, pritet të miratoje vendimin për zgjatjen e mandatit të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, që duhet të mbyllte punën në 27 korrik.

Kuvendi do ti shtojë kohëzgjatjen deri në dhjetor komisionit, i cili duhet të vijojë punën për 7 projektligjet që bëjnë të zbatueshëm reformën në drejtësi.Kështu:

Projektligji “Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;

Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”;

Projektlgji “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë në Republikën e Shqipërisë”;

Projektligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;

Projektligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”;

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” ;

Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Do të diskutohet në komisionin e posaçëm, që pritet tashmë të vijojë punën me përmbajtjen  e plotë, pasi edhe opozita do rikhethet në vendet e saj, për të bërë sugjerimet përkatëse. Kjo pasi ekspertët e PD po punojnë prej kohësh për një paketë sugjerimesh përkatësë për ligjet e emergjencës.

Me miratimin e pr/ligjeve të fundit për këtë sezon, deputetët dhe ministrat marrin pushimet për t’u rikthyer , në sesionin e 7 të kuvendit, që nis të hënën e parë të shtatorit, në datën 5. 

(Kosova Sot)